Lidhje familjare, biznese dhe miliona euro të kontestuara, çfarë fshihet pas studimit për partneritetin publiko-privat për objektin e Komunës së Tetovës?
Studimi për objektin e ri të Komunës së Tetovës nën dyshime: Lidhje familjare, kosto të kontestuara dhe pronë publike për privatin
Vëllai i bashkëpronarit të kompanisë që po e ndërton objektin shtesë të Komunës së Tetovës, përmes një kompanie në pronësi të nuses së djalit të tij, e ka përgatitur studimin e fizibilitetit për partneritetin publiko-privat për ndërtimin e një objekti tjetër administrativ-komercial të komunës, me vlerë të parashikuar prej 28,5 milionë eurosh. Në studimin që është përgatitur për një muaj, janë evidentuar mospërputhje prej 3,95 milionë eurosh në përllogaritjen e kostove gjë që ngjalli dyshime në publik se vlera e investimit është fryrë me qëllim të vjedhies, dhe se partneriteti publiko-privat rrezikon t’i shërbejë interesit privat në dëm të pronës publike.
Sipas modelit të rekomanduar, komuna do të kontribuojë me tokën dhe objektin ekzistues, do të paguajë rreth 7,77 milionë euro për një pjesë të ndërtesës së re, ndërsa 40% e saj do t’i mbetet investitorit privat. Hulumtimi i Portalb.mk nxjerr në pah edhe lidhje familjare e afariste mes përpiluesit të studimit, kompanisë që bashkëpunon me komunën dhe një familjari të kryetarit të komunës, Bilall Kasami, duke ngritur pikëpyetje për konflikt interesi dhe transparencën e procedurës.
Më 14 tetor, Komuna e Tetovës e propozoi miratimin e “Studimit të fizibilitetit për partneritet publiko-privat për ndërtimin e objektit administrativ komercial për Komunën e Tetovës”, i cili shkaktoi paqartësi të mëdha dhe dyshime për keqpërdorime financiare, lidhje të afërta biznesore dhe dëm të interesit publik në favor të atij privat.
Më poshtë do t’i trajtojmë një nga një të gjitha.
Çfarë parashikon studimi i fizibilitetit për partneritetin publiko-privat?
Komuna e Tetovës planifikon ndërtimin e një kompleksi të ri administrativ-komercial përmes partneritetit publiko-privat, me vlerë të parashikuar prej 28,5 milionë eurosh. Në kompleksin e ri parashihet të vendosen administrata komunale, ndërmarrjet publike dhe Njësia Territoriale e Zjarrfikësve, ndërsa një pjesë e hapësirave do të ketë destinim afarist dhe komercial.
Studimi i fizibilitetit, i përgatitur gjatë muajit të fundit, analizon tri alternativa për realizimin e projektit, prej të cilave alternativa e tretë vlerësohet si më e favorshmja.
Objekti planifikohet të ndërtohet në lokacionin ku aktualisht ndodhet Njësia e Zjarrfikësve, në parcelën kadastrale 4711/1, KK Tetovë 2, me sipërfaqe prej rreth 6.768 metrash katrorë.
Sipas studimit, kompleksi do të ketë sipërfaqe të përgjithshme bruto prej rreth 14.392 metrash katrorë, me përdhes dhe tre kate. Parashihen hapësira administrative, zyra, salla mbledhjesh, sportele për shërbime ndaj qytetarëve, hapsira për zjarrfikësit, lokale afariste dhe dy nivele nëntokësore me së paku 200 vende parkimi.
Nevoja për ndërtimin e këtij kompleksi arsyetohet me mungesën e hapsirave të mjaftueshme për administratën komunale dhe ndërmarrjet publike, si dhe kushtet ekzistuese të Njësisë së Zjarrfikësve. Sipas të dhënave të studimit, institucionet komunale që parashihen të vendosen në objektin e ri kanë 833 të punësuar, ndërsa hapsirat aktuale janë të shpërndara në disa lokacione, shkruan Portalb.mk. Synimi është që shërbimet komunale të centralizohen në një objekt dhe të përmirësohen kushtet e punës dhe shërbimet për qytetarët.

Studimi shqyrton tri alternativa për realizimin e këtij investimi:
Alternativa e parë parasheh që Komuna e Tetovës ta ndërtojë vetë të gjithë objektin, pa përfshirjen e investitorit privat. Në këtë rast, komuna duhet të sigurojë rreth 28,5 milionë euro nga buxheti ose përmes huamarrjes. Kjo alternativë vlerësohet si financiarisht e pafavorshme, pasi komuna nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për ta financuar vetë investimin.
Alternativa e dytë parasheh partneritet publiko-privat, ku komuna kontribuon me tokën ndërtimore, objektin ekzistues të zjarrfikësve dhe një pjesë të kompensimeve komunale, ndërsa investitori privat financon ndërtimin. Komuna dhe zjarrfikësit do të përfitonin një pjesë të objektit si kompensim, ndërsa pjesën tjetër të hapësirave të nevojshme do ta merrnin me qira nga investitori privat për një periudhë prej 20 vitesh, me çmim të përllogaritur prej së paku 6,5 eurosh për metër katror në muaj. Kjo alternativë vlerësohet si më e favorshme se e para, por do ta ngarkonte buxhetin komunal me pagesa afatgjata të qirasë.
Alternativa e tretë, të cilën studimi e rekomandon si zgjidhjen më të favorshme, parasheh që investitori privat ta financojë të gjithë ndërtimin, ndërsa komuna të përfitojë një pjesë të objektit si kompensim dhe ta blejë pjesën tjetër që i nevojitet.
Sipas këtij modeli, 60% e objektit, përkatësisht rreth 8.635 metra katrorë, do të destinohen për Komunën dhe Njësinë e Zjarrfikësve, ndërsa investitorit privat do t’i mbeten 40%, ose rreth 5.757 metra katrorë, për veprimtari afariste dhe komerciale.
Por, studimi përcakton që komuna duhet të përfitojë si kompensim së paku 15% të sipërfaqes së përgjithshme të objektit, ose rreth 2.158 metra katrorë, për kontributin e saj në projekt. Pjesën e mbetur, deri në 60% të objektit, Komuna do ta blejë nga investitori privat. Nëse merret për bazë ky kompensim minimal, për blerje mbeten rreth 6.477 metra katrorë. Me çmimin orientues prej 1.200 eurosh për metër katror, vlera e blerjes do të arrinte në rreth 7,77 milionë euro. Sipërfaqja dhe çmimi përfundimtar do të përcaktohen në bazë të ofertës së përzgjedhur dhe marrëveshjes ndërmjet palëve.
Sipas alternativës së tretë, kushtet e blerjes do të përcaktohen paraprakisht përmes një parakontrate, ku do të specifikohen sipërfaqja, çmimi, mënyra dhe afatet e pagesës, si dhe detyrimet e palëve. Pagesat parashihen me këste tremujore. Në një pjesë të studimit propozohet afat shlyerjeje prej katër deri në tetë vitesh, ndërsa në analizën financiare merret për bazë një periudhë deri në pesë vjet. Pas përfundimit të ndërtimit dhe marrjes së lejes së përdorimit, komuna do të mund t’i shfrytëzojë menjëherë hapësirat.
Kjo alternativë konsiderohet më e favorshme sepse komuna nuk duhet të sigurojë mjete financiare në fillim të ndërtimit dhe nuk do të ketë detyrimin e pagesës afatgjatë të qirasë, siç parashihet në alternativën e dytë. Megjithatë, ajo merr përsipër detyrimin financiar për blerjen e një pjese të objektit. Nga ana tjetër, investitori privat, përveç të ardhurave nga shitja e hapësirave komunës, do të mund të përfitojë edhe nga shitja ose dhënia me qira e hapësirave komerciale, parkingjeve dhe përmbajtjeve të tjera afariste.
Për realizimin e projektit parashihet përzgjedhja e investitorit privat përmes procedurës publike, pas vendimeve përkatëse të Këshillit të Komunës së Tetovës. Studimi parasheh që ndërtimi i hapësirave administrative që do t’i takojnë komunës të përfundojë brenda maksimumi pesë viteve nga marrja e lejes së ndërtimit, por nuk përcakton datë konkrete për fillimin e punimeve, shkruan Portalb.mk. Gjatë ndërtimit, komuna duhet të sigurojë edhe lokacion të përkohshëm për funksionimin e pandërprerë të Njësisë së Zjarrfikësve.
