Besimi rekomandoi që rritja e rrogave në sektorin publik të implementohet prej vitit 2024

Tani nuk është koha më e volitshme për harmonizim dhe rritje të rrogave në sektorin publik sepse do të ketë implikime të inflacionit. Rritja e rrogave të implementohet prej 2024. Rrogat në sektorin publik duhet të rriten me rritjen e produktivitetit dhe nëse rriten rrogat në sektorin real, thotë ministri i financave, përcjell Portalb.mk.

Rrogë për 78 përqind më të lartë ka marrë për muajin prill ministri i financave Fatmir Besimi. Ai sot këtë e konfirmoi në një takim me gazetarët. Siç tha Besimi, rroga e deritanishme e tij ka qenë 71 145 denarë, ndërsa për muajin e fundit, prillin, ka marrë 125 960 denarë.

Besimi tha se rroga e rritur për 78 përqind u paguhet 1060 funksionarëve dhe për këtë qëllim deri në fund të vitit nga Buxheti do të shpenzohen 960 milionë denarë plotësuese.

“Mirë është që Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi nenin kontestues të vitit 2012 mbi koeficientët e rrogave në vend që ta kishte anuluar. Nëse e anulonte, funksionarëve do të duhej t’u paguhej borxh i mbetur për rreth 11 vite me kamatëvonesa”, tha Besimi.

Ministri Besimi konsideron se tani nuk është koha më e volitshme për harmonizim dhe rritje të rrogave në sektorin publik sepse do të ketë implikime të inflacionit. Rritja e rrogave të implementohet prej 2024. Sipas tij, rrogat në sektorin publik duhet të rriten me rritjen e produktivitetit dhe nëse rriten rrogat në sektorin real.

“Harmonizimi i rrogave në këshillin Ekonomiko-social do të zgjasë më gjatë, ndërsa metodologjia e rritjes së rrogave mund të miratohet më shpejt”, tha Besimi.

Së fundmi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një dispozitë të Ligjit për rrogat mbi koeficientët e rrogave me të cilën u mundësua që funksionarëve të zgjedhur publikë t’u rriten rrogat për 78 përqind. Dispozita për koeficientët e rrogave e miratuar në vitin 2012, u kontestua pranë Gjykatës Kushtetuese nga një avokat.  Me të përveç funksionarëve në Qeveri janë të përfshirë edhe deputetët, kryetarët e komunave, gjykatësit dhe personat e tjerë të zgjedhur.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nga Qeveria thanë se ky vendim është final dhe duhet të respektohet. Mirëpo, kjo nuk domethënë se automatikisht do të rriten rrogat e të gjithë personave të emëruar për 78 përqind.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë finale dhe duhet të respektohen, mirëpo këto vendimet nuk e ndalojnë ligjdhënësin, gjegjësisht Kuvendin që të bëjë ndryshime ligjore të cilat më pas do ti aplikojë pushteti ekzekutiv. Roli i Gjykatës Kushtetuese është që të bëjë vlerësim se a janë ligjet në pajtim me Kushtetutën, theksuan nga Gjykata Kushtetuese.

Kryetari i shtetit Stevo Pendarovski, mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, tha se Qeveria duhet të bëjë çdo gjë që është në fuqinë dhe kompetencat e saj, e kompetenca ka, që rrogat e funksionarëve prej te ai e deri ne pushtetet lokale të mbeten në nivelin e njëjtë në të cilin janë tani, me ndryshim të koeficientëve dhe rrogës bazë.