RMV, më shumë se pesë muaj të sëmurët nga diabeti nuk kanë shirita për matjen e sheqerit, në pritje të tenderit

Më shumë se pesë muaj të sëmurët e diabetit të cilët pranojnë terapi me insulinë, nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë marrë shirita për matjen e sheqerit në gjak. Deri te redaksia jonë, lexuesit u ankuan duke theksuar se shiritat gjatë kësaj kohe duhet që vetë t’i sigurojnë nga barnatoret me mjete private. Pasi që të sëmurët përdorin së paku nga tre shirita në ditë, ky shpenzim, i cili duhet të mbulohet nga shteti, është shumë i lartë.

Edhe nga Lidhja e Shoqatave të Diabetikëve të Maqedonisë thonë se rëndë funksionojnë pa shirita për matjen e sheqerit në gjak. Prej atje thonë se kanë arritur të sigurojnë një donacion të vogël dhe të blejnë shirita për të sëmurët më të rrezikuar, por se kjo nuk e zgjidh problemin në tërësi.

Nga Ministria e Shëndetësisë për Meta.mk thonë se “procedura për furnizim publik të shiritave dhe gjilpërave për matjen e glukozës është në fazë finale, dhe për momentin kryhet evaluimi i ofertave, pas çka do të vijojë furnizimi i tyre”.

“Shiritat janë të rëndësishme, aq sa insulina”

Dimçe Velev, kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Diabetikëve të Maqedonisë, në një bisedë me gazetarin e Portalb.mk thotë se sjellja e autoriteteve është e papërgjegjshme, pasi që thuajse gjysmë viti të sëmurët nga diabeti nuk kanë shirita për matjen e sheqerit në gjak.

“Shiritat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për menaxhimin e diabetit, aq sa është i rëndësishëm insulina. Kur nuk kemi shirita, nuk mund ta dimë se në çfarë gjendje e kemi sheqerin, nuk e dimë se sa të marrim ose shkurtojmë me insulinë ose me terapi tjetër. Përveç kësaj, shiritat janë të rëndësishme pasi që rritja e sheqerit mund të ndikojë në komplikime eventuale. Pa shirita, veçanërisht personat e sëmurë nga diabeti tip 1, defakto rëndë funksionojmë. Kemi gjetur një donacion të vogël, 360 aparate me shirita për tre muaj dhe ua kemi shpërndarë në mbarë Maqedoninë anëtarëve me rrezik të lartë”, thotë Velev.

Çdo pacient me diabet i cili është në terapi me insulinë, merr një kuti me 80 shirita për matjen e glukozës, për dy muaj. Kjo, sipas pacientëve, aspak nuk i përmbush nevojat reale, pasi që shpesh harxhohen dy-tre shirita në ditë.

“Varet prej sëmundjes, sa do të zgjatë një kuti. Personat me tip 1 duhet së paku 3-4 herë ta matin sheqerin”, thotë Velev.

Në barnatore, sipas verifikimeve tona, një kuti me 50 shirita për matjen e glukozës, mesatarisht kushton 700 denarë, që do të thotë se personat me diabet nga buxheti familjar shpenzojnë nga 1.400 denarë në muaj, për diçka që duhet ta sigurojë shteti.

Tenderi për insulinë, glukagon, gjilpëra insuline dhe shirita për matjen e sheqerit dhe pompave të insulinës me materiale shpenzuese, është shpallur në vitin 2020 për dy vjet dhe i njëjti ka mbaruar në dhjetor të vitit 2022.

Tenderi i ri, për periudhën janar 20232024, sipas të dhënave nga Byroja për Furnizime Publike, është publikuar në prill të vitit 2023, gjegjësisht katër muaj pas mbarimit të tenderit paraprak. Afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave, siç mund të shihet në të dhënat e sistemit elektronik për furnizime publike ka qenë 4 maj i vitit 2023.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit, në vend ka rreth 130.000 persona që kanë diabet, ndërkaq numri vazhdimisht është në rritje.

Kur duhej të shpallej tenderi për shirita për glukozë, ministër i Shëndetësisë ishte Bekim Sali, ndërkaq pas rikonstruimit qeveritar, në fund të shkurtit, funksionin e mori Fatmir Mexhiti.