“Lotusi i Bardhë”: Satira e shkëlqyer me 23 nominime “Emmy”

Nëse po kërkoni një satirë brilante që është e mbushur me dramë, raporte e rrethe vicioze, humor të zi dhe tablo jete me njerëzit më të çuditshëm, atëherë ja ku e keni njërin nga serialet më të shikuara me një dramaticitet dhe humor të jashtëzakonshëm nga skenaristi dhe regjisori i njohur Mike White. Serial i përshtatshëm për pushime, por që edhe flet për pushimet e njerëzve ta pasur në ishullin e Havait në sezonin e parë dhe në Sicili në sezonin e dytë. Nëse ju ka marrë malli të qeshni me një komedi me një humor jo të zakonshëm, pasi keni shfletuar krejt materialet e përditshme në Portalb, ua sugjerojmë serialin ”Lotusi i Bardhë”.

Fotografi nga faqja zyrtare e HBO
Fotografi nga faqja zyrtare e HBO

‘’The White Lotus’’ e shfaqi premierën e sezonit të parë më 11 korrik 2021. Suksesi i serialit bëri që HBO ta rangojë atë si një serial antologjik dhe ta kontraktojë regjisorin për sezonin e dytë, i cili e shfaqi premierën më 30 tetor 2022. Në nëntor 2022 thuhej se seriali u kontraktua për një sezon të tretë, por akoma nuk është bërë asnjë njoftim zyrtar, vetëm është përfolur se sezoni i tretë do të filmohet në Tajlandë.

Seriali shumë shpejt korri suksese dhe fitoi shumë çmime. Ai u përfshi në listën e dhjetë serialeve më të mira të Institutit Amerikan të Filmit të 2021 dhe 2022 dhe mori vlerësime të ndryshme duke përfshirë dhjetë çmime Primetime Emmy dhe dy Golden Globes. Edhe sivjet është nominuar në 23 kategori në çmimet ‘’Emmy’’.

Po, për çka flet ky serial kaq i përfolur dhe i shikuar?!

Sezona e parë e serialit  përfshin aspekte politike, ndryshe nga sezoni i dytë, një parodizim i superioritetit amerikan dhe kohës së kapitalizmit që është përplot para, mister e vrasje. Të krijohet përshtypja se janë personazhë të dalë nga librat e Agata Kristit dhe ndjek po atë strukturë trileri, në fillim shtrohet krimi që ka ndodhur dhe më pas kthehet ngjarja në retrospektivë duke të mbajtur në tension për rrethanat e shkaktarët e krimit.

Hile e mirë e skenaristit për të të mbajtur gjatë gjithë kohës të angazhuar. Një serial për pushime turistësh pasanikë që e bëjnë një javë në një hotel të klasit të lartë të quajtur ‘’ White Lotus’’ herë në ishujt e havait e herë në Sicili. Janë dy grupe turistësh në dy sezone , njeri gjashtë dhe tjetri shtatë episode. Pavarësisht se çfarë duken, të gjithë janë njerëz që fshehin diçka të tmerrshme, janë të pakënaqur, egoistë, neurotikë, mendjemëdhenj, bipolarë, të mjerë dhe madje janë parazitë të vërtetë.

Në këtë ishull asgjë nuk është ashtu siç duket dhe po, fillon me një mori ngjarjesh të strukturuara me kujdes, situata absurde dhe darka kaotike plot tension që kulmojnë me vdekjen e dikujt.

Poster i serialit
Poster i serialit

Sezoni 1 – Tablo me personazhët kryesorë:

Murray Bartlett në rolin e Armond– menaxher i resortit ‘’White Lotus’’, nga kërkesat absurde dhe stresi i punës i kthehet drogës pas pesë vitesh dhe përfshihet në aferë homoseksuale

Connie Britton si Nicole Mossbacher- Një nga CEO-të femra më të suksesshme në botë

Jennifer Coolidge në rolin e Tanya McQuoid- një trashëgimtare e pasur, me çrregullime personaliteti , nëna e së cilës ia ka lënë amanet hirin t’ia derdh në oqean.

Alexandra Daddario në rolin e Rachel Patton- një gazetare e dështuar në profesion që shkon në muaj të mjaltit dhe zbulon se njeriu me të cilin është martuar është i gabuar,

Fred Hechinger në rolin e Quinn Mossbacher- djali adoleshent i Nicolit dhe Markut , një i varur nga ekrani që e humb telefonin dhe fillon të jetojë.

Jake Lacy si Shane Patton- bashkëshorti i Rachelit, i cili është një i pasur dhe arrogant i cili vazhdimisht e fyen gruan e tij për statusin social.

