LSDM thotë se BE pezulloi programin IPARD III, Ministria e Bujqësisë: Nuk është e vërtetë
Komisioni Evropian ka pezulluar pagesat për programin evropian IPARD III për shkak të korrupsionit nga DPMNE. Qeveria ka heshtur për këtë vendim për dhjetë ditë. Arsyeja: keqpërdorimi i parave evropiane nga qeveria, për të cilën u arrestua drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural nga radhët e DPMNE-së, akuzojnë nga LSDM-ja. NGa ana tjetër Ministria e BUjqësisë i hedh poshtë këto akuza duke thënë se LSDM përpiqet të manipulojë opinionin, transmeton Portalb.mk.
“Çështja duhet të sqarohet plotësisht dhe të gjithë të përfshirët të mbahen përgjegjës, veçanërisht ata të afërt me Mickoskin. Mickoski duhet të mbajë përgjegjësi edhe për një skandal të tillë”, thonë nga LSDM.
Ata shtojnë se pikërisht për shkak të korrupsionit të DPMNE-së, goditje e fortë i është dhënë zhvillimit të bujqësisë. Fermerët dhe agrobiznesmenët që planifikuan ose tashmë po zbatojnë investime tani do të mbeten pa para dhe pa investime, për shkak të korrupsionit të DPMNE-së, thonë nga partia.
“Skandali me programin IPARD III, me vlerë 130 milionë euro, nuk është një rast i izoluar, por pjesë e modelit më të gjerë kriminal të DPMNE-së. Ky është konfirmim i asaj që LSDM ka thënë gjatë gjithë kohës. Korrupsioni i DPMNE-së është përhapur në çdo pore të shoqërisë. DPMNE-së i interesojnë tenderët e tyre: 161 tendera për 5.3 milionë euro, 9 milionë euro për një kompani me dy punonjës. Ata nuk janë aspak të interesuar për fermerët, por për tenderët kriminalë”, thonë ng kjo parti.
LSDM kërkon hetim të shpejtë, të plotë dhe transparent, të gjithë ata që janë përfshirë në këtë skandal të madh korrupsioni duhet të mbahen përgjegjës.
Nga ana tjetër Ministria e Bujqësisë thotë se opozita, përmes komunikatave dhe deklaratave të saj, po përpiqet të manipulojë opinionin publik dhe se Komisioni Evropian nuk ka marrë vendim për suspendimin e fondeve nga programi IPARD III.
“Në takimet me përfaqësuesit e Komisionit Evropian është paralajmëruar ndërmarrja e kontrolleve shtesë në pjesën e lëndëve tashmë të përfunduara. Pas përfundimit të verifikimeve dhe kontrolleve nga institucionet kompetente, realizimi i programit IPARD III do të vazhdojë pa asnjë pengesë. Theksojmë se Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj shfrytëzimit të fondeve, gjë që dëshmohet edhe nga fakti se aktualisht, në nivel rajonal, në zbatimin e programit IPARD III kemi një shkallë shfrytëzimi prej 7,3%, që është rezultat i mirë në rajon, menjëherë pas Turqisë. Asnjë fermer nuk do të rrezikohet sa i përket shfrytëzimit të mjeteve nga programi IPARD III. Republika e Maqedonisë është partner i përkushtuar në zbatimin dhe realizimin e Programit IPARD dhe për këtë arsye u bëjmë thirrje përfaqësuesve të opozitës që të përmbahen nga komentet e pabazuara dhe dezinformatat, në interes të mbrojtjes së reputacionit të shtetit përpara institucioneve ndërkombëtare”, thonë nga Ministria.
Kujtojmë se pesë persona u arrestuan nën dyshimin për ryshfet, ndikim të paligjshëm dhe mashtrim me fondet IPARD. Sipas hetimeve, drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dyshohet se ka nënshkruar marrëveshje të kundërligjshme, duke u premtuar fonde kompanive që nuk plotësonin kriteret, në këmbim të dhuratave të majme, një prej tyre në shumën prej 50.000 eurosh. Tre ndërmjetës, mes tyre edhe zyrtarë shtetërorë, dyshohet se ushtruan ndikim të jashtëligjshëm për të mundësuar vendimin. Gjatë bastisjeve u gjetën fonde të konsiderueshme, duke konfirmuar dyshimet për korrupsion sistemik.
Ministri Tripunovski ndërkohë ka bërë të ditur se nuk do të japë dorëheqje.
- LEXO: Çka kërkonte BE nga RMV në raportin e progresit, para se të plasë skandali me fondet IPARD ?
- LEXO: Çka kërkonte BE nga RMV në raportin e progresit, para se të plasë skandali me fondet IPARD?
- LEXO: Nikollovski për fondet IPARD: 130 milionë euro të bllokuara, 3.000 biznese dhe 10.000 vende pune në rrezik