Jusuf Zejneli u zgjodh Rektor i Universitetit të Tetovës

Në Universitetin e Tetovës u zgjodh Jusuf Zejneli për rektor pas garës ku kandidati i vetëm ishte Zejneli, për shkak se tre kandidatët tjerë u larguan nga gara pasi shpalosën parregullsitë e garës, transmeton Portalb.mk.

“Me shumicë votash të stafit akademik të 13 fakulteteve, Prof. Dr. Jusuf Zejneli u zgjodh Rektor i Universitetit të Tetovës, për mandatin e ardhshëm trevjeçar, 2023 – 2026”, raportoi Universiteti i Tetovës.

Universiteti raportoi që të drejtë vote kanë pasur 334 anëtarë, ndërsa këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 302 anëtarë, ashtu që Zejneli ka marrë 260 vota.

“Gjatë procesit të votimit të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 302 votues, ku kandidati Prof. Dr. Jusuf Zejneli ka marrë 260 vota, kandidati Prof. Dr. Bashkim Ziberi 14 vota, kandidatja Prof. Dr. Myqereme Rusi 1 votë, kandidati Prof. Dr. Dervish Alimi 0 vota dhe 27 vota kanë rezultuar të pavlefshme”, raportojnë nga Universiteti.

Ndryshe, pas lajmit se kandidatët për retor të UT-së Bashkim Ziberi, Myqereme Rusi dhe Dervish Alimi janë tërhequr nga gara për shkak të dyshimeve të bazuara se këto zgjedhje janë të kurdisura dhe në favor të kandidatit të përfolur si i BDI-së, Jusuf Zejneli, kanë reaguar organizatat civile, por edhe partitë politike, duke kërkuar që të anulohet ky konkurs..

“Forumi për Ndryshime në Arsim bën thirrje të anulimit të përkohshëm të konkursit për Rektor të Universitetit të Tetovës pas tërheqjes nga gara të tre kandidatëve Myqereme RusiBashkim Ziberi dhe Dervish Alimi. Derisa universiteti më i madh shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk arrin të sigurojë zgjedhje fer, të lira dhe demokratike – pa presion nga palë të treta, pa përzierje të partive politike, zgjedhje nuk duhet të ketë. I bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Inspektoratit të Arsimit që veprimi i parë I tyre nesër të jetë anulimi i këtij konkursi dhe hetimi i çdo parregullsie të mundshme. Universiteti i Tetovës meriton Rektor i cili do të punojë për ngritjen e cilësisë në Arsim dhe jo për interesat e një grupi të caktuar të njerëzve të cilat tash më shumë se një dekadë kanë kapur këtë institucion”, reaguan nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA).

Kryetari i Lëvizjes BESA, por edhe i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, nëpërmjet një reagimi në Faceook ku thotë se tërheqja e tre kandidatëve nga gara për rektor të Universitetit të Tetovës, përfundimisht flet për përzierje të “Ahmetistëve” në Universitetin e Tetovës, dhe kapjen e tij nga ana e politikës dhe bandave brenda tij.

“Pas kësaj tërheqjeje, kandidati i vetëm që mbeti për rektor i UT-së, nuk e dimë se kundër kujt do të garoj. Kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por edhe Inspektoratit të Arsimit që një herë e përgjithmonë të pastroj UT-në nga ndikimet politike dhe t’ia kthej kredibilitetin këtij tempulli të dijes. Grupimet politike që e drejtojnë UT-në si në rektorat, poashtu edhe në Senatin e Universitetit, këtë tempull të dijes vetëm se e çojnë drejt shkatërrimit dhe humbjes të edhe atyre pak vlerave të mbetura. Përfundimisht Universiteti i Tetovës duhet të anulojë këto zgjedhje të kurdisura nga BDI dhe ish udhëheqësia dhe në krye të këtij tempulli të dijes të vijnë njerëz me vlera shkencore e akademike, ose në të kundërtën do të përballen me protesta masive jo vetëm të studentëve, por edhe të gjithë popullatës, e cila dikur u bë mur i gjallë për mbrojtjen e këtij universiteti nga milicia e dikurshme”, thotë Kasami.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, pas tërheqjes së kandidatëve shkruan se UT-ja duhet të shndërrohet në cilësi.

