Punimet për korridorin 8, Nikolloski: Nga Shkupi në Ohër për një orë e gjysmë

Marrëveshja me kompaninë “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e korridoreve po bëhet prioritet për Qeverinë. Një delegacion qeveritar sot ka paralajmëruar fillimin e ndërtimit të autostradës Gostivar – Bukojçan, që sipas tyre do të thotë se pas 50 vitesh në Korridorin 8 po ndërtohet autostrada e re moderne. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, gjatë një inspektimi të punëve ndërtimore në ndërtimin e autostradës Gostivar-Bukojçan, njoftoi se nga Shkupi për në Ohër dhe Strugë do të duhen vetëm një orë e gjysmë, tranmseton Portalb.mk.

“Po fillojmë me punë reale në terren për ndërtimin e autostradës Gostivar-Bukojçan, rruga më e vështirë nga korridori i autostradës 8 në perëndim. Kjo autostradë do të ndryshojë tërësisht funksionimin e ekonomisë, por do të ndryshojë edhe turizmin dhe do të përshpejtojë rritjen ekonomike. Kjo do të thotë lidhje e madhe për të gjithë”, thotë Nikolloski.

Ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler, theksoi se kjo është dëshmi e një partneriteti të shkëlqyer mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kjo është për të mirën e qytetarëve, do të ndihmojë tregtinë, investimet, ndërsa kur kompani të tjera, përfshirë kompanitë e mëdha amerikane do të shohin projekte të tilla, do të jetë provë që u nevojitet, në mënyrë që ta dinë se investimi ka kuptim, sepse mund të përparojë”, tha ambasadorja Agler.

Ku do të kalojë rruga?

Në pyetjen e një gazetari se ku do të kalojë rruga, ministri Nikoloski thotë: “Nga pikë-pagesa e tretë rrugore vazhdon deri në Gostivar ose në pikëpagesën rrugore dhe këtu kemi një zgjidhje krejtësisht të re në të dy anët e tre korsive, gjithsej gjashtë korsi plus një rrugë ndihmëse. Prej këtu anashkalon qytetin e Gostivarit, lëviz mbi lumin Vardar, shkon në tri ura të mëdha që shkojnë në të majtë të Strazhës, anashkalon Strazhën, shkon përgjatë malit dhe del në anën tjetër në vendin e Bukojçanit. Nga Bukojçani mbi Kërçovë, NPRRSH tashmë është në para-përzgjedhje për përzgjedhjen e kontraktorit për autostradën e re, dhe më tej nga Kërçovë deri në Ohër, autostrada tashmë është në ndërtim e sipër”, tha ministri Nikolloski.

Nikolloski, së bashku me kryeministrin, Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, drejtorin e Ndërmarrjes Publike të Rrugëve Shtetërore, Koce Trajanovski dhe ambasadoren e SHBA-së, Angela Ageler, vizituan aktivitetet ndërtimore për ndërtimin e autostradës Gostivar-Bukojçan.

Drejtori i Administratës Publike të Rrugëve Shtetërore, Koce Trajanovski, bëri të ditur se deri në Vitin e Ri pritet të përfundojë procesi i shpronësimit.

Udhëkryq kryesor në rajon

Mickoski theksoi se dëshiron ta shohë Maqedoninë si udhëkryq kryesor transportues, hekurudhor dhe gazsjellës në rajon.

“Sot për ne ky është një moment domethënës sepse pas dy vitesh, fjalë për fjalë dy vjet, me premtime dhe fjalë boshe, sot më në fund mund të shohim diçka që duhet të jetë pjesë e ëndrrës që kemi si qeveri dhe kështu vendi ynë të jetë shteti pritës i tre udhëkryqeve. Dhe është një udhëkryq i transportit, hekurudhave dhe energjisë. Kjo është ëndrra jonë. Kjo është ëndrra ime personale dhe si kryeministër do të bëj gjithçka për ta bërë realitet”, tha Mickoski.

Sipas tij, intensifikimi i punimeve në autostradë filloi pas kontaktit të parë me menaxhmentin e kompanisë “Bechtel” në Uashington gjatë Samitit të NATO-s.

Për zëvendëskryemistrin e parë të qeverisë, Izet Mexhiti, Korridori 8 është prioritet mbi prioritetet për zhvillimin e vendit, e veçanërisht për zhvillimin ekonomik.

“Korridori 8 është prioritet mbi prioritetet për zhvillimin e vendit, për zhvillimin ekonomik, ku nuk kam dyshime se me Bechtel dhe Enka do të jemi dëshmitarë të realizimit të projektit në javët dhe muajt në vijim”, tha Mexhiti.

Reagime nga BDI dhe LSDM

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson që vijimi i punimeve në korridorin 8 edhe nga Qeveria dëshmon dhe konfirmon “politikat e tyre të drejta dhe vizionare”.

“Deri dje, partitë që sot thurnin lavde dhe krenoheshin me projektin, e kritikonin kontratën dhe ndërtimin e Korridorit 8 me kërcënime që do ta anulojnë kontratën, ndërsa sot, e quajtën projekt historik. Përfitimet nga politikat tona, qytetarët i ndjejnë çdo ditë dhe binden që e gjithë gjuetia politike e shtrigave me shpifje e konstrukcione ka qenë mashtrim për të ardhur në pushtet, edhe atë pa legjitimitet etnik. Korridori 8, edhe pse mban vulën e BDI-së, i takon të gjithë qytetarëve dhe apelojmë që tuneli nga Gostivari deri në Bukojqan të realizohet sepse është opsioni më i mirë dhe më racional për këtë pjesë të korridorit. Gjithashtu, buxheti i paraparë për këtë projekt duhet realizuar siç është përcaktuar në mënyrë që mos të bëhen obstrukcione të qëllimshme dhe vonesa politike në realizimin e projektit”, thonë nga BDI.

Nga ana tjetër, nga LSDM-ja thonë se Mickoski pasi erdhi në pushtet dhe ndërroi korsi, pasi dikur marrëveshja me Bechtel dhe Enka ishte “krim historik” dhe tani është e mirë.

“Kur ishte në opozitë, Hristijan Mickoski tha se Marrëveshja me Bechtel dhe Enka ishte krim historik. Por pasi erdhi në pushtet, u ul në kolltukun e kryeministrit, Mickoski ndërroi menjëherë korsinë. Papritur gjithçka është ndryshe, gjithçka është e mrekullueshme. Mickoski dhe Nikolovski mburren me të njëjtin projekt nga Marrëveshja me Bechtel dhe Enka dhe thonë se zgjidhja do të jetë e mirë për shtetin dhe qytetarët.Është vërtetuar se vetëm hipokrizia politike dhe dyfytyrësia e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së është historike!”, thonë nga LSDM.

Marrëveshje që ngriti shumë pluhur

Më 8 mars 2023, konsorciumi “Bechtel dhe Enka” dhe qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së kanë lidhur kontratë për ndërtimin e katër autostradave (Tetovë-Gostivar, Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Qafthan dhe Prilep-Manastir). Ndërkohë, disa ligje u ndryshuan për të lehtësuar dhe përshpejtuar procedurën për ndërtimin e korridoreve, të cilat ishin në qendër të kritikave të shumta publike. Për ndërtimin e Korridorit 8 infrastrukturor dhe Korridorit 10d me gjatësi prej 108 kilometrash dhe me vlerë të parashikuar prej 1,319 miliardë euro, është miratuar një ligj i veçantë që rregullon kushtet dhe mënyrën e ndërtimit.

Ndonëse kontrata është e fshehtë, Enti Shtetëror për Revizion vuri në dukje ndërkohë se një analizë krahasuese e kostos së ndërtimit të Korridorit 8 dhe 10d me auditimin përcaktoi se në planin pesëvjeçar nga prilli 2022 , vlera treguese e treguar për seksionet e planifikuara është 585 milionë euro ose 475 milionë euro pa seksionin Bukojçan-Kërçovë. Auditorët theksojnë se në dhjetor 2023, vetëm 0.12% e kostove i referohen ndërtimit, gjë që tregon një devijim nga dinamika e planifikuar e ndërtimit.

Zyrtarët e antikorrupsionit po analizonin pjesë të kontratës për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d me kompaninë “Bechtel and Enka”, e cila tregonte për rreziqe korrupsioni, prandaj KSHPK vendosi ta dorëzojë atë në Prokurorinë Themelore Publike për veprim të mëtejshëm. Prokuroria për krimin e organizuar dhe korrupsionin hapi çështjen pas votimit për prokurimin publik për përzgjedhjen e një kompanie për mbikëqyrjen e ndërtimeve në korridoret 8 dhe 10-d.