Kovaçevski: Nga ne varet se sa shpejt do t’i bëjmë reformat, fokusi dhe synimi ynë duhet të mbetet BE

Lidhur me anëtarësimin në BE, Kovaçevski përmendi se përfitimet ekonomike do të jenë të mëdha. Në pesë vitet e para, kjo do të thotë paga më të larta prej 70 deri në 100 përqind. Rritja e PBB-së nga 80 në 90 përqind, rritja e numrit të vendeve të punës. Numri i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është rritur nga 30 deri në 40 përqind, tha kryeministri, transmeton Portalb.mk.

“Si kurrë më parë, Evropa po kthehet drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi në BE varet nga entuziazmi në BE për zgjerimin dhe thellimin e integrimit evropian, por edhe nga përpjekjet e shteteve kandidate për të përmbushur kriteret dhe standardet e larta të nevojshme, përmes respektimit të vlerave themelore evropiane. Ky proces është i dobishëm për të dyja palët”, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin hapës të Forumit Ekonomiko-Financiar të Shkupit (SEFF).

Siç theksoi Kovaçevski, BE-ja u dha vendeve të Ballkanit Perëndimor një shans real për t’u integruar në Union. Kryeministri theksoi se plani për Ballkanin Perëndimor i shpallur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila promovoi qëllimin e përbashkët për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian në forumin në Bratislavë në maj të këtij viti, është veçanërisht i rëndësishëm.  Ky plan, theksoi Kovaçevski, hapi mundësi për integrim shumë më të shpejtë në Union.

Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të fokusohen në përballjen me sfidat që i pengojnë prosperitetit.

“Nga ne varet se sa shpejt do t’i bëjmë reformat në rrugën drejt BE-së, sa shpejt do t’i përmbushim kushtet dhe çfarë dinamike do të ndjekim varet nga dialogu i brendshëm politik. Por një gjë është e sigurt – fokusi dhe synimi ynë duhet të mbetet BE. Ne i përkasim pjesës demokratike dhe të lirë të Evropës dhe pasi ne, vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi interes të jemi anëtarë të BE-së, BE-ja ka një interes të madh në Ballkan që të mos ketë konflikte rajonale, të ketë stabilitetin politik, se ka shtete ekonomikisht të qëndrueshme që do të zhvillohen dhe do të perfeksionohen, në nivel demokratik, administrativ, politik, të sigurisë. Lufta e shumë brezave për një Evropë të bashkuar do të vazhdojë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Partneritetin e Evropës Lindore dhe kjo na jep një nxitje të fortë reformash”, tha Kovaçevski.

Sipas tij, transformimi dhe përparimi i ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie të madhe për një jetë më cilësore të qytetarëve.

Ai iu referua edhe përfitimeve ekonomike të BE-së, të cilat, siç theksoi, kanë një shtrirje të gjerë.

“Katër shtyllat e planifikuara për vendet e Ballkanit Perëndimor do të na japin mundësinë të ndjejmë përfitimet e shtytësit kryesor të suksesit ekonomik – fuqisë transformuese të integrimit evropian. Këtu e kam fjalën për fuqinë ekonomike me pjesëmarrjen e BE-së në ekonominë botërore dhe tregtinë prej rreth 16 përqind. Vetëm në vitin 2021, BE ka eksporte prej 2.18 trilion euro. Bashkimi Evropian ka një treg të vetëm prej 500 milionë banorësh, i cili ofron fuqi të madhe absorbuese dhe mundësi për ekonomi. Në historinë tonë të pavarur, ka pasur një nivel jashtëzakonisht të lartë të mbështetjes qytetare për anëtarësimin e nevojshëm në Bashkimin Evropian për tridhjetë vjet. Në gjithë këto vite, mbështetja financiare e BE-së llogaritet në mbi 3.3 miliardë euro, fonde që vendi ynë i ka marrë përmes granteve dhe mbështetjes makrofinanciare, të cilat na kanë ofruar mbështetje likuiditeti”, theksoi kryeministri.

Sa i përket anëtarësimit në BE, ai përmendi se përfitimet ekonomike do të jenë të mëdha.

“Në pesë vitet e para, kjo do të thotë paga më të larta prej 70 deri në 100 përqind. Rritja e PBB-së nga 80 në 90 përqind, rritja e numrit të vendeve të punës. Numri i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është rritur me 30 deri në 40 përqind. Në vitin 2008, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia ishin në të njëjtin pozicion për t’u bërë anëtarë të Unionit. Dy ditë më parë, kolegu im kroat Andrej Plenkoviç theksoi se për dhjetë vjet anëtarësim në BE, Kroacia është 12 miliardë euro plus. Kroacia ka hyrë në BE në vitin 2013 me një normë papunësie prej 17.3 përqind, në vitin 2022 shkalla e papunësisë në Kroaci ka rënë në 6.7 përqind”, tha Kovaçevski.

Kryeministri përfundoi se anëtarësimi në BE ka përfitime dhe ndikim mbrojtës në rritjen ekonomike dhe tregtinë, në pjesëmarrjen në bashkimin doganor të BE-së, në uljen e barrierave tregtare dhe në rritjen e konkurrencës.

Nëse s’ka ndryshime kushtetuese deri në nëntor, eurointegrimi do të bllokohet

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.