BOTA E HIJEVE

Pasi bota u shndërrua në Disneyland, tash duan të na bindin se jemi vetëm reflektime ose dytësorë; se jetojmë në sisteme paralele; se bota jonë është shajni.

Në botën e hijeve po bëhemi më vetmitarë; më shumë bisedojnë me hije sesa me njerëz; më shumë mendojnë si do të shfaqemi sesa si jemi në të vërtetë.

Jetojmë në botën ku duan të na bindin se mund të jetojmë pa poezi dhe pa asgjë transcedentale. Por një botë e tillë është shkretëtirë e padurueshme, një labirint mizor, pa ëndrra dhe pa iluzione.

Askush nuk më bind se nuk jetoj në botën reale, ku nuk mungon dhe nuk përjashtohet prekja njerëzore, dashuria, miqësia, dhembshuria, malli, por edhe virtytet e veset, që na shoqërojnë.

Besoj në ekzistencën e botës së krijuar nga Zoti dhe jo në botën e shpikur nga djalli.

Nuk besoj se bota (kjo perlë e gjithësisë) dhe njeriu (si perlë e kësaj perle) janë krijuar rastësisht nga kombinimi i proceseve fizike e kimike.

Zoti e krijoi këtë përsosmëri dhe njerëzve u dha vullnetin e lirë, pra mundësinë e zgjedhjes për të mbetur të virtytshëm ose për t’u shndërruar në përbindësha.

Jetën e dhënë s’kanë të drejtë të na cenojnë ata që bëjnë marrëzi të ndryshme në emër të ideologjive.

Duhet të jemi mirënjohës që ekzistojmë në këtë botë, në këtë perlë hyjnore. Si mund të kaloj pranë një peme pa e parë ose pranë një njeriu pa e dashur, thotë një personazh i Dostojevskit.

Kjo ndjesi e brendshme na nxit të bëjmë edhe vepra të mira për të tjerët, pa menduar vetëm për dobinë tonë.

E sipërthëna mund të duket si ligjërim moralizues, por, më shumë se kurdoherë, ne kemi nevojë për ndjenjën e dhembshurisë në një botë që dehumanizohet vazhdimisht. Përndryshe, do të shkojmë së bashku në dreq të mallkuar.

Jorge Luis Borges tha: “Nuk jam i sigurt nëse ekzistoj, në të vërtetë. Unë jam të gjithë shkrimtarët që kam lexuar, të gjithë njerëzit që kam takuar, të gjitha gratë që kam dashur; të gjitha qytetet që kam vizituar”.

Borges-i nuk mohon ekzistencën e botës reale, por na kujton se njerëzit janë produkte të kulturës dhe të ndërveprimit me të tjerët; se njeriu nuk është ishull i izoluar, por mozaik i ndërtuar nga leximet, përvojat, takimet dhe dashuritë që ka përjetuar.

Nuk ekzistojmë vetëm për veten. Jetojmë bashkë me ata që kanë ikur, të cilët i kujtojmë; me të gjallët që na plotësojnë; por edhe për ata që ende nuk kanë ardhur, të cilët duam të na kujtojnë dhe të jenë mirënjohës për veprat e mira që do të bëjmë për ta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.