Brittany O’Grady si Paula, shoqja me ngjyrë e Olivia-s, raporti i tyre paraqet linjën politike te filmit

Natasha Rothwell si Belinda Lindsey– menaxhere e sjellshme dhe empatike e spa-ve të resortit, e cila zhvillon një marrëdhënie të ndërlikuar me Tanyan, duke ofruar mbështetje emocionale, por edhe duke shpresuar t’i ofroj ndihmë në biznes.

Sydney Sweeney në rolin e Olivia Mossbacher– vajza e Nicolit dhe Markut, studente në kolegj, lakmitare ndaj shoqes së saj me ngjyrë.

Steve Zahn si Mark Mossbacher– bashkëshorti i Nicolit i cili po përballet me kriza shëndetësore dhe përpiqet të kapërcejë një incident të mëparshëm tradhtie.

Poster i serialit
Poster i serialit

Sezoni 2 – Tablo me personazhët kryesorë:

 Murray Abraham në rolin e Bert Di Grasso- babai i moshuar që do ta eksplorojë Sicilinë dhe të vizitoj vendet ku është incizuar filmi më i mirë amerikan Godfather.

Jennifer Coolidge si Tanya McQuoid-Hunt- Personazh shumë i dashur nga sezoni i parë. Burri i saj përpiqet ta komplotojë që t’ia marr pasurinë, ndaj insiston në një udhëtim në Sicili.

Adam DiMarco në rolin e Albie Di Grasso- djali i sjellshëm i Dominikut, nipi i Bertit, një i sapodiplomuar në Stanford pa përvojë me femrat. Bie në dashuri me një eskort që e shfrytëzon materialisht.

Meghann Fahy si Daphne Sullivan- gruaja e Cameronit me të cilin kanë sjellë në jetë dy fëmijë. Në dukje e ëmbël por manipuluese dhe tradhtare.

Beatrice Grannò në rolin e Mias- eskort e cila ëndërron të bëhet këngëtare.

Jon Gries si Greg Hunt, bashkëshorti i paqëndrueshëm i Tanyas, të cilin e njeh në sezonin e parë

Tom Hollander në rolin e Quentin- një emigrant i pasur britanik me orientim homoseksual që jeton në Sicili

Sabrina Impacciatore si Valentina, menaxherja e rreptë e resortit ‘’ White Lotus’’. Lesbike e fshehtë.

Michael Imperioli si Dominic Di Grasso- një producent hollivudian i varur nga seksi që udhëton me babanë e tij Bertin, dhe djalin Albien. Po përpiqet përmes djalit të ndreq raportet me gruan e divorcuar.

Theo James në rolin e Cameron Sullivan- një menaxher investimesh, mashtrues, bashkëshorti i Daphne-së dhe shoku i kolegjit të Ethan-it të cilit do t’ia marr gruan.

Aubrey Plaza në rolin e Harper Spiller- avokate, gruaja e Ethanit e cila vazhdimisht ndihet inferiore

Poster i serialit
Poster i serialit

Haley Lu Richardson si Portia- asistentja e Tanyas, e cila duhet të fshihet gjithë kohës në hotel

Will Sharpe në rolin e Ethan Spiller- një sipërmarrës i pasur, burri i Harperit dhe shoku i kolegjit të Cameronit i cili gjithë jetën ka lakmuar gjërat e tij

Simona Tabasco në rolin e Lucia Greco- shoqja e Mias, eskortë sharmante dhe flirtuese

Seriali, është thjesht një kryevepër dhe ia vlen që ta shikoni këtë verë.

Salma Hayek, aktorja 56-vjeçare duke parë ndikimin e këtij seriali në botë në një intervistë të djeshme tha se do të donte të punonte me regjisorin Mike White për këtë serial, por heziton të shfaqet në serialet e HBO- së, ajo me entuziazmin më të madh u shpreh “O zot, unë dua të punoj shumë me të ‘’.

Mike White është edhe skenaristi i këtij serialit dhe producent po ashtu. Të gjitha rolet po i bën për mrekulli, në ndërkohe presim të rejat për sezonin e tretë për adhuruesit e këtij seriali.

Pushteti, imperializmi, kolonializmi, smira, xhelozia, papjekuria, tradhtia, besnikëria, pafajësia, raportet e rreme, shfrytëzimi klasik, komploti për para e shumë gjëra tjera (ç)njerëzore janë tema boshte të këtij filmi. Një raport i dijes me pushtetin që të bën të mendosh. Secili bën seks, po dashuria përse mungon?! Ky libër i jep përgjigjen më së miri Erik Fromit në pyetjen ” Të kesh apo të jesh”.