Mali Sharr: Park Kombëtar apo deponi ilegale?

Edhe pas pesë viteve nga shpallja e një pjese të Malit Sharr si Park Kombëtar, problemi me mbeturinat dhe deponitë ilegale vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Qytetarët e pandërgjegjshëm ndotin ndërsa autoritetet nuk veprojnë, raporton Portalb.mk.

Për shembull, në afërsi të fshatit Brodec janë hedhur divane të vjetra dhe mbeturina shtëpiake, ndërsa në shtratin e Lumit Shkumbin hidhen materiale ndërtimore.

Parku Kombëtar shtrihet më shumë në territorin e Komunës së Tetovës, i pari i kësaj komune – Bilall Kasami e pranoi situatën alarmante dhe theksoi se aksionet e thjeshta nuk mjaftojnë përballë kësaj ndotjeje masive.

“Edhe vetë nga pamjet në terren u konstatua se ka nevojë për një ndërhyrje më serioze dhe për veprime në drejtim që edhe kjo zonë dalëngadalë t’i rikthehet bukurisë që ia ka falë Perëndia, dhe që qytetarët e banorët e zonës të mund që mbetjet edhe komunale edhe inerte t’i menaxhojnë edhe t’i hedhin aty ku duhet dhe jo në çdo vend, me çka edhe ndotet ambienti”, tha Kasami.

Nga ana tjetër, drejtori i Parkut Kombëtar “Mali Sharr” Evzal Elmazi e konfirmoi se nuk është shqiptuar asnjë dënim, duke e arsyetuar këtë me mungesën e alternativave për banorët.

“Është një problem që kërkon një zgjidhje gjithëpërfshirëse, një zgjidhje afatgjatë, sepse nuk është qëllimi tash të fillojmë me dënimet. Bëhet fjalë për 27 vendbanime në territor të parkut dhe sidomos fshatrat e Malësisë ballafaqohen me probleme të kësaj natyre. Pra, do të jemi në vazhdimësi në komunikim edhe me Komunën e Tetovës, po ashtu edhe me Ministrinë e Mjedisit, që të gjendet një zgjidhje afatgjatë. Sepse nuk është qëllimi tash të pastrohet e pas një muaji prapë të kemi të njëjtat grumbullime mbeturinash. Mendoj se dënimet nuk do të kenë rezultat nëse nuk gjendet një alternativë për këta qytetarë se ku t’i hedhin ato mbeturina”, tha Elmazi.

Si pasojë e mungesës së një deponie për materiale të ngurta në Tetovë dhe komunat përreth banorët dhe bizneset i hedhin mbetjet në natyrë ose në lumenj.

Deponitë ilegale dhe grumbujt e mbetjeve hasen në shumë zona të Sharrit, ndërsa kjo plagë mjedisore vazhdon prej vitesh pa zgjidhje të qëndrueshme. Shoqëria civile paralajmëron se, nëse synohet që Sharri të promovohet si atraksion turistik, vizitorët nuk do të vijnë për të parë mbeturina në çdo cep, por kërkojnë natyrë të pastër, menaxhim serioz dhe bashkëpunim real ndërinstitucional. Por institucionet i ‘mbyllin sytë’ ndaj problemit dhe hedhin përgjegjësitë te njëra tjetra.

Ndryshe, pas disa dekadave pritje, më 30 Qershor 2021, Kuvendi i Мaqedonisë së Veriut e shpalli park kombëtar një pjesë të Malit Sharr. Parku mbulon një sipërfaqe prej 62,705 hektarë, brenda kufijve të parkut gjenden 27 fshatra me rreth 17,000 banorë, të ndara në shtatë komuna.