Forumi i Karrierës: Punëdhënësit ankohen për mungesë kuadri, rinia për mungesë mundësish
Mospërputhja mes arsimit dhe nevojave të tregut të punës, mungesa e përvojës praktike dhe përfshirja e të rinjve në vendimmarrje ishin temat kryesore të Forumit të Karrierës 26, që u mbajt sot në Tetovë. Përderisa institucionet prezantuan masat për punësimin e të rinjve, vetë rinia kërkoi mundësi konkrete për praktikë dhe arsimim më të përshtatur me tregun e punës. U theksua diskrepanca midis sistemit arsimor dhe nevojave të tregut, shkruan Portalb.mk.
Drejtoresha e ILPP-së, Pranvera Kasami, tha se sfida nuk është vetëm papunësia e të rinjve, por edhe distanca mes arsimit dhe tregut të punës.
“Projektet përfundojnë, por jo edhe nevojat e të rinjve”, theksoi Kasami, duke prezantuar rezultatet e projektit NextGen CareerUp. Gjatë dy viteve, projekti ka regjistruar rreth 300 pjesëmarrës në trajnime, ka pranuar mbi 400 aplikime dhe ka angazhuar 25 organizata pritëse për mundësi praktike.

Ambasadorja e Holandës, Ozlem Xhanel, theksoi se të rinjtë përballen me mospërputhje mes aftësive të tyre dhe kërkesave të tregut të punës.
“Krijimi i mundësive për karrierë është përgjegjësi e përbashkët, askush nuk mund ta bëjë vetëm”, tha ambasadorja duke shtuar se Holanda i mbështet nismat të cilat i vendosin të rinjtë në qendër.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, tha se investimi në njohuritë dhe aftësitë e të rinjve është investim në zhvillimin e komunitetit.
“Të rinjve duhet të ju ofrohen mundësi për praktikë, përvojë profesionale dhe qasje në tregun e punës”, tha Limani.
Ai theksoi nevojën që qendrat rinore të jenë funksionale nëpër gjithë vendin.

Ngushtimi i hendekut: Nga arsimi në punësim
Për atë se çfarë bën shteti për t’i mbështetur të rinjtë, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, tha se përmes planit operativ për punësim synohet të përfshihen deri në 10.000 qytetarë, prej të cilëve rreth 80 përqind pritet të jenë të rinj deri në moshën 29-vjeçare.
Masat, sipas tij, do të përfshijnë edhe të rinjtë që duan të hapin bizneset e tyre dhe kompanitë që synojnë të punësojnë punëtorë të rinj.
Durmishi theksoi se ekziston mospërputhje mes profileve të të diplomuarve dhe nevojave të tregut.
Ai tha se nga rreth 7.000 të diplomuar vitin e kaluar, afërsisht 3.000 ishin nga fusha e administratës, ndërsa në disa profesione ka mungesë të kuadrove.
“Nuk mundet që të gjithë juristët dhe ekonomistët të sistemohen, për këtë arsye plani operativ përditësohet”, tha Durmishi.
Dejtoresha e Agjencisë për Inovacion, Zhvillim Shkencor dhe Teknologjik dhe Sipërmarrje – INOVA, Daniella Dimovska tha se si institucion besojnë në potencialin e të rinjve.

“Qasja jonë është puna që nga shkolla e mesme, përmes punëtorive, hakatonëve punojmë me të rinjtë që të mendojnë në mënyrë kreative” , tha Dimovska, e cila shtoi se kanë për qëllim që të rinjve mbështetje reale të cilën do ta shfrytëzojnë në të ardhmen.
Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Bekim Fetaji, foli për bashkëpunimin me bizneset në kuadër të universitetit.
“Kemi krijuar një portal softuerik ku do shfaqen odertat e ndryshme për punësime, full time, part time, në projekte. Gjithë këto i kemi të integruara brenda portalit” , tha Fetaji.
Ndërsa rektori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Ahmeti, theksoi rëndësinë e hulumtimit të tregut për përshtatjen e programeve studimore. Ai tha se praktika profesionale tashmë është komponentë e detyrueshme e programeve studimore dhe nënvizoi se institucionet ku studentët kryejnë praktikën duhet t’i trajtojnë ata si pjesë të procesit të punës.
“Në mënyrë që të shohim se sa të diplomuarit tanë janë të përgatitur për tregun e punës, në mënyrë që mangësitë që i kanë pasur t’i inkorporojmë në të ardhmen”, tha Ahmeti.
Përtej CV-së: Çfarë kërkojnë në të vërtetë punëdhënësit
Koordinatorja rezidente e Kombeve të Bashkuara, Rita Columbia, tha se tregu i punës ndryshon vazhdimisht dhe se arsimi duhet të përshtatet me këto ndryshime.
“Për çdo gjeneratë tregu i punës është i ndryshëm, ne duhet të ndryshojmë me kohën po ashtu edhe sistemi arsimor”, tha Columbia.
Ajo theksoi rëndësinë e aftësive të buta dhe i porositi të rinjtë të shfrytëzojnë mundësitë për vullnetarizëm dhe praktikë gjatë shkollimit.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Durim Zekiri, kritikoi mospërputhjen mes arsimit dhe nevojave të kompanive.
“Institucionet arsimore nuk i kanë shërbyer shumë tregut të punës”, tha Zekiri, duke shtuar se punëdhënësit shpesh hasin kandidatë që kanë diplomë, por u mungojnë aftësitë bazike për punën.
Ai theksoi se praktika duhet të integrohet më mirë në procesin arsimor dhe se nevojitet strategji më e qartë për përputhjen e ofertës me kërkesën në tregun e punës.
“Kemi edhe problem tjetër, që edhe kompanitë më herët nuk kanë qenë të gatshme të bashkëpunojnë me institucionet arsimore, jo të gjitha, për shkak se nuk është ndjerë nevoja e thellë për punonjës”, shtoi ai.

Drejtoresha e Qendrës së Karrierës në Universitetin e Evropës Juglindore, Lumturije Mehmedi, si urë midis të rinjve dhe punëdhënëssve përmendi panairin e karrierës, ku marrin pjesë mbi 70 kompani.
“Moment i rëndësishëm është shkathësia që studenti e ka për ta prezantuar veten për nevojat që kompania i ka”, tha Mehmedi.
Ndërkaq, sipërmarrësi Besnik Ademi theksoi rëndësinë e përvojës praktike, durimit dhe aftësisë për zgjidhjen e problemeve, duke vlerësuar se diploma nuk është garanci e vetme për sukses profesional.
“Kam mbaruar dy mastera, por një përqind ua kam parë hajrin… Një ndër gjërat që unë kërkoj sot në kompani është zgjidhja e problemeve”, tha ai.
U diskutua edhe ndikimi i inteligjencës artificiale, lodhja profesionale, diskriminimi ndaj grave në vendin e punës dhe sfidat që lidhen me mëmësinë.
Të rinjtë: Kurrikulat janë të vjetruara, na duhen mundësi konkrete
Nga ana tjetër, të rinjtë ngritën shqetësime për cilësinë e arsimit, mungesën e praktikës dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje.
Kryetari i Unionit të Shkollave të Mesme në Tetovë, Ardian Ramadani, kritikoi programet mësimore dhe mënyrën e organizimit të mësimit, duke thënë se nxënësit përballen me shumë lëndë, ndërsa vëmendja shpesh përqendrohet te notat dhe jo te cilësia e të nxënit.
“Kurrikulat tona janë të stërvjetëruara”, tha Ramadani, duke shtuar se të rinjtë kanë nevojë për orientim më efektiv në karrierë dhe për njohuri që mund t’i zbatojnë në praktikë.
Aktivistja nga Këndi Amerikan në Tetovë, Aleina Arsllani, u bëri thirrje nxënësve që të mos e matin suksesin vetëm me nota.
“Mos mësoni për nota, mësoni për vete”, tha ajo.

Arsllani ngriti edhe çështjen e mungesës së mundësive për praktikë në profilet përkatëse, duke theksuar se të rinjtë shpesh nuk dinë ku mund t’i kërkojnë këto mundësi. Ajo kritikoi gjithashtu përfaqësuesit institucionalë që marrin pjesë në aktivitete për të rinjtë, por nuk qëndrojnë për t’i dëgjuar ata deri në fund.
Drejtoresha e Këshillit Rinor Kombëtar, Mariana Angellova, theksoi nevojën për përfshirje më të madhe të të rinjve në vendimmarrje dhe për më shumë hapësirë për edukimin joformal.
“Jo të gjithë të rinjtë dhe njerëzit duan dhe mund të jenë aktiv në politikë, kjo është normale, kjo tregohet edhe në daljen në zgjedhje”, tha Angellova.
Ajo theksoi se duhet të punohet më “me mend” për të rinjtë dhe programet që i përfshijnë të rinjtë.
Ndërkaq, drejtuesi i Qendrës Rinore Kulturore në Tetovë, Muhamed Mustafa, tha se të rinjve u mungojnë hapsirat ku mund të zhvillojnë aktivitete dhe të realizojnë idetë e tyre. Ai theksoi se qendra synon t’u ofrojë hapësirë falas dhe të ndërtojë besimin e tyre te institucionet.
“Që të fitohet vetëbesimi në institucion duhet të jetë vendi i hapur dhe dueht të jep atë besim te të rinjtë që kur bëjnë kërkesë të kenë përgjigje”, tha Mustafa.
Në përfundim, të rinjtë kërkuan praktikë të detyrueshme në më shumë fusha, mundësi reale punësimi dhe përfaqësim konkret të të rinjve në proceset vendimmarrëse.
Forumi nxori në pah edhe një kundërthënie, punëdhënësit ankohen për mungesë të punëtorëve të kualifikuar, ndërsa të rinjtë kërkojnë punë dhe mundësi për të fituar përvojën që u nevojitet.
Zgjidhja, sipas diskutimeve, kërkon bashkëpunim më të madh mes institucioneve arsimore, bizneseve dhe të rinjve, si dhe kalimin nga premtimet te mundësitë konkrete.
Forumi u organizua nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike (ILPP), me mbështetjen e Ambasadës së Holandës në Maqedoninë e Veriut.
Në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve, universiteteve, bizneseve, organizatave ndërkombëtare dhe organizatave rinore.
Gjatë ngjarjes ambasadorja e Holandës ndau mirënjohje për bizneset që kanë pranuar praktikantë në kuadër të projektit.
