VLEN thotë se BDI nuk di të jetë në opozitë, BDI: Mexhiti simbol i nepotizmit
Koalicioni VLEN dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kanë shkëmbyer akuza politike përmes kumtesave publike. Fillimisht, VLEN doli me reagim të ashpër ndaj BDI-së, duke e cilësuar atë si një strukturë të “karrigexhinjve të përhershëm” që, sipas tyre, nuk po arrin të funksionojë në opozitë. Në këtë komunikatë, koalicioni mbron Izet Mexhitin, duke theksuar se ai ka legjitimitet të fituar përmes votës si ish-kryetar komune dhe deputet, dhe duke e paraqitur si politikan të afërt me qytetarët, transmeton Portalb.mk.
“BDI paska filluar përsëri me filmin e vjetër. Populli thotë, ku të dhemb dhëmbi, aty shkon gjuha. BDI-së i dhemb Izet Mexhiti, sepse bashkë me popullin i çoi në opozitë. Le ta mbajnë mend mirë: Izet Mexhiti nuk është produkt zyrash dhe përkëdheljeve të Ali Ahmetit. Ai ka mandat nga shqiptarët, si kryetar komune dhe deputet. Me votë, me terren, me njerëz. Jo si Bujar Osmani, Blerim Bexheti, Fatmir Besimi dhe klika e BDI-së, që politikën e kanë kuptuar vetëm si ngjitje për karrige, tender dhe rehati personale. Dallimi është i madh. Izeti ka qenë në mëhallë me qytetarin, ndërsa ata në zyra ekzekutivi dhe pazare pushteti. Sot karrigexhinjtë më të mëdhenj janë te BDI, aty ku një grusht njerëzish rreth Ali Ahmetit kanë privatizuar partinë, e shtyjnë aktivistin e devotshëm përpara si mish për top, vetëm që vetë të kthehen në pushtet, në kolltuk, në tender dhe në rehati”, thonë nga VLEN.
VLEN ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta ndaj figurave kryesore të BDI-së, përfshirë Ali Ahmetin, Bujar Osmanin, Blerim Bexhetin dhe Fatmir Besimin, duke i akuzuar për qëndrime të gjata në pushtet dhe përqendrim në interesa personale, tenderë dhe privilegje.
VLEN pretendon gjithashtu se një grup i vogël brenda BDI-së ka “privatizuar” partinë dhe e përdor atë për të ruajtur pushtetin dhe përfitimet, ndërsa qytetarët trajtohen vetëm si votues.
“Bujar Osmani mbi 3.700 ditë ministër, Blerim Bexheti mbi 5.500 ditë në poste dhe ende flasin për “mbrojtje të shqiptarëve”. BDI-ja shqiptarin e ka parë vetëm si numër për votë, ndërsa postet si trashëgimi familjare. Kjo demagogji nuk pi më ujë. Populli i ka lexuar. Ata ende ëndërrojnë kohën e Gruevskit, Budapesti u duket si adresë shpëtimi, derisa Mijallkovin e kujtojnë si partner të artë të sundimit. Qe dy vite i gënjejnë aktivistët se “do të kthehemi në pushtet”, ndërsa përgjigjen për këtë mashtrim politik e morën jo më larg se në zgjedhjet lokale, ku VLEN i demoloi duke fituar 10 komuna. VLEN një, VLEN po vjen”, thonë nga VLEN.
Pas kësaj, reagoi Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila lëshoi një deklaratë kritike ndaj Mexhitit, duke e akuzuar për nepotizëm, keqpërdorim të pushtetit dhe ndërtim të një strukture politike të bazuar në interesa familjare dhe klienteliste. Sipas BDI-së, kjo qasje ka dëmtuar përfaqësimin e shqiptarëve dhe perspektivën e të rinjve në Shkup.
Partia gjithashtu akuzon Mexhitin se për më shumë se dy dekada ka mbajtur nën kontroll strukturat lokale, duke përfituar personalisht dhe duke rritur ndikimin e tij politik e ekonomik, ndërkohë që, sipas tyre, gjendja socio-ekonomike në Çair është përkeqësuar.
“Njeriu që u bë milioner duke e varfëruar Çairin, sot mundohet të shitet si ndryshim, por qytetarët e dinë të vërtetën: Struktura e tij politike funksionon me të njëjtën logjikë si klanet mafioze, besnikëri familjare, interesa personale dhe kontroll përmes njerëzve klanit. Për më shumë se 20 vite, ai dhe klani i tij uzurpuan përfaqësimin e shqiptarëve në Shkup dhe ia shkatërruan të ardhmen një gjenerate të tërë të të rinjve të Shkupit. Ndërkohë, po rritet vetëm pasuria dhe ndikimi i tij personal”, thuhet në reagim.
Në fund të reagimit, BDI thekson se qytetarët nuk kanë nevojë për, siç e quan ajo, “riciklim të së njëjtës mendësi politike”, por për ndryshim real që nuk bazohet në klientelizëm dhe keqpërdorim.
Kujtojmë se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për ditë me radhë ka reaguar ndaj ndërmarrjes shtetërore MEPSO dhe drejtorit të saj, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe dëmin e mundshëm financiar ndaj shtetit. Sipas BDI-së, drejtori Burim Latifi dhe MEPSO kanë lidhur dy kontrata brenda të njëjtës ditë me kompaninë “Elnos BL” nga Republika Srpska, duke thelluar bashkëpunimin me këtë subjekt. BDI vlerëson se kjo situatë hap dilema serioze mbi procedurat dhe mënyrën e realizimit të këtyre marrëveshjeve.