Ligji për mbrojtje nga duhani nuk shtyhet, javën e ardhshme versioni përfundimtar do t’i dorëzohet Qeverisë së RMV-së

Ministria e Shëndetësisë njofton se Ligji për mbrojtje nga duhani nuk do të shtyhet dhe do të hyjë në fuqi menjëherë pas miratimit në Kuvend, sipas afateve ligjore. Aktualisht po finalizohet analiza e komenteve nga debati publik, pas së cilës versioni përfundimtar do t’i dorëzohet Qeverisë. Harmonizimet e bëra nuk e ndryshojnë thelbin e ligjit, i cili synon parandalimin e pirjes së duhanit tek të rinjtë dhe mbrojtjen nga pirja pasive. Ministria thotë se zbatimi me faza nënkupton vetëm një periudhë fillestare me mbikëqyrje dhe informim të shtuar, jo shtyrje të ligjit, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Shëndetësisë mbetet plotësisht e përkushtuar për miratimin dhe zbatimin e Ligjit për mbrojtje nga duhani, në përputhje me afatet ligjore. Aktualisht po finalizohet analiza e komenteve të pranuara nga debati publik në ENER, si dhe e qëndrimeve të dorëzuara nga palët e interesuara, institucionet dhe komuniteti i biznesit, pas së cilës javën e ardhshme versioni përfundimtar do t’i dorëzohet Qeverisë”, thonë nga Ministria.

Ata theksojnë se këto harmonizime nuk e ndryshojnë thelbin e ligjit. “Qëllimet mbeten të qarta dhe të pandryshuara: parandalimi i pirjes së duhanit tek të rinjtë dhe krijimi i brezave pa varësi nga nikotina, si dhe mbrojtja e punëtorëve dhe qytetarëve nga pirja pasive e duhanit në hapësira të mbyllura publike dhe të punës”.

“Sa i përket pretendimeve për “zbatim me faza”, sqarojmë se kjo nuk nënkupton shtyrje të zbatimit të tij pas miratimit në Kuvend. Ligji do të hyjë në fuqi pas miratimit, në përputhje me afatet ligjore. Faza i referohet mënyrës së zbatimit në periudhën fillestare, ku faza e parë do të përfshijë mbikëqyrje të shtuar, informim dhe paralajmërime. Qëllimi është që institucionet, subjektet e gastronomisë dhe qytetarët të përshtaten, të marrin udhëzime të qarta dhe mbështetje, si dhe kultura e respektimit të rregullave të ndërtohet në mënyrë të qëndrueshme në afat të gjatë”, thuhet në njoftim.

Projektligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit parashikon një shtrëngim drastik të politikës shtetërore ndaj pirjes së duhanit dhe produkteve të duhanit.

Përveç ndalimit të plotë të pirjes së duhanit në ambientet publike dhe të punës, projektligji i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë parashikon edhe ndalimin e reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit, rregullimin e shitjes, shfaqjes dhe ekspozimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës.