Trump thotë se Musk i ka hequr kufizimet e Starlinkut për Ukrainën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se drejtuesi i Starlinkut, Elon Musk, i ka hequr kufizimet për qasjen e Ukrainës në këtë shërbim të internetit satelitor. Rishtazi ka pasur polemika të shumta për kufizimet e përdorimit të Starlinkut nga Ukraina, tek i cili mbështetet shumë ushtria e saj, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Ai e riktheu”, u tha Trump gazetarëve më 22 tetor, disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi për CNN se vendi i tij po përballej me kufizime në përdorimin e këtij shërbimi.

Musk nuk e ka komentuar ende deklaratën e fundit të Trumpit.

Një zyrtar ukrainas i tha Radios Evropa e Lirë se disa njësi ushtarake të vendit kishin raportuar rritje të shpejtësisë së internetit, por se kjo rritje nuk ishte zbatuar gjithkund.

Zyrtari shtoi se shpejtësia vazhdonte të ishte e pamjaftueshme për t’i vërejtur dronët rusë me motor reaktiv, të cilët Rusia po i përdor gjithnjë e më shpesh kundër Ukrainës, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën logjistike, energjetike dhe civile të vendit.

Më herët, i ngarkuari me punë i Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Denys Sienik, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se Kievi nuk kishte marrë përgjigje as nga Pentagoni, as nga kompania SpaceX e Muskut lidhur me këtë çështje. “Kufizimet e shpejtësisë nuk janë hequr”, tha Sienik.

Zelensky tha se shpresonte ta diskutonte këtë çështje me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, gjatë ditëve në vijim. Rubio kishte mohuar më herët se Trumpi ose ndonjë zyrtar tjetër i Qeverisë amerikane të kishte kërkuar ndryshime në këto sisteme.

Mosmarrëveshja lidhur me Starlinkun dhe shërbimin e tij për përdorim ushtarak, Starshield, ka ngritur pikëpyetje se kush i autorizoi kufizimet, nëse administrata Trump ishte në dijeni të tyre paraprakisht dhe si ndikuan këto ndryshime në aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.

Një delegacion i Kongresit amerikan, i cili së fundmi vizitoi Kievin, tha se kufizimet kishin dobësuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe kishin vënë në rrezik personelin amerikan.

Dan Rice, ish-këshilltar i posaçëm i komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe tani president i Universitetit Amerikan në Kiev, i tha Radios Evropa e Lirë se në këtë polemikë ishin ndërthurur disa çështje të ndryshme: shkëmbimi i informatave të inteligjencës, kufizimet e shpejtësisë së internetit satelitor dhe dërgesat e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore, Patriot.