Rekord, Shqipëria kaloi 10 milionë turistë

Nata e Krishtlindjes është përmbyllur me më shumë se 10 milionë shtetas të huaj, të cilët kanë hyrë në vendin tonë. Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet postimi të një videoje në rrjetet sociale, raporton Klan.

“Lajm i bukur! Bashkë me Krishtlindjen kaloi edhe numri 10 milionë i turistëve të huaj në Shqipëri. Një arritje fantastike e paimagjinueshme deri pak vite më parë! 10 011 500 turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë deri mbrëmë”.

Viti 2023 shënon kështu rekord në sektorin e turizmit për vendin tonë, teksa piku i fluksit të vizitave u regjistrua në muajt e Verës, kryesisht Qershor, Korrik e Gusht, për të vijuar më pas me muajt e Vjeshtës.

Më herët Kryeministri Rama ishte shprehur se pritej që turisti i 10 milionë të futej në Shqipëri më 31 Dhjetor, por duket se kjo shifër është arritur para natës së ndërrimit të viteve, duke shënuar kështu një shifër rekord për sa i përket numri të vizitorëve që hyjnë në Shqipëri përgjatë një viti.

Rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është Evropa, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore.

Numrin më të madh të vizitorëve e patën sërish shqiptarët e Kosovës, por një rritje të ndjeshme shënuan italianët, spanjollët dhe gjermanët si dhe vendet e Evropës Lindore. Nuk munguan vizitorët as nga Azia e largët.

Synimi i qeverisë për vitin e ardhshëm është që përgjatë sezonit turistik të mirëpresë 13 milionë turistë.