Mexhiti: Mes meje dhe Kasamit do të zgjidhet lideri i ri i VLEN-it

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti sot gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Drejtpërdrejt” në TV Telma deklaroi se mes tij dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami do të zgjidhet lideri i ri i VLEN-it, raporton MIA.

“Këtu diku është. Ai është më shumë faktor në Tetovë, unë në Shkup. Këto janë dy qytete kryesorre ku janë të koncentruar shqiptarët dhe prandaj po punojmë në zgjidhje kreative. Ka më shumë zgjidhje mes partive në Evropë, po shqyrtojmë modele nga Gjermania”, tha Mexhiti.

Pas fitores në zgjedhjet lokale, koalicioni VLEN ndodhet përballë një vendimi thelbësor, kush do të jetë lideri? Në opinion kanë nisur të qarkullojnë emrat e Bilall Kasamit nga Lëvizja Besa dhe Izet Mexhitit nga Lëvizja Demokratike, ndërsa vetë koalicioni ende nuk ka vendosur për këtë.

Ndonëse pjesëmarrës në këtë koalicion janë më shumë subjekte, pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, dy emrat që përfliten për liderë të VLEN-it janë Izet Mexhiti i Lëvizjes Demokratike dhe Bilall Kasami i Lëvizjes Besa. 

Si Kasami, ashtu edhe Mexhiti thonë se nuk e kanë problem se cilido të bëhet lider.