Çfarë nënkupton varianti i propozuar shkurtimisht?
Varianti i propozuar si më i volitshëm parasheh që në tokën publike prej 6.768 metra katrorë ndërtohet kompleks objekti me sipërfaqe mbi tokë prej rreth 14.398 metra katrorë.
Sipas alternativës së tretë komuna kontribuon me tokën, objektin ekzistues dhe një pjesë të kompensimeve komunale, ndërsa në këmbim merr vetëm 15% të ndërtesës, rreth 2.158 metra katrorë. Për 45% të tjera rreth 6477 metra katrorë duhet të paguajë afërsisht rreth 7.7 milionë euro për ta blerë sërish nga investitori privat, ndërsa 40% do të mbetet pronë e përhershme e investitorit privat.
Studimin e plotë të fizibilitetit e gjeni më poshtë.
Çfarë nuk shkon me këtë studim dhe cilat janë dyshimet?
Fillimisht shuma totale e vlerësuar e investimit për ndërtimin e të gjithë objektit, apo përllogaritjet orientuese të punimeve dhe kostove shkojnë gjithsej në 28.500.000 euro.
Afër 4 milionë euro mospërputhje, kostoja e ndërtimit llogaritet miliona euro më pak
Megjithatë nga tabela e paraqitur në studim ka mospërputhje, sepse shuma gjithsej nga 23 zërat e tabelës shkon në 24.550.000 euro. Pra janë paraqitur 3.950.000 euro më shumë se sa vlera reale. Ndërsa më pas nga përpiluesi u tha se ka pasur lëshim teknik.

Kritika nga opozita dhe qytetarët ka se edhe këto shifra janë të fryra, pasi kostoja e ndërtimit llogaritet miliona euro më pak se sa është e raportuar në studim.
Kush janë personat pas studimit dhe cilat janë lidhjet?
Sipas asaj që u raportua në Këshillin Komunal, ky studim është përgatitur në afat prej rreth një muaji dhe ka kushtuar një mijë euro. Ndërsa përpilues figurojnë profesori Rametulla Ferati dhe Nedime Sallai. Por, siç sqaroi kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, janë tre autorë dhe se ka pasur lëshim teknik, i treti është një avokat duke mos e zbuluar se kush është.

Në studim thuhet se këto ekspertët janë angazhuar përmes një zyre konsulente në Tetovë, të cilën Komuna e Tetovës edhe pse e pyetur nga Portalb.mk, nuk e zbuloi.
Megjithatë, vetë profesori Ferati në seancën e këshillit komunal tha se bëhet fjalë për kompaninë ‘Pro Consulting’.
Sipas regjistrit Companywall, pronare dhe drejtuese e ‘Pro Consulting’ figuron Xhenisa Kamberi Ferati, e cila është bashkëshortja e djalit të Rametulla Feratit, Bardhil Feratit i cili në këtë kompani paraqitet si drejtues i degës.

Edhe Nedime Sallai paraqitet e afërt me profesorin Ferati dhe Pro Consulting, si bashkëautore dhe ligjëruese.
Lidhjet nuk përfundojnë këtu, Rametulla Ferati paraqitet i afërt edhe me kompaninë ‘Pro-Engineering‘ e cila po e ndërton objektin shtesë të Komunës së Tetovës afër objektit aktual, në vlerë prej 1.3 milionë euro sipas marrëveshjes të nënshkruar në shkurt 2026.

Në profilin e kompanisë Pro-Engineering sipas Companywall si bashkëpronar figuron Ibraim Ferati, i cili është vëllai i profesorit Rametulla Ferati. Për më tepër, te kjo kompani si adresë elektronike figuron [email protected].

Për më tepër, Ibraim Ferati paraqitet i afërt Rakip Alilin, i cili në opinion njihet si daja i kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit. Konkretisht, në parcelën 6676/16 në Tetovë si pronarë figurojnë, Pro-Engineering dhe Murana Kompani ku sipas Companywall pronar është Rakip Alili.




Portalb.mk ka kërkuar sqarime nga Komuna e Tetovës se në bazë të cilës shpallje përpilimi i studimit i është dhënë kompanisë ‘Pro Consulting’ dhe pse u përzgjodh kjo kompani duke pasur parasysh dyshimet për konflikt interesi dhe afërsinë me udhëheqësinë komunale. Por nga Komuna e Tetovës nuk na u përgjigjën.
Portalb.mk kërkoi sqarime edhe nga profesori Rametulla Ferati për lidhjet familjare dhe dyshimet për konfliktin e interesit, por as nga ai deri në botimin e kësaj storje nuk morëm përgjigje.
Cilat janë kritikat e opozitës dhe qytetarëve për partneritet publiko privat?
Dyshimet kryesore në ngritura në opinion janë se ky partneritet publiko-privat bëhet për vjedhje të pronës publike dhe se e njëjta do t’i jepet ndonjë personi apo kompanie të afërt me udhëheqësinë komunale.
“Ne nuk jemi kundër investimeve, mirëpo kjo është një vjedhje klasike, vjedhje e poshtër klasike, nuk jemi kundër investimeve në Tetovë, jemi pro, por jemi kundër vjedhjes”, thotë Berat Murati, këshilltar komunal nga AKI.
Agron Arifi nga Më Mirë për Tetovën thotë se studimi është amator dhe joserioz.
” Le të përpilohet një studim fizibiliteti ashtu siç i ka hije. Ne nuk jemi kundër investimeve kapitale në komunën e Tetovës. Por nuk mund të lejojmë që në emër të investimeve kapitale të bëhet vjedhja e pronës publike të qytetarëve të Tetovës dhe parat e qytetarëve të Tetovës të përfundojnë në xhepat e privatit”, thotë Arifi.
Arifi thekson se vetëm rrënimi dhe bartja e materialit do të kushtojë 350,000 euro, që i bie 400 euro/m2, kurse ne treg çmimi maksimal është 10euro/m2. Ai thotë se betoni i armuar i objektit të ri është kalkuluar 6 milionë euro, ku siç thotë ai ka dyshime për vjedhje pasi objekti ka një sipërfaqe bruto 22875 m2, dhe sipas çmimit të tregut nuk është më e lartë se 150euro/m2 me çmim total prej 4 milion euro.
“Në bazë të vlerësimeve nga inxhinier të ndërtimit, vlera e objektit sipas kuadraturës që është e cekur në fizibilitet, nuk e kalon shumën prej 13 milionë euro”, thotë Arifi.
Sipas Arlind Murtezanit nga Lidhja Shqiptare, ky partneritet publiko-privat nënkupton shitje, ndërsa komuna tenton ta paraqesë si investim.
“Për një kohë të shkurtër Komuna e Tetovës do duhej t’ua kthejë me 1.200 euro m2 operatorit privat/investitorit, realisht ndërtimi i një objektit të zjarrfikësit dhe hapsirat e komunës në mënyrë luksoze nuk kushton mbi 400 euro për m2 që do të thotë se 800 euro për m2 po vidhen nga kjo udhëheqësi. Ku është përfitimi i komunës në këtë rast? Me këtë logjikë komuna është duke shkuar në atë rrugë të gabuar që të ardhmen qytetarët të mos ketë asnjë pëllëmbë pronë publike”, thotë Murtezani.
Përveç këshilltarëve komunalë dhe partive politike, reagime ka pasur edhe nga qytetarët.
“Objekti që “studimi” thotë se kushton 28.5 milion euro, sipas ndërtuesve dhe inxhinierëve të pavarur të ndërtimit kushton diku 7–8 milionë euro. Pra, komuna do ta jap tokën, do ta paguaj në tërësi edhe ndërtesën, ndërsa privatit do t’i mbeten 40% e të gjithë objektit në pronësi të përhershme gratis. Me pak fjalë: Komuna jep tokën, paguan krejt objektin dhe detyrohet të paguaj qira për 40 % të objektit që privati e ka marrë prej komunës gratis”, thotë Zufer Bajrami, qytetar.
Cili është arsyetimi i komunës?
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se do të ketë debat publik, ndërsa theksoi se studimi është dokumenti bazë që nis kjo procedurë komfort ligjit.
Sipas tij, me këtë zgjidhje ofrojnë të gjitha ndërmarrjet dhe sektorët e komunës të vendosen në kushte adekuate për punëtorët dhe shërbimet ndaj qytetarëve të jenë më të mira.
