Lëvizja Besa për Kodin Penal: Skandalet në sistemin gjyqësor nuk kanë të ndalur (VIDEO)

Pushteti qendror në RMV ndikon dhe degradon gjyqësorin në kundërshtim me vlerat dhe parimet themelore të drejtësisë duke ndërhyrë në Kodin Penal. Në procedurë të shpejtë duke e keqpërdorur të gjitha standardet dhe praktikat e mira parlamentare si dhe duke keqpërdorur flamurin evropian, kjo qeveri ditë më parë miratoi ndryshimet e Kodit Penal me të cilat parashihet ulje drastike e dënimit me burg për bartësit e funksioneve publike në rast të gjykimit të tyre për shpërdorim të detyrës zyrtare. Kështu kanë reaguar sot nga partia opozitare Lëvizja Besa në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal, transmeton Portalb.mk.

Ndryshimet e Kodit Penal, sipas Lëvizjes Besa, jo vetëm që janë në kundërshtim me vlerat demokratike të një gjyqësori të mirëfilltë por gjithashtu inkurajojnë krimin dhe korrupsionin. 

“Nga ana tjetër vlen të theksohet se me këto ndryshime të Kodit Penal rrezikohet që një numër i madh i lëndëve gjyqësore të cilat janë proceduar nga Prokuroria Speciale të parashkruhen apo të vjetërsohen edhe atë: Titanik, Target/Fortesa, TNT, Titanik 2, Thesari, Talir dhe Trajektorja, ndërkaq të akuzuarit në këto lëndë gjyqësore t’i ikin përgjegjësisë penale për veprat e tyre në dëm të buxhetit të shtetit dhe qytetarit”, tha Fatmir Sabriu nga Lëvizja Besa.

Ai shtoi se Lëvizja Besa si subjekt politik shpreh shqetësime serioze lidhur me këto ndryshime të Kodit Penal sidomos kur shohim se këto ndryshime jo vetëm që inkurajojnë krimin dhe korrupsionin por gjithashtu janë edhe në kundërshtim me vlerat e një demokracie të mirëfilltë dhe interesin strategjik të vendit tonë.

“Një konstatim i tillë vërtetohet edhe nga deklarata e Departamentit Amerikan të Shtetit të cilët ashpër reaguan ndaj këtyre ndryshimeve të Kodit Penal. Të njëjtën porosi e përçuan edhe shumë organizata jo-qeveritare ndërkombëtare dhe nacionale nga sfera e drejtësisë të cilat mes tjerash potencojnë se këto ndryshime janë në kundërshtim me përkushtimin për luftë të pakushtëzuar kundër korrupsionit dhe për forcimin e sanksioneve ndaj personave të dënuar për vepra korruptive”, tha mes tjerash Sabriu duke shtuar se LSDM dhe BDI çdo ditë sjellin nga një skandal korruptiv.

Ndryshimet në Kodin Penal që amnistojnë krimet e funksionarëve të Maqedonisë së Veriut pasi morën nënshkrimin e presidentit Stevo Pendarovskit u publikuan në “Gazetën Zyrtare” dhe do të hynë në fuqi pas ditës së tetë pas publikimit të tyre, gjegjësisht javën e ardhshme.

Rikujtojmë se Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.

Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.