Dukshmëri e ulët për shkak të mjegullës në rrugën drejt Kodrës së Diellit

Dukshmëria e ulët për shkak të mjegullës, nga 50 deri në 60 metra, është regjistruar këtë mëngjes në aksin rrugor fshati Lisec – Kodra e Diellit, njoftojnë nga Lidhja Automoto e Maqedonisë (LAMM), transmeton Portalb.mk.

Sipas raportit të mëngjesit të LAMM-së, komunikacioni në pjesën tjetër të rrugëve shtetërore zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të thata. Nga atje u bëjnë apel shoferëve që ta përshtatin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën e vendosur dhe të drejtojnë automjetet me kujdes, veçanërisht nëpër fushëgropa, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston rreziku nga rrëshqitjet e dheut dhe gurëve. Kujdes i veçantë rekomandohet në segmentet Katalanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Në kanalin e YouTube të Shoqatës për Promovimin e Qendrave të Skijimit në Maqedoni, “Ski Macedonia“, ku transmetohen pamje drejtpërdrejt, mund të shihet se në disa qendra të skijimit po bie borë.

Nga pamjet shihet se borë e dobët po bie në Kodrën e Diellit dhe në Bistrë, ku ka edhe mjegull.

Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë“ njoftojnë se të gjitha rrugët shtetërore janë të kalueshme dhe se ekipet kujdestare janë vazhdimisht në terren për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Nga LAMM-ja rikujtojnë se nga 15 nëntori ka hyrë në fuqi obligimi ligjor për posedimin e detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete, pavarësisht kushteve aktuale atmosferike. Ky obligim do të jetë në fuqi deri më 15 mars 2027.