Lidhja Shqiptare: Qeveria aktuale i sulet arsimit shqip, do të na kthejë në vitet e 90-ta
Lidhja Shqiptare, ka reaguar në lidhje me vendimet e fundit kokë në vete të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe deklaratat e saj publike në të cilat vërehet qartë tendenca për të injoruar Badenterin dhe të sjellë ligjet për arsim sipas qejfit të tyre, dëshmojnë qartë hovin e Qeverisë aktuale kundër arsimit në gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.
Nga Lidhja Shqiptare, në reagimin e tyre ndaj ministres Janevska, thonë se fillimisht pa debat publik, pa konsultim me ekspertë dhe autoritetet lokale dhe pa një analizë të mirëfilltë, vetëm me vendim të ministres është ulur numri i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në të gjitha komunat shqiptare.
“Pas kësaj, Janevska informoi se ka reduktuar numrin e studentëve që do të pranohen në disa fakultete me arsyetimin se ka shumë kuadro që nuk punësohen. Ndërkohë kujtojmë se kjo Qeveri në praktikë ka bllokuar punësimin e të rinjëve shqiptarë, propozon ligj për përfaqësim të drejtë që eliminon kuotat etnike dhe krimin e vet tani e përdor edhe si alibi për të mbyllur katedra e fakultete. Edhe më skandaloze është deklarata për të sjellë ligjet për arsim të lartë pa Badenter që në gjuhën e thjeshtë përkthehet ‘pa i pyetur shqiptarët’. Këto veprime nuk çojnë askund tjetër vetëm se në vitet e 90-ta kur pushteti njëjtë ndalonte ndërsa shqiptarët kërkonin shkolla shqipe, fakultetin pedagogjik dhe universitetin në gjuhën amtare, për çka kemi edhe dëshmorë”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare.
Nga atje kanë shtuar se e gjithë kjo po ndodh me aminin, heshtjen dhe vasalitetin e të përzgjedhurve shqiptarë të Mickoskit në qeveri.
Ndaj ministres së Arsimit dhe Shkencës, ka reaguar edhe BDI-ja. Gjithashtu edhe sipas BDI-së, deklaratat e Janevskës përbëjnë sulm të drejtpërdrejt ndaj Badenterit.
Kujtojmë, se votimi i dyfishtë ishte zgjidhja më origjinale e Marrëveshjes së Ohrit. Ai kërkon që ligjet mbi kulturën, gjuhën, arsimin, dokumentet personale dhe simbolet të miratohen edhe me shumicë të deputetëve joshumicë të pranishëm, duke u dhënë atyre praktikisht të drejtë vetoje.
Në praktikë, ky mekanizëm nuk është një formulë e vetme, por tri formula të ndryshme me prag dhe fushëveprim të ndryshëm, dhe kjo hapësirë interpretimi po keqpërdoret. Lista e fushave që kërkojnë votim të dyfishtë në Kuvend nuk përkon me listën përkatëse në nivel komunal. Arsimi është shembulli më i dukshëm: ai mbrohet nga procedura kur për të vendoset në qeveri, por jo kur për të vendoset në komunë, edhe pse kompetencat arsimore u bartën te komunat që në vitin 2005. Vendimet buxhetore, përfshirë investimet kapitale, mbeten tërësisht jashtë mekanizmit të Badinterit, ndonëse pikërisht shpërndarja e fondeve mes komunave është një nga problemet më të mëdha në vend.
Me rishikimin e Badinterit në vitin 2015 u planifikuan tri korrigjime më të mëdha dhe u rekomandua formimi i një grupi ekspertësh. Njëmbëdhjetë vjet më vonë, asnjëra nuk është ndjekur dhe grupi nuk është formuar.