Qeveria e RMV-së analizon, por për momentin nuk planifikon të rrisë taksat për cigaret, mbrojtja nga duhanpirja “me faza”
Edhe krahas rekomandimeve të qarta nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për t’i rritur çmimet, Qeveria ende nuk ka një plan konkret nëse dhe kur do t’i rrisë çmimet e duhanit, alkoolit dhe pijeve të ëmbëlsuara. Pak kohë më parë OBSH u bëri thirrje vendeve që t’i rrisin çmimet reale të këtyre produkteve për të paktën 50 përqind deri në vitin 2035 përmes të ashtuquajturave tatime shëndetësore. Sipas OBSH-së ky veprim ka qëllim të dyfishtë: reduktimi i sëmundjeve kronike joinfektive dhe sigurimi i të ardhurave shtesë publike për sistemet shëndetësore, të cilat janë nën presion gjithnjë e më të madh, transmeton Portalb.mk.
Në pyetjet e Meta.mk për atë nëse Qeveria planifikon t’i ndjekë këto rekomandime dhe nëse rritja eventuale e çmimeve do të zbatohej gradualisht, nga Qeveria thonë se për momentin nuk ka plane konkrete.
“Të gjitha rekomandimet e organizatave ndërkombëtare relevante ndiqen dhe shqyrtohen me vëmendje të veçantë. Për momentin nuk është marrë vendim konkret për rritjen eventuale të çmimeve të duhanit, alkoolit dhe pijeve të ëmbëlsuara, e as për dinamikën e zbatimit të masave të tilla. Çdo vendim i ardhshëm do të jetë rezultat i një procesi të kujdesshëm, i cili do të përfshijë analiza shtesë, koordinim ndërsektorial dhe vlerësim të interesit publik”, thuhet në përgjigje.
Ndërkohë Qeveria ndryshoi qëndrim edhe në paralajmërimet për miratimin e propozim-ligjit të ri për mbrojtjen nga pirja e duhanit, sipas të cilit ndalohet pirja e të gjitha llojeve të produkteve të nikotinës, duke përfshirë këtu cigaret klasike, cigaret elektronike, aparatet për vape dhe aparatet për ngrohjen e produkteve të duhanit në të gjitha objektet e mbyllura hotelierike, si dhe në dhe para institucioneve publike, shkollave, kopshteve të fëmijëve, stacioneve, tregjeve dhe objekteve sportive dhe kulturore. Për të gjithë këtë është vendosur pas dialogut me “komunitetin e biznesit”.
Përndryshe propozim-ligji parasheh edhe ndalesë për pirjen e duhanit në makinë nëse në të ka fëmijë. Gjobat për qytetarët do të sillen nga 150 deri në 300 euro, ndërsa për kompanitë deri në 5.000 euro.
Duhani, alkooli dhe pijet e ëmbëlsuara nxisin epidemi të sëmundjeve joinfektive
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) para pak muajsh u bëri thirrje shteteve që t’i rrisin çmimet reale të duhanit, alkoolit dhe pijeve të ëmbëlsuara për të paktën 50 përqind deri në vitin 2035, përmes tatimeve shëndetësore.
“Iniciativa “3 deri në 35” vjen në një kohë kur sistemet shëndetësore janë nën presion të madh për shkak të rritjes së sëmundjeve joinfektive, reduktimit së ndihmës për zhvillim dhe rritjes së borxhit publik. Konsumimi i duhanit, alkoolit dhe pijeve të ëmbëlsuara nxit epideminë e sëmundjeve joinfektive. Këto sëmundje, përfshirë këtu sëmundjet e zemrës, kancerin dhe diabetin, marrin pjesë me më shumë se 75 përqind në të gjitha rasteve të vdekjes në botë. Sipas një raporti të fundit, një rritje e njëhershme e çmimeve për 50 përqind të këtyre produkteve mund të parandalonte 50 milionë vdekje të parakohshme në 50 vitet e ardhshme“, njoftuan nga OBSH.
Dr. Jeremy Farrar, ndihmës drejtor i përgjithshëm për promovimin e shëndetit dhe parandalimin e kontrollin e sëmundjeve në OBSH, tha se tatimet shëndetësore janë një nga mjetet më efikase sepse e reduktojnë konsumin e produkteve të dëmshme dhe gjenerojnë të ardhura që qeveritë mund t’i riinvestojnë në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale.
Në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2022 tatimet për duhanin i kanë rritur 140 vende, gjë që ka çuar në rritjen e çmimeve reale mesatarisht për më shumë se 50 përqind.
