Nëse nuk ka marrëveshje për VLEN-in, Gashi do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit

Kryetari i Kuvendit megjithatë shpreson se do të arrihet marrëveshje që VLEN të shndërrohet në parti, së bashku me parimet edhe të partive të tjera të koalicionit. Në të kundërtën, Alternativa nuk do të jetë partnere koalicioni e partisë VLEN dhe ai do të japë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të Kuvendit, raporton TV21.

Gjatë transformimit të koalicionit VLEN në parti, dy parime janë kyçe – barazia dhe vendimmarrja konsensuale, vlerëson kryetari i Kuvendit dhe ish-lideri i Alternativës, Afrim Gashi. Kjo do të thotë se Alternativa nuk pajtohet me ofertën e liderëve të Besës dhe të Lëvizjes Demokratike, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti në VLEN, që ajo të transformohet nga koalicion në parti, të ketë dy kryetarë, ndërsa partitë e tyre të kenë nga 35 për qind përfaqësim në organet partiake të VLEN-it, ndërsa 30 për qind e mbetura t’i ndajnë Alternativa, fraksioni i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Arben Fetai, pastaj “Vetëvendosje” e përfaqësuar përmes Bekim Qokut dhe Lëvizja Arbëria. Nëse të gjithë i marrin parasysh këto qëndrime, Gashi megjithatë shpreson se do të arrihet marrëveshje që VLEN të bëhet parti. Në të kundërtën, ai është i prerë se Alternativa nuk do të jetë partnere koalicioni e partisë VLEN dhe në atë rast do të japë dorëheqje nga funksioni i kryetarit të Kuvendit.

Kundër ofertës për bashkëkryesi të Kasamit dhe Mexhitit në partinë VLEN është edhe fraksioni i ASH-së i udhëhequr nga Fetai.

“Sloboden Peçat” ekskluzivisht publikoi se Kasami dhe Mexhiti kanë rënë dakord për bashkëkryesi, përkatësisht se janë marrë vesh që partia e ardhshme të ketë dy kryetarë dhe përfaqësim të barabartë prej nga 35 për qind në organet partiake.

“Kryetari aktual i Alternativës, Bekim Sali, e ka mbështetjen time të plotë që të vendosë si mendon se është më mirë për partinë. Dua t’ju siguroj se po bisedojmë dhe po përpiqemi të gjejmë mënyrën më të mirë se si të bashkohet VLEN-i, që kjo të ketë efekte pozitive jo vetëm për partitë e caktuara politike dhe për spektrin politik shqiptar, por në përgjithësi – për stabilizimin e nomenklaturës partiake në shtet. Kur në një bllok ka disbalancë, ka shumë parti, kjo reflektohet edhe te pala tjetër dhe në marrëdhëniet për formimin e qeverisë. Mendoj se duhet ta tejkalojmë fazën e atomizimit të partive, duhet të shkojmë drejt konsolidimit”, tha Gashi në një brifing me gazetarët.

Ndryshe, Lëvizja Besa më 12 shkurt mori vendim për shkrirjen e organeve partiake në koalicionin VLEN, ndërkohë e autorizoi liderin Bilall Kasami për zhvillimin e bisedimeve rreth shndërrimit të koalicionit VLEN në parti. Ky vendim është pritur mirë nga lideri i LD-së, Izet Mexhiti. Ky i fundit është që VLEN të ketë dy kryetarë.

Gjithçka ka ngecur te zgjedhja e liderit, pasi janë 4 kryetarë partishë brenda koalicionit. Përfliten disa opsione, si rotacion njëvjeçar të kryetarit, opsioni me bashkëkryetar, por edhe opsione tjera. Brenda VLEN tashmë janë 6 subjekte: LD, BESA, AAA, ASH-Fetai, VV dhe Arbëria.

Ndryshe, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti më 25 nëntor të vitit 2025 gjatë pjesëmarrjes në emisionin “Drejtpërdrejt” në TV Telma deklaroi se mes tij dhe kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami do të zgjidhet lideri i ri i VLEN-it. Si Kasami, ashtu edhe Mexhiti thonë se nuk e kanë problem se cilido të bëhet lider.