As shpallja si park nacional nuk e zgjidhi problemin me mbeturinat në Sharr, institucionet “në gjumë”

As shpallja e një pjese të Malit Sharr si Park Kombëtar nuk i ndaloi qytetarët e pandërgjegjshëm të abuzojnë me natyrën por as institucionet t’i qasen më seriozisht këtij problemi. Mbeturinat dhe deponitë ilegale gjenden gjithandej në Sharr. Kjo problematikë me vite nuk po gjen zgjidhje, ndërkaq shoqëria civile alarmon: Nëse synojmë që Malin Sharr ta shndërrojmë në atraksion turistik, të huajt nuk do të vijnë t’i shohin mbeturinat në çdo kënd. Ata kërkojnë zgjidhje sistematike dhe bashkëpunim midis institucioneve, shkruan Portalb.mk.

Menaxhimi jo i duhur me mbeturinat si komunale por edhe ata ndërtimore dhe shumë të tjera në 27 fshatrat e 7 komunave që gjenden afër dhe brenda kufijve të Parkut Kombëtar “Mali Sharr” është një nga arsyet se pse qytetarët mbetjet e tyre i hedhin në çdo cep, kështu duke ndotur malin dhe duke krijuar deponi ilegale.

Por kjo nuk është ndotja e vetme, qytetarët të cilët shfrytëzojnë Malin Sharr si atraksion për piknikë, ecje në mal apo aktivitete të ndryshme malore, shpesh i hedhin mbeturinat kahmos dhe kësisoj ata mbeten aty, me raste pastrohen nga nismat vullnetare nga dashamirët e natyrës.

Mbeturina në Malin Sharr para hyrjes në Kodrën e Diellit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mbeturina në Malin Sharr para hyrjes në Kodrën e Diellit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Armiq të Sharrit

Me ndotjen e këtillë, Malit Sharr do i humb kuptimi dhe qëllimi kryesor si zonë e mbrojtur. Kështu shprehet për Portalb.mk Metin Muaremi nga nisma “Miqtë e Sharrit”, ai thotë se nëse vazhdohet me ndotjen e këtillë të Malit ai nuk do të ketë rolin për të cilin ata si nismë kanë luftuar nga viti 2015 e këndej për zonë të mbrojtur.

Metin Muaremi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Metin Muaremi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Mendojmë se problem kryesor është ndërgjegjësimi i popullatës, pra nga kjo fillon gjithçka pasi nëse dikush hedh, ndonjë kompani hedh apo institucion po ashtu nuk e bën punën e vetë, ai i cili duhet të reagojë është qytetari i thjesht”, tha Muaremi.

Ai vlerëson se institucionet bëjnë shumë pak për zgjidhjen e këtij problemi.

“Mendoj se bëjnë pak dhe se duhet të bëjnë më shumë duke ditur edhe kapacitetet e institucioneve, pasi në çdo komunë numri i inspektorëve që janë përgjegjës për menaxhimin për monitorimin e këtyre rasteve është shumë i vogël. Kjo vjen si rezultat i mosbashkëpunimit të komunave të cilat gjenden në rajonin e Pollogut”, tha Muaremi i cili ndër të tjera sqaroi se ndotja e këtillë që po i bëhet Malit Sharr sjell efekte negative në vetë shëndetin e qytetarëve.

“Përgjegjës janë komunat”

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) për Portalb.mk thekson se çështja e mbeturinave dhe në Malin Sharr është e komunave .

“MMJPH i ndihmon pushtetet lokale përmes aktiviteteve për krijimin e sistemit rajonal të menaxhimit të mbeturinave si zgjidhje e përhershme dhe e qëndrueshme. Shtesë ndërmerren veprime individuale për grumbullimin e mbeturinave në lokacionet në malin Sharr nga subjekte të ndryshme, duke përfshirë Parkun Kombëtar “Mali Sharr”. Por veprime të tilla nuk japin rezultat afatgjatë, sepse në të njëjtat vende mbijnë sërish brenda natës deponitë ilegale”, theksojnë nga Ministria.