“Nga Kolumbia deri në Afrikën e Jugut qeveritë që vendosën tatime shëndetësore regjistruan rënie të konsumit dhe rritje të të ardhurave. Por, shumë vazhdojnë të ofrojnë lehtësime tatimore për industritë që prodhojnë produkte të pashëndetshme, duke përfshirë këtu edhe industrinë e duhanit. Krahas kësaj, marrëveshjet afatgjata të investimeve me industrinë që e kufizojnë rritjen e tatimeve mbi duhanin mund t’i minojnë seriozisht qëllimet kombëtare shëndetësore. OBSH i inkurajon qeveritë t’i rishqyrtojnë dhe t’i evitojnë përjashtimet e tilla me qëllim mbështetjen e kontrollit efikas të duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit publik“, shkruan në njoftimin e OBSH-së.
Qeveria do të vazhdojë me “implementim të butë“ pas dialogut me biznesmenët
Këshilltari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Nikolla Gërbçevski, gjatë një prezantimi në TV 21 deklaroi se implementimi do të shkojë gradualisht, fillimisht me edukim dhe vërejtje, e pastaj edhe me gjoba.
“Nuk do ta quaja tërheqje ,por do ta quaja implementim në faza sepse në dialog me publikun dhe në dialog me komunitetin e biznesit vendosëm të shkojmë me implementim “të butë”. Implementim që në fillim do të nënkuptonte vërejtje, edukim“, tha Gërbçevski.
Paraprakisht përgjegjësit në Ministrinë e Shëndetësisë përmes më shumë njoftimeve për publikun “e arsyetonin“ miratimin e Ligjit të ri për Mbrojtjen nga Pirja e Duhanit me të cilin rregullohet pirja e duhanit në hapësirë të hapur publike ku ka prani ose lëvizje të më shumë njerëzve.
“Me ligjin është paraparë rregullimi i pirjes së duhanit në hapësira të hapura publike ku ka prani ose lëvizje të shumë njerëzve. Më konkretisht bëhet fjalë për hapësirën rreth institucioneve shëndetësore, arsimore dhe sociale, eventeve publike, sportive dhe kulturore, si dhe vendeve të dedikuara për fëmijë, të rinj dhe familje. Një theks i veçantë është vendosur në lokacionet ku njerëzit realisht nuk mund ta shmangin ekspozimin ndaj tymit të cigares, si për shembull, gjatë pritjes në radhë, hapësirat në të hapur ku qëndrohet më gjatë dhe tubime të tjera publike në të hapur. Për ilustrim, njerëzit që presin në radhë për të blerë një biletë për hyrje në një institucion të fushës së kulturës ose për hyrje në një ndeshje sportive, realisht nuk mund ta shmangin ekspozimin ndaj tymit të cigares. Qëllimi i propozim-ligjit është mbrojtja e shëndetit të kësaj kategorie të popullsisë“, thuhet në një nga njoftimet e mëparshme të Ministrisë.
Në një njoftim tjetër, ku ka deklaratë të ministrit të shëndetësisë Azir Aliu, theksohet se do të rregullohet përdorimi i të gjitha produkteve të nikotinës, si cigaret klasike, cigaret elektronike (me dhe pa nikotinë), produktet e duhanit me ngrohje, produktet e nikotinës pa tym, si dhe produktet që e imitojnë pirjen e duhanit.
“Qëllimi është rregullimi i përdorimit edhe të produkteve të reja të nikotinës, duke pasur parasysh se ato krijojnë tym ose aerosole me substanca të dëmshme, ndërsa sipas hulumtimeve të fundit këto produkte shpesh më lehtë krijojnë varësi. Është paraparë edhe ndalimi i prodhimit, importit dhe shitjes së produkteve të nikotinës me shije: frutash, ëmbëlsirash, mentoli, bimore dhe shije të tjera, për të cilat konsiderohen se e lehtësojnë përdorimin e parë dhe e përshpejtojnë varësinë. Kjo është një nga masat preventive më të fuqishme edhe në vendet evropiane. Qëllimi primar i këtij segmenti të ligjit është mbrojtja e shëndetit të popullatës së re, për të cilën hulumtimet më të fundit tregojnë se në mesin e nxënësve të moshës nga 13 deri në 15 vjet gjithsej 9 përqind të tyre përdorin cigare elektronike, ndërsa 4,9 përqind e nxënësve përdorin produkte duhani me ngrohje, kurse 10,6 përqind kanë raportuar se i kanë përdorur ato me raste“, tha Aliu.
Projektligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit parashikon një shtrëngim drastik të politikës shtetërore ndaj pirjes së duhanit dhe produkteve të duhanit.
Përveç ndalimit të plotë të pirjes së duhanit në ambientet publike dhe të punës, projektligji i përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë parashikon edhe ndalimin e reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit, rregullimin e shitjes, shfaqjes dhe ekspozimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës.