RMV, do të mbrohen bimët endemike dhe do të paguhet tarifë për hyrje, parqet kombëtare me projekte për para nga buxheti

Të katër parqet kombëtare në vend, “Pelisteri”, “Mavrova”, “Galiçica” dhe “Mali Sharr”, kanë dorëzuar në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor projekte që duhet të financohen nga buxheti i shtetit. Këtë vit, për herë të parë Ministria vendosi t’u japë ndihmë shtetërore këtyre institucioneve dhe në këtë mënyrë të marrë pjesë drejtpërdrejt në mbrojtjen e natyrës. Janë paraparë 20 milionë denarë, ndërsa mjete do të marrë secili park kombëtar, transmeton Portalb.mk.

Dy nga parqet kombëtare, “Mavrova” dhe “Mali Sharr” planifikojnë të vendosin një tarifë për hyrje në park. Në “Mavrovë” do të vendosen tri rampa në shtigjet më të frekuentuara të ecjes, ndërsa “Mali Sharr” do të arkëtojë tarifa për hyrje të veturave përmes sistemit elektronik. Në “Galiçicë” ka kohë që tarifohet hyrja, ndaj në këtë park do të realizohet një projekt për përmirësimin e kushteve në habitatet e karafilit endemik të Galiçicës.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se të gjitha parqet kombëtare do të marrin mbështetje financiare, por për momentin nuk dihet nëse shpërndarja e mjeteve do të jetë e barabartë për të gjithë, për çka do të duhet të pritet derisa të përfundojë procedura e vlerësimit të aplikimeve të parashtruara.

“Përmes Programit për Investime në mjedisin jetësor për vitin 2024, Ministria shpalli konkurs për ndarjen e mjeteve për financim dhe realizim të programeve, projekteve dhe aktiviteteve të tjera në fushën e mjedisit jetësor për vitin 2024. Aplikime kanë dorëzuar të katër parqet kombëtare. Pas përfundimit të procedurës së vlerësimit nga Komisioni, aplikacionet/projektet e miratuara të parqeve kombëtare do të publikohen publikisht në faqen zyrtare të Ministrisë”, theksojnë nga ky institucion.

Ata informojnë se aktivitetet që do të financohen duhet të jenë në lidhje me Planet e menaxhimit, duhet të synojnë zbatimin e masave praktike për ruajtjen e specieve të egra apo gjenerimin e burimeve financiare të parkut nëpërmjet zbatimit të shërbimeve të ekosistemit. Gjithashtu, parqet mund të ndërtojnë infrastrukturë të gjelbër duke rregulluar pika turistike, vende vrojtimi, shtigje për ecje dhe për biçikleta, qendra edukative për të rinjtë, të krijojnë ture virtuale 3D në park ose të promovojnë një brend ushqimor lokal. Aktivitetet duhet të fokusohen në të paktën tre lokacione në parkun kombëtar dhe të përfshijnë një fushatë për të promovuar vlerat dhe aktivitetet e parkut përmes mediave.

Drejtori i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, Ibrahim Dehari, thotë se kanë aplikuar me një projekt që ka disa komponenta, të përbërë nga prioritetet që i kanë konstatuar ata si institucion. Ata po planifikojnë të aplikojnë një sistem elektronik për tarifimin e hyrjes së automjeteve që e ndotin ajrin dhe natyrën.

Sistemi do të funksionojë përmes mesazheve SMS ose përmes pagesës me kartelë, ndërsa në të gjithë parkun do të vendosen qindra tabela informative me informacion për të gjithë vizitorët. Nuk do të ketë rampa sepse ky park kombëtar ka shumë vendbanime dhe shumë hyrje dhe dalje.

Dehari bën të ditur se me këtë buxhet planifikojnë të ndërtojnë disa strehimore për vizitorët që do të kapen në befasi nga moti i keq. Ato do të jenë në disa lokacione në park dhe do të jenë prej materialesh natyrale.

“Një pjesë shumë e rëndësishme e projektit për të cilin kemi aplikuar është bashkëpunimi me komunat që e kanë rregulluar grumbullimin e mbeturinave nëpër fshatra për t’i rrethuar lokacionet ku janë kontejnerët. Kjo është një mënyrë për t’i ndaluar që kafshët e egra të zbresin nëpër fshatra dhe të ushqehen me mbeturina”, tha Dehari për Meta.mk.

Edhe në parkun kombëtar në “Mavrovë” do të paguhet tarifë, por këtu do të vendosen rampa dhe tabelë informative digjitale në tre lokacione që nuk do të jenë në rrugë për automjete, por nëpër shtigjet e ecjes.

Sipas drejtorit Samir Ajdini, do të realizohet një fushatë promovuese për parkun kombëtar dhe do të përgatitet një program për përforcimin e menaxhimit të shpellës Kadina Dupka dhe liqenit akullnajor Llokuv. Ajdini thotë se numri i vizitorëve në park vazhdimisht rritet, por se numri i saktë nuk dihet, ndërsa është i nevojshëm për shkak të krijimit të mundësive të reja për vizitorët, por edhe për shkak të planifikimit të sigurisë së tyre.

“Një numër i madh vizitorësh nuk janë mjaftueshëm të informuar për kuptimin e zonave në të cilat po hyjnë, si dhe për rregullat e sjelljes në to. Hyrja e pakontrolluar e vizitorëve, veçanërisht në pjesët malore, të hyrat e pamjaftueshme financiare nga aktivitetet turistike dhe shërbimet e tjera të ekosistemit, mungesa e aktiviteteve promovuese të parkut dhe e aktiviteteve hulumtuese-shkencore në zonat që janë nën mbrojtjen e organizatave ndërkombëtare janë problemet kyçe dhe thelbësore me të cilat po përballemi dhe zgjidhja e tyre do të na sjellë përfitim të konsiderueshëm dhe afatgjatë”, thotë Ajdini.

Parku Nacional “Galiçica” tashmë ka një tarifë për hyrje në territorin e tij, ndërsa paratë nga ndihma shtetërore do të përdoren për masa të reja për konservim, promovim më të mirë dhe përmirësim të kushteve për rekreacion dhe qëndrim të vizitorëve. Sipas Andon Bojaxhi, Udhëheqës i Njësisë për mbrojtjen e natyrës, do të punohet për përmirësimin e kushteve në habitatet e bimës endemike të karanfilit të Galiçicës, si dhe për shitjen e suvenireve që do të punohen në park. Ai thotë se Galiçica ka kohë që i shmanget shfrytëzimit të drejtpërdrejtë të burimeve natyrore si mënyrë për të siguruar mjete financiare.

“Është mirë që Ministria ka treguar interes për mbrojtjen e natyrës në parqet kombëtare. Mungesa e ndihmës shtetërore në financim ishte një nga vërejtjet edhe në raportin për progresin e vendit nga Komisioni Evropian, sepse financimi i parqeve kombëtare nga buxheti i shtetit është një praktikë e pranuar globalisht”, thotë Bojaxhi.