Ligji për drejtorë profesional në udhëkryq: A duhet apo jo të ketë “dorë” shteti në përzgjedhjen e kandidatëve

Duhet apo jo pushteti ekzekutiv të ketë mundësi përzgjedhjeje gjatë procedurës së zgjedhjes së drejtorëve apo udhëheqësve të lartë në administratë. Kjo është pyetja që duhet të marrë përgjigje nga ekspertët, të cilët janë të ndarë për miratimin e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës– disa mbështesin versionin e parë të ligjit i cili është rigoroz dhe parasheh largim të duarve të partive, ndërkaq të tjerët e mbështetin versionin e “krasitur”, i cili krijon hapësirë që megjithatë ministri të ketë mundësi përzgjedhje, duke arsyetuar se drejtori duhet të ketë bashkëpunim me ministrin dhe përgjegjësia për punën e atij drejtori është e ministrit dhe ai bart përgjegjësi për rezultatet, shkruan Portalb.mk.

Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës, është njëri prej ligjeve kyçe për reformat në administratë. Me vite përmendet, por ende nuk është miratuar për shkak të mospajtimeve sa i përket çështjes se kush në fund do ta ketë fjalën përfundimtare të emërojë drejtor.

“Njëri prej versioneve të ligjit, thonë se që të ulet trysnia e politikanëve që të emërojnë drejtorë thonë thjeshtë, gjithçka do t’u japim mundësi që të emërojnë zyrtarë, sektori civil, ekspertëve të fushës dhe në fund të ditës ai bëhet drejtor pa dallim se institucioni pajtohet ose jo. Pra, këta thonë se kjo është e mirë dhe nuk do të ketë politizim. Politika nuk do të ketë shumë mundësi që të zgjedh drejtor. Ana tjetër e ekspertëve thotë, mirë, por çfarë do të ndodh nëse ai drejtor pa dallim se kush e zgjedh nuk jep rezultate të mira. Dhe në këtë rast kush mban përgjegjësi? Mban ministri. Tani, ministri mban përgjegjësi dhe ministri nuk ka thjeshtë mundësi që të zgjedh drejtor dhe kjo është dilema e madhe”, shpjegoi ministri Azir Aliu, gjatë takimit joformal të së enjtes me gazetarët, në lidhje me atë se pse nuk miratohet ky ligj.

Përveç meje, shtoi ministri, ekspertët kanë pasur edhe me kryeministrin, pasi që siç tha ai, ka mëdyshje nëse duhet të shkohet më tej.

“Në të dyja palët ka palogjikshmëri, në njërën se ti nuk ke qasje dhe dikush të sjellë drejtor dhe ti duhet të punosh me atë, në fund të ditës ju mua do të më pyesni pse nuk ka rezultate në ndonjë institucion, nëse është në MSHIA. E dyta thotë se mirë, por ju kishit shumë keqpërdorime, sillni drejtorë nga rruga drejt në menaxhim. Për atë, ua kemi zvogëluar këto mundësi. Duhet të gjendet ndonjë mes edhe të ketë kontroll, por gjithashtu patjetër duhet ministri të ketë mundësi të ulet me kandidatët dhe të ketë mundësi zgjedhje”, tha Aliu.

Sipas tij, ligji gjithsesi do të miratohet, por vetëm se duhet kohë që të përpunohet.

Portalb.mk paraprakisht njoftoi se për nevojën e miratimit të këtij ligji ka reaguar edhe Instituti për Demokraci Societas Civilis Shkup (IDSCS), të cilët theksojnë se ky ligj paraqet një hap para drejt zgjidhjes së përgatitja dhe miratimin e këtij ligji po zvarritet tanimë disa vite me radhë, ndërkaq përgjegjësia për këtë bartet në institucione të ndryshme.

“Zvarritja e zbatimit të ligjit sjellë deri te vazhdimi i praktikës së jotransparencës dhe emërimeve jocilësore të drejtorëve dhe udhëheqësve. Me qëllim që të ndalohet kjo praktikë, është e domosdoshme që urgjentisht të miratohet Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës dhe të zbatohet. Kuadri ligjor i papërcaktuar për momentin lejon keqpërdorim dhe shpërndarje të pozitave në procedura jotransparente, të bazuara në përkatësi partiake dhe marrëveshje koalicioni. Kjo rezulton me joefikasitet të institucioneve dhe e pengon dërgimin cilësor dhe në kohë të shërbimeve deri te qytetarët”, thuhet në reagim.

Komisioni Evropian në raportin e progresit për vitin 2023 për Maqedoninë e Veriut rikujton se procesi për miratimin e këtij ligji ka filluar 5 vite më parë, por ende nuk është miratuar.

“Pavarësisht se ka filluar procesin 5 vjet më parë, vendi ende nuk e ka miratuar kuadrin e rishikuar legjislativ për menaxhimin e burimeve njerëzore , i cili përfshin ligjin e rishikuar për nëpunësit administrativë dhe ligjin për punonjësit e sektorit publik dhe dispozitat e reja ligjore për shërbim të lartë udhëheqës”, thuhet në raportin e KE-së.

Ata e kanë nënvizuar si detyrë të veçantë miratimin dhe zbatimin e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, meqenëse ky rekomandim nuk është përmbushur gjatë viteve të kaluara.

Ndryshe, Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqëspremtohet prej vitit 2018-të nga katër ministra me radhë duke filluar nga Damjan Mançevski, pastaj Jeton Shaqiri dhe Admirim Aliti dhe në fund nga Azir Aliu. Ligji në parim, ka për qëllim ndryshim rrënjësor në procedurën e zgjedhjes dhe emërimit të funksionarëve të lartë, për të shmangur ndikimet politiko-partiake dhe duke i dhënë prioritet meritokracisë. Ligji zvarritet me vite dhe nuk miratohej, për shkak se partitë politike nuk kanë pranuar të mbështesin një ligj i cili do “t’ua lidhte duart” në zgjedhjen dhe emërimin e funksionarëve të lartë. MSHIA, ka përgatitur version të ri, i cili është “krasitur” dhe është bërë i pranueshëm, por ky version cilësohet se është skandaloz, pasi që me këtë do të legalizohet ndikimi partiako-politik

Portalb.mk, ka analizuar dy versionet e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, atë të vitit 2019-të (i cili parashikonte ndryshime më serioze dhe kufizonte ndikimin partiak) dhe atë të vitit 2023 (i cili parashikon masa të zbutura dhe lejon ndikimin partiak). Ajo çfarë pamë është se versioni i fundit është larg premtimit për departizim apo siç deklaronte Mançevski, “ndryshimit tektonik në mënyrën e përzgjedhjes së njerëzve në poste të larta drejtuese”. Për këtë sektori civil dhe anëtarët e Komisionit për Parandalim të Korrupsionit patën vërejtje serioze, të cilat autoritetet duhet t’i marrin parasysh.