LSDM akuzon se lirimi në rastin “Talir 2” është dëshmi e partizimit të plotë të gjyqësorit nën kontrollin e Mickoskit, VMRO shpalli fitore

Rasti “Talir 2” është konfirmim i të gjitha paralajmërimeve të deritanishme të LSDM-së dhe përgjigje e qartë se pse nuk zbatohen reformat në sistemin e drejtësisë. Ai është gjithashtu dëshmia më e madhe e partizimit të qëllimshëm dhe marrjes graduale të kontrollit mbi gjyqësorin nga pushteti: Kështu ka deklaruar zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska. Reagoi VMRO-ja, e cila thotë se rasti ishte i montuar, transmeton Portalb.mk.

Ajo tha se pas zhvillimeve në lëndën “Talir 2” qëndron një skenar i përgatitur mirë për të penguar konfiskimin e pronës së VMRO-DPMNE-së dhe për të shpëtuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski. Kuzeska iu referua pretendimeve të ish-prokurores së lëndës, Lençe Ristoska, e cila, sipas saj, ka zbuluar detaje për zvarritjen dhe shtyrjen e qëllimshme të procedurës.

“Prokuroria nuk e kundërshtoi as kërkesën e VMRO-së për shtyrjen e seancës, edhe pse prania e tyre nuk ishte e detyrueshme me ligj. Të gjitha këto shtyrje bënë që lënda të hynte në afate që praktikisht nuk i lanë kohë Gjykatës së Apelit të vendoste në mënyrë meritore. Këto janë akuza jashtëzakonisht serioze nga prokurorja që e udhëhoqi lëndën për vite me radhë. Kjo është e vërteta”, tha Kuzeska.

Ajo shtoi se edhe gjyqtarja që e ka udhëhequr rastin kishte vërejtur mospërputhje në veprimet e Prokurorisë, duke theksuar se prokurori i sapoemëruar nuk e kishte përshtatur aktakuzën me ndryshimet e reja në Kodin Penal.

“Gjithçka është e qartë si dita. Ja se si gjyqësori i kontrolluar nga Mickoski e pengoi konfiskimin e pronës së VMRO-së dhe e shpëtoi Nikolla Gruevskin. Pikërisht për këtë arsye Ristoska u largua nga lëndët dhe iu morën kompetencat. Publikisht u vunë në shënjestër gjyqtarët dhe prokurorët që punonin në ‘Talir 1’ dhe ‘Talir 2’”, deklaroi ajo.

Më tej, Kuzeska tha se pushteti e ndryshoi me qëllim prokurorin publik, duke emëruar, sipas saj, një prokurore “nga fletorja e Sasho Mijallkovit”, e njohur nga përgjimet, e cila vazhdimisht ka emëruar gjyqtarë të afërt me partinë në pushtet.

Sipas saj, rezultati përfundimtar i këtij gjyqësori të partizuar është se Nikolla Gruevski është liruar nga përgjegjësia, ndërsa prona e fituar në mënyrë kriminale mbetet në duart e VMRO-DPMNE-së.

Kuzeska vlerësoi se ky aktgjykim është prova më e fortë se, kur VMRO-DPMNE kontrollon shtetin.

Nga ana tjetër, VMRODPMNE, këtë rast e kanë konsideruar si të montuar nga LSDM-ja dhe ish-prokurorja Lençe Ristoska nga ish-PSP-ja kundër VMRO-DPMNE-së. Ata thonë se më në fund drejtësia u vu në vend.

“Përndjekja politike e pushtetit të kaluar të Venko Zaevit dhe e ish-Prokurorisë Speciale Publike (PSP), në krye me Katica Janevën, e cila përfundoi pas hekurave, si dhe e partneres së saj Lençe Ristoska ndaj VMRO-DPMNE-së, mori epilogun përfundimtar. Lençe kishte shtatë vjet për ta zgjidhur rastin, përkundrazi e futi atë në pranga politike”, thanë nga VMRODPMNE.

Ata theksojnë se drejtësia më në fund u vu në vend dhe u dëshmua se ky rast nuk është asgjë më shumë se një rast i montuar politik, i cili në atë kohë kishte qëllime të tjera, e ai ishte përndjekja e funksionarëve të VMRO-DPMNE-së për shkak të ndryshimit të emrit.

Para dy ditëve, Gjykatësja Daniela Aleksovska-Stojanovska e ka shpallur aktgjykim lirues në rigjykimin për lëndën “Talir 2”, që ka të bëjë me ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO-DPMNE-së. Fillimisht, LSDM-ja i shpëtoi pjesërisht ish-kryeministrin dhe ish-liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe Kiril Bozhinovskin, të cilët fillimisht ishin dënuar me gjashtë vite burg dhe me dënim me kusht, përmes ndryshimeve në Kodin Penal, të cilat e liruan plotësisht Bozhinovskin nga përgjegjësia penale.

Të gjitha lajmet lidhur me këto raste i gjeni KËTU.