Siljanovska-Davkova dhe Gashi shpresojnë në gjetjen e zgjidhjes mes Sofjes dhe Shkupit pas fitores së Radevit
Pres të shihemi, të bisedojmë dhe të kërkojmë një zgjidhje të re – thotë presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pas zgjedhjeve të djeshme në Bullgari, pas të cilave është gjithnjë e më e sigurt se Rumen Radev do të jetë kryeministri i ri. Presidentja thotë se ajo dhe Radev, si ish-president i Bullgarisë, nuk ishin dakord për shumë gjëra, por theksoi se dinë ta dëgjojnë njëri-tjetrin me respekt dhe, siç tha ajo, të arrijnë në përfundimin se do të kërkojnë zgjidhje, transmeton Portalb.mk.
Siljanovska-Davkova thotë se rezultatet e zgjedhjeve të djeshme parlamentare në Bullgari janë të pritshme duke pasur parasysh vlerësimin e lartë të ish-Presidentit Rumen Radev dhe duke pasur parasysh se, siç tha ajo, qytetarët bullgarë janë të lodhur nga qeveritë e mëparshme të paqëndrueshme që kanë ndryshuar shpesh.
“Mendoj se qytetarët bullgarë janë të lodhur nga qeveritë e paqëndrueshme që kanë ndryshuar vazhdimisht dhe ndoshta kjo është arsyeja pse i kanë dhënë besimin e tyre partisë së sapoformuar të Radevit. Rezultati është i pritshëm. Le të shohim nëse, pas shumë rënieve, një qeveri bullgare do të zgjasë më shumë. Kjo ishte një rrethanë rënduese në ndërtimin e marrëdhënieve me ne, megjithëse të gjithë e dimë se të gjithë kryeministrat gjithmonë i janë referuar vendimeve, deklaratave dhe rezolutave të parlamentit bullgar kur bëhet fjalë për politikën me ne”, tha presidentja, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.
Siljanovska-Davkova theksoi se pushteti efektiv në Bullgari ndodhet tek qeveria, gjegjësisht tek kryeministri i ardhshëm, i cili, sipas mendimit të saj, me siguri do t’i jepet mandati për të formuar qeveri të re. Kjo, siç tha presidentja, hap hapësirë për negociata.
“Ajo që është e re është situata dramatike në botë, në një mjedis me rend ndërkombëtar të ndryshuar në mënyrë dramatike, siguria po fiton rëndësi. Po flas për sigurinë e BE-së, për rrezikun dhe nevojën për të ndërtuar rezistencë ndaj faktorëve dhe aktorëve të mundshëm në Ballkan. Më lejoni t’ju kujtoj, Ballkani ka qenë gjithmonë një terren prove për marrëdhëniet e fuqive të mëdha, sigurisht që do të jetë kështu edhe tani, dhe pres që zgjerimi të trajtohet jo vetëm përmes prizmit të një BE-je më të madhe, konkurruese në skenën politike globale, por edhe të një sigurie më të madhe. Ne kemi një politikë të jashtme dhe të sigurisë 100 përqind të koordinuar me BE-në dhe disa vende në rajon si Mali i Zi dhe Shqipëria. Pres të shihemi, të flasim, sigurisht me të dy flamujt, dhe të kërkojmë një zgjidhje të re”, tha Siljanovska-Davkova.
Presidentja shprehu pritjen e saj që Radev, si kryeministër i ardhshëm, do të përdorë mbështetjen e qytetarëve dhe përvojën e tij shumëvjeçare politike për të kapërcyer problemet me të cilat përballet Bullgaria.
Ndërkohë, kryetari i Parlamentit Afrim Gashi e përgëzoi kreun e partisë Bullgaria Progresive, Rumen Radev, për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare në Bullgari, i cili fitoi 44 përqind të numrit të përgjithshëm të votave.
Duke iu përgjigjur pyetjeve pas informimit të sotëm me gazetarët, Gashi, ashtu si Siljanovska, shprehu shpresën se Bullgaria fqinje më në fund do të ketë një qeveri të qëndrueshme politike, e cila do të mbyllte edhe çështjet e hapura midis Shkupit dhe Sofjes.
“Është normale që për ne si vend është e dobishme të kemi një qeveri të qëndrueshme politike në Sofje në mënyrë që të mund t’i mbyllim çështjet e hapura. Ju e dini që kjo qeveri ka pasur një angazhim të qartë që nga fillimi se rruga evropiane është pjesë e agjendës dhe prioritetit tonë. Por, sigurisht, dilemat që janë tashmë të qarta, duhet t’i kishim zgjidhur së bashku me një qeveri politike në Bullgari”, tha Gashi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Lidhur me ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, kryetari i Parlamentit tha se parlamenti është gati të fillojë menjëherë procedurën nëse arrihet një marrëveshje politike dhe nëse merret garanci se çështjet e identitetit nuk do të gjenden më në rrugën e integrimit evropian të vendit në të ardhmen.
“Vetëm për të arritur një marrëveshje, atëherë mendoj se procedura do të jetë pjesa më e lehtë”, tha Gashi dhe shtoi se pret që një qeveri të formohet në Bullgari sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të mund të vendoset kontakti.
Në zgjedhjet parlamentare të djeshme në Bullgari, partia Bullgaria Progresive e ish-presidentit bullgar Rumen Radev fitoi bindshëm. Komisioni Qendror Zgjedhor i Bullgarisë njoftoi se, sipas 98.7 përqind të votave të përpunuara, partia e Radevit fitoi 44.6 përqind.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.