“E kemi obligim intelektual, por edhe njerëzor që në tempullin e dijes, i cili është pasuria më e madhe e shqiptarëve, të identifikojmë një figurë që ka kredibilitet dhe kapacitet menaxhues. Tashmë kur kemi sasi duhet atë ta shndërrojmë në cilësi”, shkruan Taravari.

Nga ana tjetër, Komisioni Universitar i Zgjedhjeve e informon opinionin publik se procesi për zgjedhjen e rektorit zhvillohet sipas kritereve të publikuara që kur është shpallur konkursi përkatës.

“Ne si organ zgjedhor, kemi krijuar kushte të barabarta për çdonjërin nga kandidatët që marrin pjesë në këtë garë, duke u dhënë mundësi të gjithëve që ta zhvillojnë fushatën e tyre zgjedhore, prezantimin e platformave të tyre programore, realizimin e debateve të ndryshme dhe shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve që universiteti ynë i posedon. Unë, në cilësinë e kryetarit të komisionit, bashkë me gjashtë anëtarët e tjerë, u kemi krijuar kushte të barabarta konkurrimi të katër kandidatëve që ta realizojnë me sukses prezantimin e programit të tyre. Për t’u shmangur çdo lloj parregullsie në këtë proces, në përputhje me kriteret e konkursit, secili nga kandidatët ka pasur të drejtën që të caktojë vëzhgues në të gjitha fakultetet ku do të zhvillohen zgjedhjet, sikurse kanë pasur të drejtë ankese edhe për çdo paqartësi ligjore”, thotë kryetari i KUZ-së, Nderim Zeqiri.

Ai shtoi se Universiteti i Tetovës, dëshmon se është i gatshëm dhe ka kapacitete profesionale që procesin për zgjedhjen e rektorit ta realizojë me sukses të plotë, gjithnjë duke i respektuar dispozitat e Ligjit për arsimin e lartë.

Ky konkurs ishte i dyti që u publikua në periudhë brenda dy javësh, konkursi paraprak u anulua për shkak se kishte kriter shtesë për kandidatët e interesuar. Konkretisht kërkohej që kandidatët e interesuar të kishin 15 vite përvojë pune, ky kriter nuk ishte i paraparë as në Ligjin për arsim të lartë as edhe në vetë Statutin e këtij universiteti, madje i njëjti ishte favorizues për dikë ndërsa diskriminues për disa të tjerë. Ky kriter nuk ishte i vendosur në ndonjë konkurs nga universitetet publike tjera . Kjo shkelje dhe shkelje të tjera u konstatuan edhe nga inspektimi i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit në UT. Konkursi i ri nuk e përmbante këtë element.

Ky konkurs është dashur të përfundojë dy vite më parë. Por, konkursi në vitin 2021 nuk u shpall. Ushtrues detyre i rektorit u caktua Reshat Qaili, por ai në këtë detyrë për gjashtë muaj nuk shpalli konkurs për rektor. Më pas, në këtë detyrë në maj 2022 si u.d erdhi Vullnet Ahmeti i cili nuk shpalli konkursin brenda 30 ditëve të parapara si në ligj. Ndërsa së fundmi nëntorin e vitit 2022 në këtë detyrë si u.d erdhi Kushtrim Ahmeti– u.d rektori aktual i cili njëjtë nuk publikoi shpalljen për zgjedhjen e rektorit në afat prej 30 ditëve. Këto shkelje u konstatuan edhe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Në lidhje me këtë rast që nga publikimi i konkursit paraprak, inspektimi nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, konstatimi i shkeljeve, anulimi i konkursit dhe shpallja e konkursit të ri, lexoni analizën e hollësishme e Portalbit: