Kur rëndomësohet e keqja

Janë të njohura historitë e shpërnguljeve masive të shqiptarëve nga vendbanimet e tyre, veçmas ato që ndodhën para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, të planifikuara me marrëveshjet e fshehta serbo-turke, kur mijëra familje nga Kosova dhe Maqedonia u detyruan me dhunë të ikin në Turqi. Kjo zgjati gjer nga fundi i viteve të 60-ta, kur u largua nga politika A. Rankoviqi, ministri i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë titiste, zbatuesi më albanofob i projekteve të hershme gjenocidiste serbe. Megjithatë, sado e egër që ishte, dhuna në fjalë nuk ia doli të boshatisë në tërësi vendbanimet shqiptare, ashtu siç u boshatisen viteve të fundit, 30 vjet pas ndërrimit të sistemit monist me atë demokratik, në një kohë kur askush nuk e priste këtë gjëmë. Kjo e dhënë tingëllon absurde, por është e vërtetë, sepse në Maqedoni, ngjashëm si në disa vende të tjera ballkanike, monizmi u zëvendësua me një diktaturë të tebdilosur në demokraci, pjellë e së cilës u bë hajdutëria që ndikoi në krijimin e dy klasave krejtësisht të ndryshme shoqërore: aristokracisë hajdute të tipit feudalo-borgjez dhe rajës shpirtërobe mesjetare, të dyja të dala nga shtresa e fukarenjëve të shtypur njësoj gjatë periudhës moniste. Jo rastësisht, nga shtetet si ky i yni ia mbathin djemtë e papunë, kryesisht shqiptarë, të vendosur që të mos kthehen kurrë më në xhehenemin që ua vrau edhe shpresat, që zakonisht dorëzohen të fundit.

Tani më nuk mund të flasim për vendbanime të caktuara prej të cilave kanë ikur disa të rinj bashkë me familjet e tyre, duke lënë pas prindërit e moshuar me lot në sy dhe dhembje të papërshkrueshme. Kjo është dashur të na alarmojë para 10 vitesh, jo sot kur nuk ka mbetur fshat malësie e fushe në të cilët jeton akoma një e katërta e rinisë. E njëjtë është situata edhe në qytetet më të mëdha, si Shkupi, Tetova e Gostivari, deri shpejt të mbushur me rini. Edhe ato shprazen me të njëjtën shpejtësi si fshatrat përreth, po në bëjmë sikur nuk e vërejmë këtë gjë gjersa të shuhen edhe vatrat e fundit. Barometri më i saktë i këtij eksodi tragjik, të cilin vetëm shkaktarët e kësaj gjëme jo të rastësishme e krahasojnë me kurbetin e dikurshëm, është rënia e madhe e numrit të foshnjave të lindura në nivel vjetor, pakësimi i numrit të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme dhe mbylljet e tyre të njëpasnjëshme, demoralizimi i njerëzve, përhapja e fatalizmit dhe përshtatja me stinën e ligë, në të cilën rëndomësohet e keqja.

Ajo që nuk mund ta kuptojë njeriu me dy pare mend në kokë është heshtja e tragjedisë në fjalë nga paria e vendit të çudirave, veçmas nga “bossët” e bërë milionerë brenda natës, duke vjedhur hisen e “kurbetqarëve”, që braktisin sinoret e të parëve si të ishin refugjatë luftërash gjenocidiste. Në këto rrethana, kur bien kambanat e fundit për shuarjen e etnisë, njerëzit e padjallëzuar që jetojnë me djersën e ballit nuk arrijnë t’i kuptojnë as profkat e nastradinëve me përvojë, as premtimet e zeusëve të rinj, mes të cilëve sigurisht janë dhe ata që synim parësor kanë realizimin e dëshirës për të qenë të parit, merak ky që është i vjetër sa raca njerëzore.

Këtu duhet kërkuar shkaqet kryesore të shpopullimit të shpejtë e të tërësishëm të vendbanimeve tona, të mbetura me pleq të pamundur, që kanë ëndërruar ta kalojnë pleqërinë të rrethuar me bijë dhe bija, me nipa e mbesa, që do t’u jepnin tjetër kuptim viteve të fundit të jetës së tyre. Kjo kategori njerëzish të pafat aktualisht përbën shumicën e “sovranit” që voton shpëtimtarët, pjesa më e madhe e të cilëve korruptohet që ditën e ndarjes së posteve zyrtare dhe bëhet më e ndyrë dhe më e pamëshirshme se hienat.

Megjithatë, duhet të besojmë se do ta mbijetojmë edhe këtë sprovë, nëse ndodh çidia dhe nëse nis të funksionojë demokracia e mirëfilltë dhe shteti i së drejtës; nëse nga politika largohen injorantët dhe hajdutët; nëse sekuestrohen milionat e vjedhura nga goja e popullit dhe patundshmëritë e grabitura me hajni dhe së fundmi: nëse “partnerët tanë strategjikë” në vend të joshjes së rinisë sonë për të plotësuar mungesën e punëtorëve nëpër fabrika dhe ndërmarrje industriale dhe jo vetëm, të ndihmojnë me investime vendet besnike “aleate”, me paga serioze, që do të ishin të paktën sa gjysma e pagave që marrin bijtë tanë në vendet e tyre.

Kjo do ishte zgjidhja dhe shpëtimi ynë, që ndoshta me të drejtë duket utopik në botën pise të interesit, që humneros padiktueshëm të vegjlit materialisht e shpirtërisht.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.