Kushtrim Ahmeti u zgjodh rektori i ri i Universitetit të Tetovës
Me shumicën e votave të stafit akademik të 13 fakulteteve, Kushtrim Ahmeti është zgjedhur Rektor i Universitetit të Tetovës për mandatin trevjeçar, transmeton Portalb.mk.
Kushtrim Ahmeti fitoi 197 vota, Fehari Ramadani mori 119 vota, ndërkaq Jusuf Zejneli 22 vota.
Pas pranimit të rezultateve të votimit për zgjedhjen e Rektorit, të dorëzuara nga komisionet zgjedhore të njësive akademike, Komisioni Universitar i Zgjedhjeve bëri verifikimin dhe përmbledhjen e rezultateve për të gjitha njësitë e Universitetit të Tetovës.
Të drejtë vote kanë pasur gjithsej 355 anëtarë të këshillave mësimorë-shkencorë të fakulteteve. Në procesin e votimit morën pjesë 343 votues, përkatësisht 96.62%.
Konkursin për rektorin e ardhshëm, Universiteti i Tetovës e shpalli më 4 maj.
Ndërsa më pas tre kandidatët në një debat publik prezanzuan plan-programet e tyre.

Kujtojmë se konkursi i fundit për rektor në UT u përcoll me shumë bujë, tensione dhe akuza për ndikime politike, ku tre kandidatë u tërhoqën nga gara ku mbeti vetëm Jusuf Zejneli i cili u zgjodh rektor.
Konkursi i vitit 2023 ishte dashur të përfundojë dy vite më parë. Por, konkursi në vitin 2021 nuk u shpall.
Ushtrues detyre i rektorit u caktua Reshat Qaili, por ai në këtë detyrë për gjashtë muaj nuk shpalli konkurs për rektor.
Më pas, në këtë detyrë në maj 2022 si u.d erdhi Vullnet Ahmeti i cili nuk shpalli konkursin brenda 30 ditëve të parapara si në ligj.
Ndërsa nëntorin e vitit 2022 në këtë detyrë si u.d erdhi Kushtrim Ahmeti, i cili njëjtë nuk publikoi shpalljen për zgjedhjen e rektorit në afat prej 30 ditëve.
Këto shkelje u konstatuan edhe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.