LSM kundër Besimit: E pavend të thuhet se nëse tani rriten pagat në sektorin publik, do të ndikojë në inflacion
E paarsyeshme është deklarata e ministrit se nëse tani rriten pagat e punëtorëve do të ketë implikime në inflacion, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), pasi dje ministri i Financave Fatmir Besimi doli me deklaratë se rritja e pagave në sektori publik do të ketë implikime të inflacionit dhe rekomandoi që të bëhet vitin e ardhshëm 2024, transmeton Portalb.mk.
“Vlerësimi i ministrit se dialogu në Këshillin Ekonomik Social (KES) për rritjen e pagave do të marrë kohë dhe se metodologjia për pagat në sektorin publik (ajo kundër së cilës janë të gjitha sindikatat) me të cilën do të vendoset rregull në pagat në sektorin publik, do të mbetet vetëm dëshirë e tij e shkretë. Deri kur qeveria do të aktrojë dialog social, deri kur qeveritarët do të flasin një gjë në KES dhe një tjetër në media dhe a do të turpërohen ndonjëherë nga fakti që i rritën pagat me 78 për qind gjatë inflacionit më të lartë, ndërsa me asgjë nuk e meritonin një rritje të tillë. A kanë të paktën një grimcë ndërgjegje kur thonë se po të rriten pagat e punëtorëve do të rritet inflacioni ndërsa mbi 1100 zyrtarë mbushin xhepat”, reagoi LSM.
Nuk ka asnjë vend tjetër në Evropë e as në botë, shton Sindikata, në të cilën zyrtarët kanë rritur pagat për 78 për qind, ndërsa rritja e vetme për punëtorët është vetëm ora e punës edhe atë për 78 për qind.
“Punëtorët në periudhën e ardhshme të bashkohen masivisht në aktivitetet e sindikatave, pasi vetëm bashkë mund të luftojmë për të drejtat tona të punës!”, kërkon LSM-ja.
Besimi, deklaratat për të cilat po reagojnë sindikatat i bëri në një takim me gazetarët, ku ka folur edhe për rritjen e pagave të zyrtarëve, që ka ndodhur me anulimin e një dispozite që ka të bëjë me llogaritjen e koeficientëve të pagave. Është mirë, tha ai, që Kushtetuta e hoqi dhe nuk e anuloi nenin e diskutueshëm.
“Është mirë që Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi nenin e kontestuar të vitit 2012 për koeficientët e pagave në vend që ta anulonte. Nëse do ta anulonte, zyrtarët do të duhej të shlyenin borxhin për gati 11 vite me kamatëvonesë”, ka thënë dje Besimi.
Ai në takim ka treguar se paga e tij nga 71.145 denarë tani është rritur në 125.960 denarë.
Së fundmi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një dispozitë të Ligjit për rrogat mbi koeficientët e rrogave me të cilën u mundësua që funksionarëve të zgjedhur publikë t’u rriten rrogat për 78 përqind. Dispozita për koeficientët e rrogave e miratuar në vitin 2012, u kontestua pranë Gjykatës Kushtetuese nga një avokat. Me të përveç funksionarëve në Qeveri janë të përfshirë edhe deputetët, kryetarët e komunave, gjykatësit dhe personat e tjerë të zgjedhur.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga Qeveria thanë se ky vendim është final dhe duhet të respektohet. Mirëpo, kjo nuk domethënë se automatikisht do të rriten rrogat e të gjithë personave të emëruar për 78 përqind.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë finale dhe duhet të respektohen, mirëpo këto vendimet nuk e ndalojnë ligjdhënësin, gjegjësisht Kuvendin që të bëjë ndryshime ligjore të cilat më pas do ti aplikojë pushteti ekzekutiv. Roli i Gjykatës Kushtetuese është që të bëjë vlerësim se a janë ligjet në pajtim me Kushtetutën, theksuan nga Gjykata Kushtetuese.
Kryetari i shtetit Stevo Pendarovski, mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, tha se Qeveria duhet të bëjë çdo gjë që është në fuqinë dhe kompetencat e saj, e kompetenca ka, që rrogat e funksionarëve prej te ai e deri ne pushtetet lokale të mbeten në nivelin e njëjtë në të cilin janë tani, me ndryshim të koeficientëve dhe rrogës bazë.