MASH sot fillon vizitat në universitete në kuadër të debatit publik për Ligjin për Arsimin e Lartë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) po fillon sot me vizita në universitetet në vend, si pjesë e debatit publik për Ligjin për Arsimin e Lartë. Sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, përfaqësues nga MASH do të takohen me të gjithë profesorët që duan të marrin pjesë në debatin publik, ku do të diskutohen nenet kontroverse të Ligjit, transmeton Portalb.mk.

Ajo dje tregoi se debati publik për Ligjin për Arsimin e Lartë nuk ka mbaruar ende dhe se Ministria pret komente zyrtare nga universitetet.

“Debati publik nuk ka mbaruar.Ende presim komente. Ne marrim komente nga ENER dhe përmes email-it, por gjithashtu presim që universitetet të paraqesin zyrtarisht komentet e tyre të integruara. Çdo gjë që ne e konsiderojmë të arsyeshme do të pranohet, dhe çdo gjë që ne e konsiderojmë se mund të paraqesë problem do të diskutohet”, thotë Janevska.

Siç shtoi ajo, disa nene të Ligjit mbeten kontroverse, të cilat ata duhet t’i diskutojnë me profesorët e universiteteve dhe të arrijnë marrëveshje.

Ministrja thotë se shteti nuk ka më kohë për rezultate mesatare dhe nën mesatare brenda procesit arsimor.

“Nuk kemi kohë të luajmë me arsimin dhe shkencën. Nuk kemi kohë për rezultate mesatare dhe nën mesatare që na sjellin në këtë situatë. Duhet të ecim përpara. Ministria mbështet progresin si ligjërisht ashtu edhe financiarisht”, tha ajo.

Zgjidhjet e reja ligjore për arsimin e lartë parashikojnë një mënyrë të re të financimit të institucioneve të arsimit të lartë, forcimin e kritereve për avancimin në titujt e fakultetit, riorganizimin e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe ndryshime në programet e studimit.

Pas përfundimit të debatit publik, do të miratohet versioni përfundimtar i Propozim-Ligjit për arsimin e lartë.