As gjoba për supermarketet, as dëmshpërblime për qytetarët për çmimet e larta në Maqedoninë e Veriut

Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ende nuk e di nëse do t’i gjobisë supermarketet që “dyshohen” për bashkim në formë karteli në Maqedoninë e Veriut. Hetimin e filloi në shkurt të këtij viti, por edhe pesë muaj më vonë, në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, nga atje thonë se ende po mbledhin prova mbi dyshimet se 4 markete janë marrë vesht për çmimet e produkteve, gjë që është kundër ligjit, transmeton Portalb.mk.

“Procedura është në vazhdim, Komisioni po bën vlerësimin e të gjitha provave të mbledhura gjatë procedurës, ndërsa gjoba, gjegjësisht dënimi, nëse vërtetohet ekzistenca e një marrëveshjeje të ndaluar – kartel, Komisioni e vërteton atë me vendim”, thanë nga Komisioni.

Në shkurt të vitit 2025 Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës (KMK) ngriti dy procedura kundërvajtjeje.

E para ishte kundër katër supermarketeve, që sipas dokumenteve që i publikuan disa media, ishin kundër supermarketeve VERO, Tinex, KAM dhe Reptil. Sipas dokumenteve të publikuara ata “kanë lidhur një marrëveshje të ndaluar për të ndikuar në çmimet e produkteve”. Kjo ngriti dyshime tek Komisioni për shkak se përbënte mosrespektim të konkurrencës.

Procedura e dytë ishte vetëm kundër Lidhjes së Odave Ekonomike për dorëzimin e të dhënave të pasakta, të paplota që mund ta mashtronin Komisionin gjatë marrjes së vendimit për ngritjen e procedurës për kundërvajtje. Për këtë, LOE u gjobit me 100.000 denarë me një vendim nga muaji maj i këtij viti.

Në fillim të këtij viti, për shkak të rritjes së pakontrolluar të çmimeve të produkteve, konsumatorët vendosën t’i bojkotojnë marketet në ditë të caktuara dhe të mos blejnë asgjë në shenjë revolte.

Qeveria reagoi ndaj rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe bojkotit nga qytetarët me një sërë masash për kufizimin e marzheve tregtare. Kjo erdhi si rezultat i një raport të Inspektoratit Shtetëror të Tregut në të cilin thuhej se marzhi për produktet bazë ushqimore, si buka, qumështi, vaji i gatimit, në markete është mbi 20 përqind, ndërsa për produktet jo-ushqimore bazë është 30 përqind.

Autoritetet prisnin që Ligji i sapomiratuar për Praktikat e Padrejta Tregtare do ta përmirësonte situatën.

Kompanitë që nuk do ta respektojnë atë do të përballen me gjoba deri në 10 përqind të të ardhurave të tyre në vitin paraprak, të cilat mund të arrijnë edhe deri në dhjetëra miliona euro.

Por, nga komisioni përgjegjës për gjobat thonë se raportime ka çdo ditë, por nuk ka statistika se sa tregtarë janë gjobitur.

Konsumatorët e dëmtuar nuk mund të marrin dëmshpërblim

Nëse vërtetohet se komisioni ka pasur të drejtë dhe se marketet e kanë shkelur ligjin, a mund të marrin dëmshpërblim konsumatorët?

Këtë çështje e kanë ngritur një pjesë e juristëve me të cilët bisedoi REL, e të cilët janë të mendimit se në Maqedoninë e Veriut, sipas ligjeve ekzistuese, është e paleverdisshme që çdo kosumator individual të kërkojë dëmshpërblim për blerjen e produkteve nga supermarketet.

“Pengesë” e dytë është se është e vështirë të dëshmohet se si është kryer shkelja për secilin produkt në veçanti.

Avokati Goran Naciq është i mendimit se është e vështirë të përcaktohet shuma e saktë e dëmit në një mostër statistikore kaq të gjerë, ku bëhet fjalë për një numër të madh produktesh. Ai merr si shembull Shtetet e Bashkuara ku për këtë lloj vepre penale jepen dëmshpërblime mesatare.

“Merret lartësia e marzhit që ka qenë e pa lejuar në një periudhë të caktuar kohore për një listë konkrete produktesh dhe përllogaritet dëmshpërblimi. Meqenëse është e vështirë të përcaktohen të gjithë ata që kanë blerë, dëmshpërblimi që do të përllogaritet mund të paguhet në disa mënyra, njëra do të ishte për një periudhë të caktuar, për shembull në 3 muaj, e njëjta listë e produkteve të blihej me çmime të reduktuara për të njëjtën përqindje të marzhit ose shuma totale e dëmshpërblimit të dedikohej për ngritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve, por në asnjë mënyrë nuk duhet të mbetet tek supermarketet”, thotë Naciq.

Edhe nga Organizata e Konsumatorëve thonë se konsumatorët, si në rastin e Maqedonisë së Veriut, vështirë se do të mund të përfitojnë nga të drejtat e tyre.

“Ne nuk do mund ta dinim numrin e saktë të qytetarëve të dëmtuar, dhe përveç kësaj ata do të duhej ti ruanin kuponët fiskalë nga blerjet gjatë periudhës së marrëveshjes mes supermarketeve të gjobitura. E gjithë kjo do të duhej të dëshmohej në gjykatë dhe kjo është shumë e vështirë për t’u organizuar, e nuk e di se cila firmë avokatie do t’i përfaqësonte”, thotë Mirjana Llonçar, Vellkova, kryetare e Organizatës së Konsumatorëve.

Padi individuale në vend të dëmshpërblimeve kolektive

Në Maqedoninë e Veriut në Ligjin për Procedurën Civile ende nuk bën pjesë dëmshpërblimi kolektiv, thonë nga organizata e konsumatorëve. Me ndryshimet e Ligjit do të mundësohej një gjë e tillë, por edhe pse kanë kaluar në komisionet parlamentare, ato sërish tërhequr për rregullim të mëtejshëm.

Nga OKM thonë se këto ndryshime duhet të jenë në rend të ditës në muajin shtator dhe bashkë me to, rastetet aktuale që po trajtohen individualisht me ndihmën e organizatës do të mund të mblidhen në një padi kolektive.

I tillë është shembulli i numrit të madh të padive të ngritura nga Organizata në emër të qytetarëve për çmimin më të lartë të polisave të kompanive të sigurimeve, ku dolën disa konsumatorë të dëmtuar.

Bëhet fjalë për shuma nga 840 deri në 1.600 denarë, të cilat i kanë paguar rreth 10.000 qytetarë. Ata i kanë siguruar automjetet e tyre përmes polisave që dyshohej se ishin të dakorduara. Në atë kohë, organizata për mbrojtjen e konsumatorit u bëri thirrje qytetarëve që u dëmtuan nga kompanitë e sigurimeve në periudhën nga 25 prilli deri më 3 maj të vitit 2024 t’i kontaktojnë dhe me ndihmën e tyre të ngrenë një padi.

“Ne ndjekim padi të tilla individuale sepse është krijuar një kartel midis kompanive të sigurimeve për çmime më të larta për sigurimin e automjeteve. Megjithatë, ky është një rast ku konsumatorët vetë e kanë bërë raportimin dhe kanë rënë dakord që t’i ndjekin penalisht nëpërmjet nesh. Kjo do të thotë që një numër i madh do të mbetet ende i pambrojtur sepse nuk ka padi kolektive për dëmshpërblim. Nëse do të kishte mbrojtje kolektive, ne do t’i telefononim të gjithë dhe dëmshpërblim do merrte një numër më i madh”, thotë Lonçar.

Sipas avokatit Naciq, në Evropë tashmë ka një shembull ku me një padi kolektive kërkohen shuma të ulëta kompensimi për një numër më të madh njerëzish. Kjo është për një kopmani ajrore që u ka marrë para udhëtarëve në mënyrë të paligjshme për bagazhet e dorës. Përfitimet nga dëmshpërblimi kolektiv do të ishin ato që një individ është i pafuqishëm për ta mposhtur kompaninë nëse shërbimet ligjore kushtojnë dhjetë herë më shumë se dëmshpërblimi, por nëse shkohet me një padi të përbashkët, atëherë shpenzimet ndahen nga të gjithë dhe kjo gjë bëhet e leverdishme.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit i mbron të drejtat e konsumatorëve. Ata besojnë se me organin e caktuar për mbrojtjen e tyre, që është Organizata e Konsumatorit, do mund të kenë qasje në të drejtat e tyre nëpërmjet procedurave gjyqësore.