Prokuroria nuk ofroi prova të mjaftueshme se Miftari dhe Gjorgjievski janë fajtorë për aksidentin e Llaskarcës, thanë avokatët

Mbrojtja e të akuzuarit të dytë, Remzi Miftari i cili ka qenë përgjegjës për transportin në kompaninë “Durmo Turs” dhe mbrojtja e të akuzuarit të tretë Igor Gjeorgjievski, i cili ka qenë udhëheqës i Stacionit të Kontrollit Teknik “AMZ Gostivar” ku autobusi ka kaluar kontrollet teknike, sot para gjykatës, mohuan përgjegjësinë për aksidentin e autobusit në Llaskarcë të Shkupit në shkurt të vitit 2019-të, ku si pasojë humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan, shkruan Portalb.mk.

Në Gjykatën Penale të Shkupit me fjalët përfundimtare të të akuzuarve të dytë dhe të tretë ka vazhduar gjykimi për aksidentin e Llaskarcës. Avokatët e Miftarit dhe Gjorgjievskit, kërkuan aktgjykim lirues për të akuzuarit, ndërkaq vetë të akuzuarit thanë se nuk kanë çfarë të shtojnë, vetëm se mbështesin atë që e kanë thënë avokatët e tyre.

Suzana Abdurrahimi avokate e Miftarit, theksoi se Prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme që ta dëshmojë akuzën, gjegjësisht veprën për të cilën ngarkohet. Ajo mohoi që Miftari të ketë qenë

“Në afërsisht 200 prova verbale dhe materiale të propozuara nga Prokuroria Themelore Publike, asnjë provë e vetme nuk shkon në dobi të akuzuarit ose në ndonjë prej të akuzuarve tjerë. Por, gjithashtu asnjë provë tjetër nuk tregon se veprimet e të akuzuarit Remzi Miftari nënkuptojnë plotësim të qenies së veprës e cila i ngarkohet”, tha Abdurrahimi.

Remzi Miftari, rasti "Durmo Turs" - Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk
Remzi Miftari, rasti “Durmo Turs” – Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk

Ajo shtoi se akuza nuk jep tërësi logjike në definimin e veprimeve nga ana e të akuzuarit në këtë procedurë që të mundet të vihet në përfundim se i njëjti e ka kryer veprën.

“Të shkruhet dikush se është përgjegjës se është përgjegjës dhe nuk ka përgatitje profesionale dhe nga ana tjetër përgjegjësia kërkon shkathtësi profesionale, njohje solide të ligjit, financave, tatimeve dhe njohje të thellë të standarde të automjeteve dhe gjithçka që përfshijnë dispozitat për siguri të komunikacionit do të duhej në mënyrë solide të mbështetet me prova materiale”, tha Abdurrahimi, duke shpjeguar se Miftari nuk ka qenë përgjegjës që e ka organizuar transportin dhe këtë siç tha ajo, e dëshmojnë dhe dëshmitarët.

Avokatja e të akuzuarit të dytë, në fjalët përfundimtare gjithashtu tha se autobusi nuk ka pasur probleme teknike dhe këtë, siç shtoi ajo, e dëshmojnë edhe ekspertët të cilën e kanë përgatitur superekspertizën makinerike dhe se aksidenti ka ndodhur për arsye të shoferit.

Edhe mbrojtja e të akuzuarit të tretë, Gjorgjievski, në fjalët përfundimtare tha se nuk është fajtor për veprën për të cilën ngarkohet.

“Prokuroria me asnjë provë nuk e ka dëshmuar lidhjen shkak-pasojë mes aksidentit dhe veprën për të cilën ngarkohet i akuzuari i tretë”, thotë Tomeska, duke shtuar se Gjorgjievski nuk e ka kryer kontrollin teknik të autobusit.

Rasti "Durmo Turs" - Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk
Rasti “Durmo Turs” – Llaskarca. Foto Suad Bajrami/Portalb.mk

“Akuzuari nuk i ka kryer kontrollet teknike dhe nuk ka qenë ajo detyrë e tij”, shtoi Tomeska, duke sqaruar se ai nuk ka qenë prezent në dy kontrollet e fundit teknike të 2 korrikut të vitit 2018 dhe 18 dhjetorit të vitit 2018-të.

Në një pjesë të fjalëve përfundimtare, avokatja e Gjorgjievskit, u ndal te përgjegjësia e shoferit, i cili, sipas saj, asnjëherë nuk është ankuar për probleme në aspektin teknik të autobusit. Në lidhje me problemin e frenave, ajo tha se autobusi, ditën e aksidentit ka kaluar rreth 400 kilometra dhe me qindra herë ka frenuar.

“Asnjë prej shoferëve, e sidomos Manoili, nuk kanë lajmëruar parregullsi. Ka pasur shumë ndalesa, në pikë-pagesë, në semaforë, është ndalur për të marrë udhëtarë dhe autobusi ka frenuar mirë. Por, shoferi nuk ka frenuar (në momentin e aksidentit) – arsyeja e aksidentit sipas provave është mungesa e frenimit, shpejtësia dhe mungesa e kujdesit të shoferit”.

Seanca e radhës do të vazhdojë më 26 dhjetor me fjalët përfundimtare të mbrojtjes të akuzuarit të katërt Goran Dukovski, akuzuarit të pestë, Jane Babarovski, dhe shoferit të autobusit i cili është i akuzuari i gjashtë, Manoil Trifunovski.

Në seancën e kaluar, prokurori Darko Jakimovski, në fjalët përfundimtare tha se të gjithë të gjashtë të akuzuarit për aksidentin e “Llaskarcës” janë fajtorë, por secili e mohon dhe ia hedh fajin njëri tjetrit. Ai kërkoi që të akuzuarit të dënohen, ndërkaq përveç kësaj t’u ndalohet ushtrimi i veprimtarisë së transportit.

Pas fjalimit të gjatë dhe të detajuar të prokurorit, fjalë përfundimtare dhanë edhe avokatët e të dëmtuarve, të cilët shkurt thanë se e mbështesin plotësisht akuzën dhe kërkojnë ndjekje penale dhe dënim maksimal për të akuzuarit.

Mbrojtja e “Durmo Turs”, por edhe vetë pronari i kompanisë, Durmish Beluli, mohojnë kategorikisht fajin për aksidentin, duke hedhur fajin tërësisht te shoferi, i cili, sipas tyre, ka qenë përgjegjës për këtë aksident.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 38 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.