Ata inkurajojnë komunat që të pajisen dhe të forcojnë kapacitetet e ndërmarrjeve publike për të mundësuar grumbullimin e mbetjeve edhe në vendet më të largëta.

Mbeturina në Malin Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mbeturina në Malin Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në lidhje me mbeturinat e depozituara ilegalisht në sipërfaqet publike në Malin Sharr, edhe sipas Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit (ISHM) përgjegjësinë e kanë sektorët e komunave për veprimtari komunale dhe mjedisore si dhe inspektorët dhe rojet komunale.

“ISHM është përgjegjës për menaxhimin e PK Mali Sharr, ndërsa pjesa e mbikëqyrjes së mbeturinave është përgjegjësi e pushtetit lokal, si në rastin e fundit me Komunën e Tetovës. ISHM kryen mbikëqyrje në zonën e deponive sanitare komunale jo standarde të menaxhuara nga ndërmarrjet publike komunale”, thanë Portalb.mk nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit.

Rasti të cilit i referohen nga Inspektorati ka të bëjë me deponimin në natyrë të mbetjeve ndërtimore të rikonstruimit të rrugës së lagjes së vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit, nga kompania ndërtimore. Ku ky rast më pas shkaktoi përplasje mediatike midis Komunës së Tetovës dhe Parkut Kombëtar “Mali Sharr”.

“Njerëzit nuk kanë mundësi të menaxhojnë me mbeturinat”

Të vetëdijshëm se me mbeturinat e hedhura në Parkun Kombëtar nuk do të mund të arrinin vizionin për vitin 2033, për të qenë një nga dhjetë destinacionet më të vizituara në Evropë, nga Institucioni Nacional Parku Kombëtar “Mali Sharr” për Portalb.mk theksojnë se edhe pse nuk e kanë veprimtari pastrimin e mbeturinave, në bashkëpunim me shoqatat e alpinizmit dhe disa institucione kanë kryer aksione pastrimi.

PK "Mali Sharr". Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
PK “Mali Sharr”. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Fatkeqësisht, vendet e piknikut nuk janë problemi ynë më i madh. Brenda Parkut Kombëtar ka shumë fshatra të banuara dhe deponi të egra. Në shumë fshatra, mbeturinat nuk grumbullohen rregullisht, por ka edhe fshatra në të cilat komunat aspak nuk kanë të vendosur sistem për grumbullimin e mbeturinave. Këto janë fshatrat Vicë, Brodec, Bozovcë, Xhermë, Veshallë në komunën e Tetovës dhe fshatrat Urviç, Jellovjan, Novo Sellë, Sellcë e Keçe dhe Pallçishtë i Epërm nga komuna e Bogovinës. Kjo është arsyeja pse ne po përpiqemi përmes lidhjes së marrëveshjeve për bashkëpunimi t’i aktivizojmë më shumë dhe plotësisht t’i zbatojnë detyrimet e tyre ligjore”, thonë nga INPK “Mali Sharr”.

Ata theksojnë se për sa kohë që komunat nuk ofrojnë një shërbim të tillë komunal për qytetarët, “Mali Sharr” si institucion nuk është në gjendje të ndëshkojë sepse njerëzit me të vërtetë nuk kanë mundësi se si të menaxhojnë me mbeturinat.

Mes tjerash theksuan se nuk kanë pasur bashkëpunim konkret me inspektoratet e mjedisit komunale dhe atë shtetëror për këtë çështje.

Mbeturina në Malin Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mbeturina në Malin Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Nisma “Miqtë e Sharrit” së bashku me IN “Parkun Kombëtar” synojnë këtë rajon ta vendosin në top atraksionet e destinacioneve për të rinjtë e huaj apo turistëve.

