Pavarësisht urgjencës, vazhdon zvarritja e miratimit të Ligjit për drejtorë profesional, i cili premtohet prej vitit 2018-të

Pavarësisht nevojës urgjente për miratimin e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, kanë kaluar katër muaj nga debati publik prej kur Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) në bashkëpunim me Sekretariatin e Qeverisë e prezantuan variantin e “krasitur” të ligjit, por i njëjti ende nuk është gati për miratim. Nevoja për miratimin e këtij ligji u theksua dhe në raportin e Komisionit Evropian për RMV-në, ndërkaq sektori civil kujton që ligji duhet të miratohet para shpërndarjes së Kuvendit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shkruan Portalb.mk.

Ligji që parashikon ndryshim rrënjësor në procedurën e zgjedhjes dhe emërimeve të funksionarëve të lartë, për të shmangur ndikimet politike-partiake dhe për t’i dhënë prioritet meritokracisë ende nuk është gati për miratim, pavarësisht nevojës urgjente për miratimin e këtij ligji.

Nga MSHIA na brifojnë se ky ligj është dërguar në Qeveri, por ende nuk është vendosur në sistemin elektronik të ligjeve ku çdo qytetar ka qasje që të shohë përmbajtjen e tij.

“Janë marrë parasysh vërejtjet e palëve, ndërkaq ligji gjithsesi do të vendoset në ENER para se të miratohet në Qeveri”, brifojnë shkurt për Portalb.mk nga MSHIA.

Por, kanë kaluar katër muaj prej kur, MSHIA në bashkëpunim me Sekretariatin e Qeverisë organizuan prezantimin dhe debat për propozim-ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, i cili premtohet prej vitit 2018-të, por assesi të miratohet për shkak të mungesës së vullnetit politik.

Për nevojën e miratimit të këtij ligji ka reaguar edhe Instituti për Demokraci Societas Civilis Shkup (IDSCS), të cilët theksojnë se ky ligj paraqet një hap para drejt zgjidhjes së përgatitja dhe miratimin e këtij ligji po zvarritet tanimë disa vite me radhë, ndërkaq përgjegjësia për këtë bartet në institucione të ndryshme.

“Zvarritja e zbatimit të ligjit sjellë deri te vazhdimi i praktikës së jotransparencës dhe emërimeve jocilësore të drejtorëve dhe udhëheqësve. Me qëllim që të ndalohet kjo praktikë, është e domosdoshme që urgjentisht të miratohet Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës dhe të zbatohet. Kuadri ligjor i papërcaktuar për momentin lejon keqpërdorim dhe shpërndarje të pozitave në procedura jotransparente, të bazuara në përkatësi partiake dhe marrëveshje koalicioni. Kjo rezulton me joefikasitet të institucioneve dhe e pengon dërgimin cilësor dhe në kohë të shërbimeve deri te qytetarët”, thuhet në reagim.

Ata rikujtojnë se komuniteti ndërkombëtar ndër vite e thekson nevojën e departizimit dhe investimit në kapacitetet e administratës publike.

“Ligji duhet të sigurojë kuadrot më cilësor të cilët do të udhëheqin me institucionet dhe të parandalohet tregtia partiake. Për atë, tani është koha e duhur për të bërë përpjekje dhe të miratohet Ligji për Shërbim të Lartë udhëheqës, para shpërndarjes së Kuvendit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Me Ligjin do të kufizohen pozicionet politike nga ato menaxheriale në institucionet, do të vendoset mekanizëm për seleksionim të udhëheqësve bazuar në merita dhe do të sigurojë efikasitet më të madh të punës së institucioneve”, reagojnë nga IDSCS.

Komisioni Evropian në raportin e progresit për vitin 2023 për Maqedoninë e Veriut rikujton se procesi për miratimin e këtij ligji ka filluar 5 vite më parë, por ende nuk është miratuar.

“Pavarësisht se ka filluar procesin 5 vjet më parë, vendi ende nuk e ka miratuar kuadrin e rishikuar legjislativ për menaxhimin e burimeve njerëzore , i cili përfshin ligjin e rishikuar për nëpunësit administrativë dhe ligjin për punonjësit e sektorit publik dhe dispozitat e reja ligjore për shërbim të lartë udhëheqës”, thuhet në raportin e KE-së.

Ata e kanë nënvizuar si detyrë të veçantë miratimin dhe zbatimin e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, meqenëse ky rekomandim nuk është përmbushur gjatë viteve të kaluara.

Ndryshe, Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës, premtohet prej vitit 2018-të nga katër ministra me radhë duke filluar nga Damjan Mançevski, pastaj Jeton Shaqiri dhe Admirim Aliti dhe në fund nga Azir Aliu. Ligji në parim, ka për qëllim ndryshim rrënjësor në procedurën e zgjedhjes dhe emërimit të funksionarëve të lartë, për të shmangur ndikimet politiko-partiake dhe duke i dhënë prioritet meritokracisë. Ligji zvarritet me vite dhe nuk miratohej, për shkak se partitë politike nuk kanë pranuar të mbështesin një ligj i cili do “t’ua lidhte duart” në zgjedhjen dhe emërimin e funksionarëve të lartë. MSHIA, ka përgatitur version të ri, i cili është “krasitur” dhe është bërë i pranueshëm, por ky version cilësohet se është skandaloz, pasi që me këtë do të legalizohet ndikimi partiako-politik

Portalb.mk, ka analizuar dy versionet e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, atë të vitit 2019-të (i cili parashikonte ndryshime më serioze dhe kufizonte ndikimin partiak) dhe atë të vitit 2023 (i cili parashikon masa të zbutura dhe lejon ndikimin partiak). Ajo çfarë pamë është se versioni i fundit është larg premtimit për departizim apo siç deklaronte Mançevski, “ndryshimit tektonik në mënyrën e përzgjedhjes së njerëzve në poste të larta drejtuese”. Për këtë sektori civil dhe anëtarët e Komisionit për Parandalim të Korrupsionit patën vërejtje serioze, të cilat autoritetet duhet t’i marrin parasysh.