Na është bërë jeta ferr, kërkojmë dënim të ashpër, thanë prindërit që i humbën fëmijët në aksidentin e Llaskarcës

Të gjithë të gjashtë të akuzuarit për aksidentin e “Llaskarcës” janë fajtorë, por secili e mohon dhe ia hedh fajin njëri tjetrit. Të akuzuarit të dënohen, ndërkaq përveç kësaj t’u ndalohet ushtrimi i veprimtarisë së transportit. Kështu deklaroi sot para Gjykatës, prokurori Darko Jakimovski, në fjalët përfundimtare, për aksidentin e autobusit i cili ka ndodhur në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin humbën jetën 16 persona dhe 38 janë lënduar, raporton Portalb.mk.

Përfaqësuesi i akuzës, Darko Jakimovsk, sot para Gjykatës Penale i dha fjalët përfundimtare në lidhje me aksidentin e Llaskarcës, të cilat në masë të madhe janë po të njëjtat me qasjen dhe tezat që i ka ngritur gjatë diskutimit kryesor të gjykimit.

“Askush prej të akuzuarve nuk mohon se është fajtor, por ia hedh fajin tjetrit. Nëse analizohet mbrojtja e pesë të akuzuarve të parë, ata e shpallin fajtor të akuzuarin e gjashtë (shoferin), ndërkaq nëse shihet mbrojtja e të akuzuarit të gjashtë, del sikur fare të mos ketë pasur shofer”, tha Jakimovski, duke kritikuar shoferin se pse gjatë gjithë procesit është mbrojtur me heshtje dhe nuk e ka thënë një fjalë të vetme se pse ka ndodhur aksidenti.

Jakimovski, duke analizuar një nga një tezat e të gjithë të akuzuarve, në mënyrë të detajuar sqaroi shkaqet e aksidentit dhe rrjedhimisht fajësinë e të akuzuarve.

“Të gjitha provat e prezantuara nga Prokuroria, si ato materiale ashtu edhe verbale, mes vete plotësohen. Pas lidhjes së tyre të plotë, provat tregojnë objektiv reale për arsyet e kësaj tragjedie. Nuk ekziston asnjë provë që mund të japë zbardhje tjetër për këtë ngjarje. Në fakt, edhe provat që i ka ofruar mbrojtja, sollën pjesërisht mendime të ndryshme, por bazohen në të njëjtat fakte”, tha Jakimovski.

Sipas prokurorit, të akuzuarit nuk i kanë respektuar në vazhdimësi një sërë detyrime ligjore për sigurinë dhe aksidenti paraqet akumulim të të gjitha lëshimeve.

Prokurori i hodhi poshtë dhe superekspertizat e përgatitura në lidhje me aksidentin, duke theksuar se të njëjtat janë të mbushura me paqartësi dhe mjegullnaja, ndërkaq ekspertët e angazhuar janë kundërthënës, madje siç theksoi ai, i kanë kundërshtuar edhe tezave e tyre, të cilat vetë i kanë shkruar nëpër libra në lidhje me përllogaritjen e frenimit të autobusit dhe lëvizjen e autobusit.

Pos, ndëshkimit, prokurori kërkoi që të gjithë të akuzuarve t’u shqiptohet ndalesë për kryerjen e veprimtarisë së transportit për shkak të këtij aksidenti.

“Të akuzuarve nuk guxon t’u lejohet që në të ardhmen të merren me kësi punë. T’u shqiptohet ndalesë për kryerjen e profesionit dhe të mos lejoni asnjërin prej tyre që të ketë kontakt me komunikacionit në çfarëdolloj aspekti”, shtoi prokurori.

Familjarët mbështesin prokurorin dhe kërkojnë dënim për të akuzuarit

Pas fjalimit të gjatë dhe të detajuar të prokurorit, fjalë përfundimtare dhanë edhe avokatët e të dëmtuarve, të cilët shkurt thanë se e mbështesin plotësisht akuzën dhe kërkojnë ndjekje penale dhe dënim maksimal për të akuzuarit.

Para Gjykatës, morën fjalë edhe disa prej prindërve të cilët i kanë humbur fëmijët e tyre në këtë aksident, të cilët thanë se përgjatë këtyre pesë viteve sa zgjat ky gjykim, ata po jetojnë në ferr dhe kërkojnë drejtësi dhe ndëshkim për të akuzuarit.

“Ne fëmijët tanë nuk do t’i kthejmë, për atë jemi të vetëdijshëm edhe pse jeta jonë, e tërë familjes është transformuar në ferr. Asgjë nuk mundet ta kompensojë tragjedinë tonë, as materialisht as nuk e di çfarëdo qoftë. Të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtorë. Edhe ju keni fëmijë, të gjithë kemi fëmijë, ua lë në ndërgjegjen tuaj që me të vërtetë të sillni aktgjykim të drejtë dhe dënim të ashpër për të gjithë të akuzuarit”, tha Bllagojçe Trpevski, babai i Jovica Trpevskit, i cili ka humbur jetën në aksident.

Dënim të njëjtë kërkoi dhe Sonja Avramovska, nëna e të ndjerit Boban Avramovski.

“Kërkoj për të gjithë të akuzuarit të miratohet dënim i ashpër duke i pasur parasysh rrethanat rënduese për të gjithë me veprimet paraprake kriminale. Jeta jonë është transformuar në ferr në këto pesë vite. Me punën e tyre të papërgjegjshme dhe të paligjshme, na sollën në këtë tragjedi”, tha Avrakovska.

Jasmina Mihajllovska, e cila për shkak të aksidentit ka mbetur në invaliditet të përhershëm, tha se ajo ka fat që ka ngelur gjallë, por kërkon drejtësi për të gjithë ata që nuk e kanë pasur fatin e saj.

“Për shkak të aksidentit e kam thyer shtyllën kurrizore dhe asnjëherë nuk do të mundem të ec normalisht. Për fat të mirë mbeta gjallë. Nëse jo për mua, për ata 16 persona që nuk e kanë pasur fatin tim, kërkoj të dënohen të gjithë të gjashtë të akuzuarit”, tha Mihajllovska.

Dënim maksimal kërkoi edhe Sinisha Ristovski, vëllai i të ndjerit Dejan Ristovski, duke theksuar se fajin për aksidentin e kanë të gjithë.

“Në emrin tim dhe në emër të mbesave Bisera dhe Petra, vajzat të cilët në moshë të mitur mbetën pa babain e tyre, dhe në emër të motrës sime, nuses dhe tërë familjes tonë, tërësisht pajtohem me Prokurorinë dhe i bashkohemi aktakuzës, dhe kërkojmë që t’i dënoni më së ashpri”, tha Ristovski.

 

Avokatët Kadiev dhe Seferi: Beluli është i pafajshëm

Mbrojtja e “Durmo Turs”, por edhe vetë pronari i kompanisë, Durmish Beluli, mohojnë kategorikisht fajin për aksidentin, duke hedhur fajin tërësisht te shoferi, i cili, sipas tyre, ka qenë përgjegjës për këtë aksident.

Në fakt, mbrojtja e Belulit, bazohet në teoritë që edhe gjatë gjykimit i kanë ngritur, se shoferi fare nuk ka reaguar dhe për këtë ai është shkaktari kryesor.

“Aksidenti është shkaktuar nga shoferi për arsye se nuk ka pasur kujdes dhe për këtë askush tjetër nuk duhet të jetë fajtor”, tha avokati, Delo Kadiev, duke shtuar se nuk ka asnjëfarë lidhje shkak-pasojë të Durmish Belulit me atë çfarë akuzohet.

“I akuzuari i gjashtë, Manoil Trifunovski, shofer i autobusit, prej ditës që ka ndodhur aksidenti ka vendosur të mbrohet me heshtje. Atë, në këtë gjykatë mundëm ta dëgjojmë vetëm kur dha deklaratë duke thënë se nuk ndihet fajtor. I vetmi njeri në këtë gjykatë, i cili e di se çfarë ka ndodhur, i cili e ka mbajtur timonin në momentin e aksidentit, deklaroi se nuk ndihet fajtor. Po, është e drejtë e tij, ne nuk e akuzojmë pasi që ajo është punë e prokurorit, por neve na intereson se çfarë ka ndodhur, atë duam ta dimë”, deklaroi Kadiev.

Avokati tjetër i Durmish Belulit, Lavdrim Seferi, kërkoi që të lirohet nga akuza pronari i Durmos, pasi që ai nuk është përgjegjës për aksidentin dhe këtë e tregojnë superekspertizat e komunikacionit dhe të makinerisë.

Durmish Beluli nuk është vrasës, ai nuk është shkaktar i vdekjes së 16 bashkëqytetarëve tanë, ai nuk është fajtor për lëndimet trupore të 38 udhëtarëve tjerë. Përgjegjësinë e tij e përjashtuan superekspertizat dhe ekspertët në korrelacion me shumë prova tjera materiale dhe verbale. Durmish Beluli ndoshta nuk ka qenë menaxher ideal i transportuesit “Durmo Turs”, i cili ndoshta nuk i ka zbatuar me përpikëri nenet 13, 14, 15, 17 dhe 22 nga Ligji për Kohën e Punës së Punëtorëve Mobil të Komunikacionit të Transportit, por në çdo rast i njëjti nuk është fajtor dhe nuk mund të jetë fajtor për shkaktimin e aksidentit. Për këtë kërkojë aktgjykim lirues”, tha avokati Belulit, Lavdrim Seferi.

Edhe Beluli para Gjykatës i tha fjalët e tij përfundimtare, i cili gjithashtu, ashtu sikur avokatët e tij, tha se nuk është fajtor për aksidentin.

Seanca e radhës vazhdon më 21 dhjetor, ku mbrojtja e të akuzuarit të dytë do të vazhdojë me fjalët përfundimtare, ndërkaq më pas mbrojtja e të akuzuarve të tjerë.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 38 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.