Janë tërhequr nga gara tre kandidatët për rektor të UT-së: Zgjedhjet janë të kurdisura

Kandidatët Bashkim Ziberi, Myqereme Rusi dhe Dervish Alimi janë tërhequr nga gara për Rektor të UT-së për shkak të dyshimeve të bazuara se këto zgjedhje janë të kurdisura në favor të kandidatit të përfolur si i BDI-së, Jusuf Zejneli, shkruan Alsat.

Përveç presioneve ndaj profesorëve, këta tashmë ish-kandidatë janë shprehur se presione politike ka edhe ndaj familjarëve të profesorëve, duke ju bë shtypje atyre që të votojnë për kandidatin Jusuf Zejneli.

Në letrën e dorëheqjes, ata i dorëzuan 3 kërkesa Qeverisë së RMV-së dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

1- Të shkarkohet kryetari i Senatit, me gjithë senatin, për shkak të vendimeve të jashtëligjshme, të konfirmuara nga Inspektorati i Arsimit të Lartë.

2- Të shkarkohet UD.Rektori Kushtrim Ahmeti, i zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme, sipas raportit të Inspektoratit të Arsimit të Lartë.

3- Kërkojmë nga MASh, të caktojë UD.Rektor, apolitik, me kredibilitet moral dhe intelektual që do të udhëheqë procesin e zgjedhjes së organeve të reja të UT-së.

Më tutje, në letrën e dorëheqjes kandidatët thonë se qëndrimi i tyre në këtë garë vetëm do të legjitimonte një proces të kapur, të kurdisur dhe me plot presione nga ish-rektori, tani kryetar i Senatit, Vullnet Ameti.

“Promovimet tendencioze të programeve të kandidatëve para stafit akademik, duke u prononcuar haptas me aklamacion për njërin nga kandidatët, presionet e ndryshme nëpërmjet njësive akademike, vizitat e shpeshta në fakultetet e kundërkandidatëve nga ana e kryetarit të senatit dhe u.d. rektorit, për të shantazhuar të njëjtit dhe promovuar kandidatin e preferuar, deri në thirrjet individuale të mësimdhënësve duke ushtruar presione të formave të ndryshme. Që gara të bëhet edhe më e pakuptimtë këtu i shtojmë edhe presionet politike mbi profesorët, gjegjësisht familjarët e tyre. Pjesëmarrja e mëtejme në këtë garë veëm se do të legjitimonte këtë proces që është gjithçka tjetër përpos një garë e lirë akademike” shkruan në këtë letër.

Votimi është paraparë të mbahet më 21 qershor nga ora 12 deri në ora 14, dhe rezultatet pritet të shpallen deri në fund të po kësaj dite.

Sipas statutit të UT-së, rektori e merr detyrën në fillim të vitit akademik.

Ky konkurs ishte i dyti që u publikua në periudhë brenda dy javësh, konkursi paraprak u anulua për shkak se kishte kriter shtesë për kandidatët e interesuar. Konkretisht kërkohej që kandidatët e interesuar të kishin 15 vite përvojë pune, ky kriter nuk ishte i paraparë as në Ligjin për arsim të lartë as edhe në vetë Statutin e këtij universiteti, madje i njëjti ishte favorizues për dikë ndërsa diskriminues për disa të tjerë. Ky kriter nuk ishte i vendosur në ndonjë konkurs nga universitetet publike tjera . Kjo shkelje dhe shkelje të tjera u konstatuan edhe nga inspektimi i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit në UT. Konkursi i ri nuk e përmbante këtë element.

Ky konkurs është dashur të përfundojë dy vite më parë. Por, konkursi në vitin 2021 nuk u shpall. Ushtrues detyre i rektorit u caktua Reshat Qaili, por ai në këtë detyrë për gjashtë muaj nuk shpalli konkurs për rektor. Më pas, në këtë detyrë në maj 2022 si u.d erdhi Vullnet Ahmeti i cili nuk shpalli konkursin brenda 30 ditëve të parapara si në ligj. Ndërsa së fundmi nëntorin e vitit 2022 në këtë detyrë si u.d erdhi Kushtrim Ahmeti– u.d rektori aktual i cili njëjtë nuk publikoi shpalljen për zgjedhjen e rektorit në afat prej 30 ditëve. Këto shkelje u konstatuan edhe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Në lidhje me këtë rast që nga publikimi i konkursit paraprak, inspektimi nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, konstatimi i shkeljeve, anulimi i konkursit dhe shpallja e konkursit të ri, lexoni analizën e hollësishme e Portalbit: