Larmi ngjyrash dhe ndjenjash

Natyra përherë i ka frymëzuar piktorët, të cilët, nëpërmjet “instrumenteve” të artit, krijojnë një botë të përfytyruar.

Natyra e ka frymëzuar edhe piktorin Enver Selimi, i cili paraqet në krijimet e tij artistike një botë sa të jashtme, po aq edhe të brendshme.

Me ciklin e pikturave, të ekspozuara në Galerinë e Arteve në Tetovë, ai nuk mëton të paraqesë realitetin ashtu siç është, por t’i shprehë artistikisht edhe trazimet emocionale.

Enver Selimi i takon brezit të piktorëve që u shfaqën në botën e artit pas viteve 90-të të shekullit që lamë pas. Ky brez solli një qasje dhe ndjeshmëri të re në artin pamor shqiptar. Shumica e piktorëve të këtij brezi u dalluan për qasjen ekspresioniste, që ka si veçanti gërshetimin e ngjyrave, thyerjen e formave dhe shprehjen e theksuar të ndjenjave.

Pikturat e Enver Selimit nuk paraqesin vetëm imazhe, por edhe gjendje shpirtërore. Më saktësisht, aty kemi gërshetim ndjenjash.

Piktori nuk fotografon, por krijon një realitet të mundshëm. Pa këtë ndjeshmëri nuk ka art.

Në pikturat e Enver Selimit kemi gërshetime ngjyrash, kontraste drite e errësire, por edhe detaje që na shtyjnë të mendojmë dhe të reflektojmë.

Duke shikuar pikturat e Enver Selimit, ne si receptues futemi në një përmasë apo yjësi tjetër. Futemi në përmasën e një realiteti të thellë simbolik. Këtë na mundësojnë vetëm veprat artistike të shumëkuptimshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.