Dy muaj pas hapjes së lëndës për shkollën “Penko”, Avokati i Popullit ende pret përgjigje nga Inspektorati i Arsimit

Dy muaj pas hapjes së lëndës për mënyrën e regjistrimit të nxënësve shqiptarë në shkollën fillore “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel, Avokati i Popullit ende pret përgjigje nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit për inspektimin e kryer në këtë shkollë. Avokati i Popullit, Faton Selami, tha se inspektimi ka përfunduar, por gjetjet ende nuk u janë dorëzuar atyre, shkruan Portalb.mk.

Selami tha se lënda është hapur me vetëiniciativë dhe se Avokati i Popullit i është drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Inspektoratit Shtetëror të Arsimit. Ky i fundit ka kryer inspektim pas iniciativës së Avokatit të Popullit, por ende nuk e ka informuar atë për gjetjet.

“Ne kemi hapur lëndë me vetëiniciativë dhe jemi drejtuar te Ministria e Arsimit dhe te Inspektorati Shtetëror i Arsimit. Për momentin ende presim përgjigjen zyrtare nga ana e Inspektoratit të Arsimit, i cili, në bazë të iniciativës sonë, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë inspektim. Mirëpo, deri sot nuk kam informatë se më ka ardhur përgjigjja”, tha Selami.

Selami deklaroi se Avokati i Popullit i ka dhënë afat Inspektoratit për t’ia dorëzuar përgjigjen, por për shkak të vonesës i ka dërguar edhe urgjencë. Sipas tij, Inspektorati e ka njoftuar se inspektimi ka përfunduar dhe se së shpejti do t’ia dorëzojë gjetjet.

“Afate u kemi dhënë, por u kemi dërguar edhe urgjencë lidhur me këtë. Unë u kam thënë edhe nëpunësve të mi që t’i kontaktojnë edhe me telefon. Nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit na kanë informuar se ka përfunduar inspektimi dhe se do të na i dërgojnë gjetjet nga inspektimi”, deklaroi Selami.

Ndërkohë, edhe Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi i tha Portalb.mk se procedura për këtë rast është ende në vijim, por nuk dha detaje për veprimet e ndërmarra deri më tani.

Kujtojmë se, problemi me paralelen e pestë në gjuhën shqipe u bë publik pasi organet lokale vendosën që njëra nga pesë paralelet e klasës së parë të mos funksionojë. Komuna e Butelit vendosi ta mbyllë paralelen, pavarësisht interesimit të lartë për regjistrim, ndërsa në të njëjtën shkollë funksionojnë paralele në gjuhën maqedonase me numër shumë të ulët nxënësish.

Si arsye nga Komuna u përmend rajonizimi, përkatësisht që nxënësit nga Komuna e Çairit të mos regjistrohen më në shkollat e Butelit, edhe pse disa prej tyre jetojnë vetëm disa metra larg objektit të shkollës.

Pas reagimeve, kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, tha se në marrëveshje me Ministrinë e Arsimit është vendosur që fëmijët nga komunat e tjera të pranohen në SHFK “Petar Zdravkovski-Penko” vetëm nëse kanë vëlla ose motër që ndjek mësimin në këtë shkollë. Këtë e njoftoi edhe zv.ministri i Arsimit, Driton Sulejmani.

Megjithatë, me këtë nuk ishte zgjidhur çështja, pasi ata nxënës që nuk kanë vëlla ose motër që ndjek mësimin aty u detyruan të shkojnë nëpër shkollat e tjera edhe pse jetojnë pranë shkollës.

Reaguan edhe këshilltarët e AKI-së në Komunën e Butelit, të cilët e akuzuan zv.ministrin e Arsimit, Driton Sulejmani, se po gënjente dhe se paralelja vazhdonte të ishte e mbyllur. Ata kërkuan që Këshilli i Komunës së Butelit ta rishqyrtojë vendimin.

Prinderit e nxënësve që nuk u pranuan në këtë shkollë dorëzuan peticion në Komunën e Butelit dhe në Ministrinë e Arsimit, duke kërkuar zgjidhje përfundimtare për problemin.