Ligji për kazinot ‘fle’ në Kuvend, BDI: Izet Mexhiti e mashtroi popullin

Bastoret dhe kazinotë vazhdojnë të qëndrojnë shumë afër shkollave. Propozim-ligji për lojërat e fatit me të cilin kazinot parashihen të mos lejohen pranë shkollave po zvarritet edhe pas zgjedhjeve lokale. Kuvendi ende nuk e ka miratuar, ndërsa nuk tregojnë se kur do miratohet i njëjti. Lidhur me këtë problem sot reagoi BDI, thonë se Izet Mexhiti i mashtroi qytetarët, raporton Portalb.mk.

Fillimisht u tha se ky propozim-ligj do vendosej në rend dite në shtator 2025 por nuk u bë, ndërsa më pas u tha se pasi të përfundojë periudha zgjedhore, por as kjo nuk ndodhi.

Nga Kuvendi i RMV-së nuk tregojnë se pse nuk është vendosur në rend dite deri tani propozim-ligji dhe kur do të bëhet e njëjta.

Lidhur me kazinot, sot kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Ata thonë se Izet Mexhiti premtoi se do t’i mbyllte kazinotë në Maqedoninë e Veriut, por nuk e ka bërë të njëjtën.

“Lufta kundër këtij fenomeni u bë kryefjala e angazhimit të tij politik dhe premtimi kryesor që përsëritej disa herë në ditë. Sot, kur ai është në pushtet qendror dhe lokal, ky premtim dhe kjo besë e dhënë janë harruar. Kazinotë funksionojnë lirshëm, pa asnjë pengesë, dhe vazhdojnë të rrjepin xhepat e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Jo vetëm që nuk janë mbyllur, por ato vazhdojnë të zgjerojnë biznesin e tyre edhe në Çair, komunën që udhëhiqet nga vetë Izet Mexhiti”, thanë nga BDI.

Ata shtojnë se është tallje me qytetarët pasi Mexhiti rehatoi një nga të afërmit e tij në Lotarinë e Maqedonisë, duke i dhënë post në bordin drejtues.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së  Veriut më 16 korrik 2025 e miratoi këtë propozim-ligj, ndërsa më 7 gusht e dorëzuan në Parlament.

Për këtë ligj, opozita vazhdimisht ka akuzuar se qeveria mashtron qytetarët dhe se në praktikë kjo nuk do të zbatohet ashtu siç ata e promovojnë dhe se gënjejnë popullin. 

Thelbi i ndryshimeve definohet në nenin 24, me të, kazinotë dhe klubet e lojërave të fatit që kanë makina video llotarie është paraparë të vendosen të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme. 

Dispozitat ligjore pritet të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2027.

Duke pasur parasysh se nuk i rendit ato si përjashtim, dispozita do të zbatohet edhe për kazinotë e vendosura brenda hoteleve, të cilat ndodhen gjysmë kilometri larg institucioneve arsimore. 

Për dallim nga kazinotë dhe klubet me aparate, ndryshimet i përjashtojnë pikat e basteve, të cilat nuk do të duhet të zhvendosen dhe do të mbeten në vendet e tyre ekzistuese. 

Ndaj ndryshimeve në industri reagoi Shoqata e Organizatorëve të Basteve Sportive të Maqedonisë, duke kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga zgjidhja ligjore. 

Përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur disa herë në të kaluarën, përfshirë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme LSDM–BDI. 

Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme. 

Kjo ishte përpjekja e dytë për të miratuar një zgjidhje ligjore pasi ligji u miratua nga deputetët më 7 shkurt, por Presidenti i atëhershëm i vendit, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin.