Shënon rritje numri i vdekjeve nga kanceri i gjirit në RMV (Infografik)
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga neoplazmat malinje te gratë në periudhën 2010-2023 është kanceri i gjirit. Vitin e kaluar 346 gra humbën jetën nga kanceri i gjirit, raporton Portalb.mk.
Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik në RMV, periudhën e analizuar vihet re tendencë e rritjes të numrit të rasteve të vdekjes te gratë me kancer të gjirit.
Kanceri i gjirit është në vendin e parë për nga numri i rasteve të reja të neoplazmave malinje tek gratë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në periudhën 2017-2021.
Në vitin 2017 janë regjistruar 808 rraste ndërsa në vitin 2021 u regjistruan 806 raste. Në periudhën e analizuar numri i rasteve të reja të kancerit të gjirit te gratë ndryshon.
Tetori në botë njihet si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Mesazhi kryesor që përcillet gjatë gjithë tetorit nga ekspertët dhe jo vetëm është se: Kontrollet e hershme parandalojnë dhe shpëtojnë jetë. Onkologët rekomandojnë që çdo grua mbi moshën 25 vjeçare të kryejë vizitë te mjeku një herë në vit, ndërsa gratë mbi 40 dy herë në vit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanceri i gjirit është një nga sëmundjet më të zakonshme te gratë në mbarë botën, në vitin 2022 kishte 2.3 milionë gra diagnostikuara me kancer të gjirit dhe 670 mijë vdekje. Ndonëse më rrallë, kanceri i gjirit prek edhe burrat.