Kuvendi i RMV-së shënoi muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Gashi: Nuk duhet të jemi indiferentë ndaj kësaj sëmundje
Në organizim të Komisionit të Shëndetësisë, sot në Kuvend u zhvillua aktivitet për shënimin e muajit sensibilizues ndaj kancerit të gjirit. Në ngjarje foli kryeparlamentarin Afrim Gashi, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Rashela Mizrahi, këshilltari për shëndetësi të kryeministrit, Igor Nikollov, si dhe ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi tha se kjo sëmundje, çdo vit është shkaktar për humbjen e një sërë jetësh në mbarë botën dhe në vendin tonë, duke shtuar se të gjithë mund të japim kontribut të vogël për ndërgjegjësimin jo vetëm të atyre që mund të jenë në rrezik, por edhe të atyre që i krijojnë dhe i zbatojnë politikat shëndetësore, me qëllim që të ulim numrin e personave të cilët vuajnë nga ky lloj i kancerit.
“Kur i lexojmë informacionet në dispozicion të publikut se rreth 10% e popullsisë femërore në botë është e prekur nga ky lloj kanceri dhe rreth 20% e tyre vdesin nga kjo sëmundje, duke e bërë këtë sëmundje shkaktarin e dytë të vdekjes tek gratë, nuk mund të jemi indiferentë dhe të mos organizohemi për parandalim, sepse siç e dimë të gjithë, trajtimi më i suksesshëm është parandalimi i problemeve shëndetësore. Ndërsa, siç dihet, e vetmja mundësi e suksesit në mjekim, rrjedhimisht edhe të kancerit të gjirit, është zbulimi i hershëm i kancerit. Bazuar në këtë, mund të shpreh kënaqësinë time që edhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është i përfshirë në ngritjen e vetëdijes për ndjekjen dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje, që duhet të bëhet në dy mënyra: e para është që, nëpërmjet kësaj ngjarje të bëjmë thirrje që të gjitha gratë të kryejnë kontrolle të rregullta mamografike, në mënyrë që të mund të reagojnë në kohë; dhe e dyta është të shohim nëse sistemi ynë shëndetësor është gati për ta trajtuar këtë problem”, tha Gashi.
Ai shtoi se ulja e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit nuk varet vetëm nga ekzaminimet e rregullta, por para se gjithash edhe nga politikat e mira shëndetësore.
#Prandaj, mendoj se ndërgjegjësimi për këtë sëmundje duhet të jetë në korelacion me edukimin e vazhdueshëm të teknologëve radiologjikë dhe të radiologëve, me ndjekjen dhe zbatimin e vazhdueshëm të përvojave pozitive botërore, që kanë traditë shumëvjeçare në kryerjen e skriningut për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, me organizimin e fushatave për ndërgjegjësimin e popullatës së përgjithshme për skriningun e kancerit të gjirit, por edhe me rritjen e mjeteve financiare për veprime që përfshijnë zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Është detyra jona të reagojmë dhe të organizohemi. Sepse, siç thotë një proverb е lashtë, “Nuk është e jotja të përfundosh detyrën, por as nuk je i lirë të përjashtosh veten nga ajo”. Secili duhet të jetë në krye të detyrës së tij. Mjafton vetëm kaq”, deklaroi Gashi.
Ndryshe, 346 gra vitin e kaluar e humbën betejën me kancerin e gjirit në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ekspertët e fushës theksojnë se zbulimi i hershëm parandalon sëmundjen, andaj vetë-kontrollet dhe kontrollet te mjeku duhet të jenë të rregullta. Gjatë vitit 2022 në Botë 2.3 milionë gra u diagnostikuan me kancer të gjirit ndërsa 670 mijë e humbën jetën.
Rekomandohet që çdo grua mbi moshën 25 vjeçare të kryejë vizitë te mjeku një herë në vit, ndërsa gratë mbi 40 vjet dy herë në vit. Ndonëse më rrallë, kanceri i gjirit i prek edhe burrat, përafërsisht 1 përqind e rasteve të kancerit të gjirit regjistrohen te burrat.
- LEXO: RMV, fushata kundër kancerit të gjirit me moton “parandalimi është mbrojtja më e mirë”
- LEXO: Gratë më të forta se kanceri i gjirit, zbulimi i hershëm shpëton jetë (Video)
- LEXO: Shënon rritje numri i vdekjeve nga kanceri i gjirit në RMV
- LEXO: Tetori rozë, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit