RMV, ligji për uljen e numrit e të burgosurve nuk kaloi në Kuvend

Projektligji për amnisti nuk kaloi para deputetëve në seancën e sotme parlamentare. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se 17 deputetë kanë votuar “pro” dhe 66 deputetë kanë votuar “kundër” nga gjithsej 84 të pranishëm. Tre abstenuan. Prandaj, propozimi i Qeverisë nuk u miratua, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga sot u shpërndau deputetëve fotografi që pasqyrojnë situatën në burgje.

Ministria e Drejtësisë theksoi se me këtë ligj do të arrihet risocializimi dhe shkarkimi i kapaciteteve aktuale të institucioneve penale nga numri i tepruar i personave që vuajnë dënimin me burg. Gjithashtu, ata shtuan se me lirimin e personave të dënuar me dënime më të lehta do të parandalohet infektimi kriminal i kësaj kategorie të personave.

Që nga pavarësia e Maqedonisë janë miratuar disa ligje për amnisti, të cilat shprehin të drejtën e shtetit për falje ndaj kryesve të veprave penale. Ligji i parë për amnisti u miratua në vitin 1991, një tjetër në 1999, në 2002 dhe në 2003 (rishikuar në 2004). Dy ligje për amnisti u miratuan gjithashtu në vitin 2018. Me të parin është amnistuar një grup personash të dënuar ligjërisht me qëllim risocializimin e tyre dhe shkarkimin e burgjeve. I dyti i referohej përjashtimit nga ndjekja penale, ndalimit të procedimit penal të nisur dhe përjashtimit të plotë nga dënimi me burg të personave që dyshoheshin me arsye se kanë kryer një krim në lidhje me ngjarjet në Kuvend të 27 prillit 2017. I fundit në një seri ligjesh amnistie u miratua këtë vit për personat e dënuar (në kulmin e pandemisë COVID) me një gjobë përfundimtare për vepra penale sipas nenit 205 “Transmetimi i sëmundjeve infektive” dhe nenit 206 “Moszbatimi i rregullave shëndetësore gjatë një epidemie”.

Kujtojmë se VMRO-DPMNE-ja opozitare pati njoftuar paraprakisht se do ta bllokojë miratimin e ligjit duke dorëzuar një numër të madh të amendamenteve, ndërsa LSDM-ja paralajmëroi amendamente për të liruar nga amnistia të dënuarit në rastin “Monstra”. 

Në seancën e sotme të 129-të të Kuvendit, ndër pikat e rendit të ditës janë edhe Propozimi për interpelancë për punën e prokurorit të shtetit Ljubomir Joveski, i dorëzuar nga deputetët e opozitës, si dhe propozimi për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Interpelanca e Joveskit është pika e 13-të e rendit të ditës të seancës.

Propozuesit e interpelancës të publikuar në ueb-faqen e Kuvendit – Afrim Gashi, Izet Mexhiti, Kastriot Rexhepi, Merita Kollçi Koxhaxhiku, Safije Sadiki Shaini, Fadil Zendeli dhe Husni Ismaili – theksojnë se ajo bazohet në pretendime të rënda se Prokuroria ka fshehur fakte dhe informacione në të gjithë procedurën, në vend që të përcaktohen fajtorët kryesorë ngrihen akuza ndaj palëve të treta, për të mbrojtur, siç thonë ata, disa politikanë dhe anëtarë të elitave të biznesit, të cilët janë përfshirë në ndërtimin e spitaleve modulare gjatë pandemisë.

Ndërkohë sipas projektligjit të njoftuar për amnisti, ulja e dënimeve me burg nuk do të përfshinte të dënuarit me burgim të përjetshëm, si dhe për krimet e vrasjes, mashtrimit në zgjedhje dhe votimit, ryshfet dhe korrupsion, përdhunim dhe dhunë në familje, shpërdorim detyre apo mashtrim me para nga fondet evropiane.

Amnistia nuk do të zbatohej për të dënuarit për shpërdorim detyre. Për të dënuarit dhe të akuzuarit për shpërdorim detyre, ulje dënimi me burg parashikon një ligj tjetër, pra me ndryshimet në kodin penal, të cilat u kritikuan nga komuniteti ndërkombëtar për mënyrën se si janë adoptuar.

Aktualisht në vend janë 2.345 të dënuar, prej të cilëve 250 janë dënuar me burgim deri në 6 muaj, që do të thotë se nëse ligji miratohet do të lirohen.

Lidhur me ligje të tilla ka pasur një debat më të madh publik – nëse dënimi i autorëve të krimeve duhet të falet në emër të mungesës së hapësirës apo risocializimit më të mirë