Komuna e Tetovës dhe ‘Tetova Transport’ e fshehin listën e të punësuarve përmes ‘Xhob 2011’, kjo është lista në NPK ‘Sharri’
Pavarësisht premtimeve për transparencë, Komuna e Tetovës dh NPK ‘Tetova Transport’ as përmes Ligjit për informata me karakter publik nuk i dorëzojnë të dhënat e punësimeve të cilat janë bërë përmes Agjencinë Privat ‘Xhob 2011’ në katër vitet e fundit. Listën e të punësuarve e dërgoi vetëm NPK ‘Sharri’, shkruan Portalb.mk.
Siç hulumtoi Portalb.mk nga viti 2022 deri në 2025, Komuna e Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike “Tetova Transport” dhe “Sharri” kanë shpenzuar mbi 1.6 milionë euro në kontrata për punësime të përkohshme përmes Agjencisë private për punësim “Xhob 2011”.
Pavarësisht interesit të madh publik për publikimin e emrave dhe funksionet që kryejnë personat e punësuar përmes agjencionit privat, Komuna e Tetovës dhe ndërmarrjet nuk i nxorën asnjëherë listat e detajuara.
Portalb.mk përmes Ligjit për qasje në informata me karakter publik kërkoi nga tre institucionet këto lista, dhe listën (emër, mbiemër, funksion, pagë).
Përgjigje ndaj kësaj kërkese na e dhanë vetëm NPK ‘Sharri” sipas të cilëve në 2024 ka pasur 28 persona të punësuar, ndërsa në 2025 vetëm 15 persona.

Komuna e Tetovës dhe NPK ‘Tetova Transport’ nuk i dhanë listat, pas së cilës Portalb.mk paraqiti ankesë në Agjencinë për mbrojtje të qasjes së lirë në informata me karakter publik, e cila dje (25.11.2025) solli vendim me çka u kërkon këtyre dy institucioneve të na dërgojnë të dhënat e kërkuara brenda 15 ditëve.
Kryetari i Komunës së Teovës, Bilall Kasami i pyetur për këto të dhëna se pse nuk i publikojnë, u arsyetua sërish
“Të gjithë të punësuarit me vendim të përhershëm dhe të përkohshëm përmes agjenconit privat, tani më jemi në fazën e rregullimit të ueb-faqes së Komunës dhe të gjithë do të jenë në ueb-faqen e komunës… Nuk ka punësime fiktive, kontrata në vepër të cilat kanë qenë të keqpërdorura në të kaluarën… Shpejt do të jenë në ueb-faqe të gjithë të punësuarit në Komunë së Tetovës”, tha Kasami.
Në ndërkohë nëpër media para zgjedhjeve u shfaqën disa lista me emra dhe paga, por të njëjtat sipas Kasamit janë keqpërdorur dhe nuk kanë qenë ashtu siç janë shfaqur, por me tendencë dhe jo të sakta.
“Nuk kanë qenë kontrata të ‘Xhobit’ por kanë qenë pagesa që u janë bërë personave të caktuar nëm bazë të situatave të caktuara, kanë fituar projekt, ka pasur vendim të këshillit, nuk janë kontratat aty, ka pasur keqpërdorim të informatave me karakter publik”, tha Kasami.
Ndonëse në muajin gusht, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit pas raportimit të Portalb.mk për këtë rast hapi lëndë, nga ky institucion nuk kanë sjellë ende vendim.
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në të kaluarën ka alarmuar se me punësimet e përkohshme bëhen manipulime.
Punësimet e përkohshme, vitet e kaluara, janë kritikuar ashpër në raportet e Komisionit Evropian si mundësi për të punësuar ushtarë partiakë në administratën publike. Këto punësime janë kualifikuar si “punësime të qëllimshme, politike dhe arbitrare”.
- LEXO: Antikorrupsioni ende pa vendim për punësimet ‘sekrete’ prej 1.6 milionë euro të Komunës së Tetovës përmes ‘Xhob 2011’
- LEXO: Komuna e Tetovës vazhdon t’i mbajë sekret të punësuarit përmes agjencionit privat për të cilët harxhoi mbi 1,6 milionë euro
- LEXO: Tender i ri për punësime të përkohshme në Tetovë, emrat mbeten ‘sekret’, Kasami: Nuk mund t’i publikojmë (Video)
- LEXO: 1.6 milionë euro për punësime misterioze përmes agjencisë private në Tetovë: Komuna dhe ndërmarrjet publike fshehin ku shkuan paratë e qytetarëve