“Një i huaj nuk do vijë t’i shoh mbeturinat që janë në çdo kënd. Mendoj se për këtë kërkohet zgjidhje sistematike”, thotë Muaremi.

Për 5 vjet asnjë rast i paraqitur në Polici

Nga viti 2019 e deri në vitin 2023, nga Ministria e Brendshme, konkretisht Sektori për Punë të Brendshme Tetovë na njoftuan se në këtë institucion nuk ka të paraqitura raste të ndotjes së Malit Sharr.

Mbeturina në Malin Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mbeturina në Malin Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Disa komuna heshtin, disa arsyetohen, disa nuk kanë inspektorë…

Për problemin me ndotjen që i bëhet Malit Sharr, kontaktuam shtatë komunat brenda kufijve të së cilave shtrihet PK “Mali Sharr” dhe nëse inspektoratet komunale kanë shqiptuar gjoba për ndotjen e malit.

Vetëm nga Komuna e Tearcës na u përgjigjën se kanë shqiptuar gjoba.

“Janë shqiptuar katër gjoba për persona fizik, gjobat janë shqiptuar me urdhërpagesë në vlerë nga 50 euro deri në 150 euro për hedhje të mbeturinave. Aktivitetet janë të vazhdueshme dhe atë: Informim të qytetarëve, edukim, vërejtje dhe masa ndëshkuese”, thanë nga Komuna e Tearcës.

Komuna e Mavrovës dhe Rostushës nuk ka inspektor të mjedisit jetësor.

“Komuna e Mavrovës dhe Rostushës nuk ka inspektor të mjedisit jetësor dhe prandaj nuk mund t’ju përgjigjemi pyetjeve tuaja. Komuna ka të punësuar vetëm një inspektor ndërtimi dhe inspektorë të tjerë nuk ka. Për informacionin që kërkoni, kontaktoni Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit pasi ata mbulojnë atë zonë ku nuk ka inspektorë komunalë”, thanë nga Komuna Mavrovë dhe Rostushë për Portalb.mk.

Inspektorati i Mjedisit Jetësor në Komunën e Gostivarit informoi se nuk kanë shqiptuar asnjë dënim për shkak se “nuk kanë pasur asnjë ankesë nga ana e banorëve”.

Zudi Xhelili nga Komuna e Gostivarit tha se ky është problem më kompleks, sepse qytetarë të pandërgjegjshëm mbeturinat i hedhin në mënyra tinzare.

“Sidomos gjatë natës që është vështirë që zbulohen, për identifikimin dhe dënimin e tyre duhet të kyçen më tepër faktor (sidomos policia)”, Xhelili.

Inspektori i ambientit jetësor në Komunën e Vrapçishtit, Qatip Dauti për Portalb.mk tha se në lidhje me ndotjen e Sharrit në pesë vitet e fundit nuk ka ndonjë shkelje të ligjit.

“Ekzistojnë disa zona ku janë hedhur mbeturina inerte më herët, por tani janë të izoluara dhe nuk kemi ndonjë ankesë ose të ngjashme. Sa i përket planeve dhe aktiviteteve punojmë konform ligjeve të RMV-së”, tha Dauti.

Komuna e Tetovës edhe pse na konfirmoi se do përgjigjet në pyetjet tona gazetareske, përgjigje nuk ka dhanë.

Nuk na u përgjigjën as nga Komuna e Bogovinës dhe e Jegunocit.

Mbeturina në Malin Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mbeturina në Malin Sharr. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Përndryshe, zgjidhja për këtë problematikë, sipas Metin Muaremit nga nisma “Miqtë e Sharrit” është që institucionet të bashkëpunojnë dhe planet mos të ngelin vetëm në letra, por të zbatohen në praktikë, kryesisht nga komunat e rajonit të Pollogut, duke përfshirë edhe pjesën e edukimit.

Ndryshe, pas disa dekadave pritje, më 30 Qershor 2021, Kuvendi i RMV-së e shpalli park kombëtar një pjesë të Malit Sharr.