Lotaria i paguan miliona euro qira firmës së djalit të deputetit të BDI-së, Policia financiare bën hetime paraprake
Policia financiare ka hapur hetim paraprak dhe sipas njohurive të TV Telma ka marrë dokumentacion nga Lotaria shtetërore për të hetuar nëse ka parregullsi me dhënien me qira të lokalit afarist në një objekt afër Vizbegut, transmeton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për hapësira në një ndërtesë që paraprakisht shërbente për organizimin e dasmave, ndërsa të cilën Lotaria Shtetërore e ka marrë tashmë me qira nga kompania “Hej Dooel” për një shumë të madhe parash.
Ndryshe, kompania nga e cila Lotaria e ka marrë objektin me qira, lidh disa zyrtarë dhe familjarë të ngushtë të politikanëve nga BDI-ja në pushtet.
Sipas shkrimeve hulumtuese të Radios Evropa e Lirë dhe Fokus, kompania Hej Dooel ka blerë tokën dhe objektin, pas së cilës kanë lidhur kontratë qiraje me Lotarinë për 2.6 milionë euro.
Pronari aktual i kompanisë, siç raporton televizioni duke iu referuar hulumtimit, është Asmir Jahoski, pronar i “Pucko Petrol” dhe djali i ish-kryetarit të komunës së Pllasnicës dhe deputet aktual në Kuvend nga radhët e BDI-së Ismail Jahoski.
Asmir Jahoski u bë pronar i kompanisë më 17 tetor. Ai e mori pronarit të mëparshëm, Armin Mashoviq, ndërsa transaksioni, gjegjësisht ndryshimi i pronësisë në Regjistrin Qendror, është kryer dhjetë ditë më vonë, më saktë më 26 tetor. Meshoviq, megjithatë, mbetet udhëheqës i kompanisë, megjithëse nuk është më pronar i saj.
Përndryshe, marrëveshja e qirasë prej miliona dollarësh mes Lotarisë dhe Hej Dooel-it është lidhur në kohën kur Masoviq ishte pronar i kompanisë, të cilën e themeloi më 2 shkurt të këtij viti.
Mashoviq është ish-partner biznesi i Erxhan Sulkoski në Pacific Petroleum. Sulkoski nga ama tjetër, jo shumë kohë më parë (23 gusht 2023) ka qenë i lidhur në biznes edhe me Kushtrim Smajlaj, dhëndrin e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, në kompaninë “K.S.A. International”.
Adresa e vjetër e “Hej”, siç raporton Telma, deri në korrik të këtij viti është në një objekt në Karposh të Shkupit, pikërisht pranë qendrës tregtare “Leptokaria”. Në adresën e të njëjtit objekt të ndërtuar nga “Pucko Petrol” është e regjistruar edhe kompania e dhëndrit të Ali Ahmetit.
Drejtor i Lotarisë Shtetërore është Përparim Bajrami, i cili sipas opozitës është bashkëpunëtor i ngushtë dhe ish-shefi i kabinetit të zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi.
Për Grubin, akuza të tilla janë lajme të rreme. Ai pohon se Bajrami nuk ka qenë asnjëherë i punësuar në kabinetin e tij, as asistent, e aq më pak si shef.
Burime nga Policia Financiare, siç raporton Telma, nuk komentojnë pretendimet se djali i një deputeti të BDI-së është bërë pronar i një kompanie objekti i së cilës është dhënë me qira në Lotarinë Shtetërore, e cila menaxhohet nga një drejtor i emëruar nga BDI.
Kujtojmë se në gusht të këtij viti mediat raportuan se, e njëjta parti, BDI, përkatësisht ministria që udhëheq ajo, MPJ,do të transferojë 1.8 milionë euro në llogarinë e kompanisë ndërtimore “Eurovia” nga Zhelina e Tetovës, për përshtatjen e qendrës sportive “Boris Trajkovski” për konferencën e ardhshme të Këshillit Ministror të OSBE-së, e cila do të mbahet në Shkup në dhjetor të këtij viti, raportuan disa media.
Kompania, drejtor ekzekutiv i së cilës është Elmedin Ademi – i afërm i ish-ministrit nga radhët e BDI-së, Abdilaqim Ademi, është zgjedhur në mesin e katër kompanive që kanë aplikuar në tender.
Eurovia, sipas raportimeve të mediave, është edhe donatore e BDI-së.