“Ne nuk do të vjedhim dhe do të vazhdojmë t’ju shërbejmë qytetarëve të Tetovës. Ofertat dhe procedurat do të jenë transparente dhe të hapura dhe garantoj se do të zgjidhet oferta më e mirë për Tetovën. Është studim në bazë nga i cili do të nis procedura dhe gjithë vlerat reale më tutje do të jenë transparente, ajo vlerë mund të jetë edhe 20 milion edhe 10 milion komfort asaj që ata nëse vlerësojnë se ka një ofertë më të mirë për interesin publik të Tetovës unë garantoj se do të pranohet”, tha Kasami.
Ai më tej i porositi këshilltarët komunalë që “ofroni zgjidhje, ofroni biznese të cilat do ta ndërtojnë me kushtet më të mira, nëse nuk ia japim atij biznesi unë nga ai moment jap dorëheqje si kryetar komune”.
Pas reagimeve të shumta në opinion, Komuna e Tetovës reagoi duke thënë se “po ngrihet pluhur” për ndërtimin e objektit të ri të komunës.
“Nëse kanë fakte dhe dëshmi për keqpërdorime, le t’i paraqesin dhe t’u drejtohen organeve kompetente. Interesi publik kërkon që çdo pretendim të shqyrtohet me përgjegjësi dhe çdo akuzë të mbështetet në prova. Qytetarët meritojnë të dinë si merren vendimet dhe si shpenzohen paratë e tyre. Prandaj, debati duhet t’i shërbejë informimit të tyre dhe të mos përdoret për të krijuar dyshime pa fakte”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Çfarë më tutje?
Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e 19-të të mbajtur më 14 tetor, nuk i miratoi dy pikat të cilat nxitën debat, tensione dhe protestë në sallë, konkretisht: Propozim-përfundimin për miratimin e studimit të fizibilitetit për partneritet publiko-privat për ndërtimin e objektit administrativ-komercial për Komunën e Tetovës dhe Propozim-vendim për fillimin e procedurës për dhënien e kontratës për vendosjen e partneritetit publiko-privat për projektimin, financimin, ndërtimin, pajisjen, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të zjarrfikësve dhe objektit komunal.
Këto dy pika nuk janë tërhequr, por janë shtyrë për më tutje, ndërsa në ndërkohë pritet të vijojë debati publik dhe të shihet nëse do të ketë ndryshime në këtë drejtim para se këshilli komunal t’i miratojë ose jo.
Në ndërkohë, këshilli Komunal mbledhjen e 20-të pritet ta mbajë më 28 tetor (e mërkurë), por në rendin e ditës nuk shihen këto pika.
Debatin e plotë në seancën paraprake për këtë çështje e gjeni në videon më poshtë.
“Tradita” e shitjes së pronës publike në Tetovë
Komuna e Tetovës viteve të fundit ka qenë cak i kritikave dhe akuzave për keqpërdorim dhe keqmenaxhim me pronat publike.
Një nga rastet të cilat Portalb.mk e zbardhi vitin e kaluar ishte se Komuna e Tetovës në mënyrë jotransparente e ka lejuar shitjen e tokës shtetërore te ish-Monopolli prej 6,817 metër katrorë për 70 denarë metër katrori, dhe se aty do të ndërtohen ndërtesa.
Hulumtimi tregoi se blloku edhe pse ishte i paraparë si zonë industriale, Këshilli Komunal i përbërjes 2021/25 i Tetovës, shumicën e të cilit e përbënin Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE, në nëntor 2024 e kthyen në zonë banimi, me çka u dha drita e gjelbër që në këtë zonë mund të ndërtohet. Pra, ka qenë në dorën e udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo.
Kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është treguar tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pas ri-destinimit në zonë për banim kolektiv.
- LEXO: BDI drejtuar Kasamit për partneritetin publiko-privat te zjarrfikësit: I deshët faktet, ja skema e vjedhjes, tani përgjigjuni
- LEXO: Më Mirë për Tetovën: Komuna në krye me Kasamin përgatiten për vjedhje milionëshe, pronën publike te zjarrfikësit duan ta privatizojnë
- LEXO: Protestë, tensione dhe akuza në Këshillin e Tetovës për partneritetin publiko-privat, pikat u shtynë për më tutje (Video)