Lloga: Sipas shembullit të Bosnjë dhe Hercegovinës, të kemi burgje që plotësojnë standardet evropiane

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, gjatë vizitës së tij të punës në BH ka vizituar burgun më bashkëkohor në Ballkan në lagjen Ilixha në Sarajevë, i cili është ndërtuar sipas standardeve më të larta evropiane. Me ndërtimin e këtij institucioni është ulur mbingarkimi me të burgosur nëpër burgje. Bashkimi Evropian ndau mbi 11 milionë euro mjete financiare për të. Ka një kapacitet për 300 të burgosur dhe 50 vende për paraburgim. Disponon me dhoma të pajisura më bashkëkohore, terrene sportive, punëtori, ushqimi shërbehet në qeli dhe ka edhe një dhomë të veçantë që shërben si faltore dhe për praktikimin e fesë, thonë nga Ministria e Drejtësisë, transmeton Portalb.mk.

Me qëllim të ndërmarrjes së masave dhe aktivitete specifike për përmirësimin e gjendjes në institucionet ndëshkuese-korrektuese në vendin tonë, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, realizoi takim me Zëvendësguvernatorin e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Tomash Boçek dhe Arno de Verdier, Menaxher i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës.

Ministri Lloga u njoftua për Projektin për “Rindërtim të institucioneve ndëshkuese-korrektuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i cili është duke u realizuar me një kredi nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës. Përfaqësuesit e Bankës kërkuan që në një kohë sa më të shkurtër të ndërmerren masa efektive për riparimin e dëmeve dhe humbjeve të shkaktuara në repartin gjysmë të hapur dhe të hapur në INK Idrizovë.

“Realizimi i suksesshëm i Projektit paraqet vetëm njërën nga bazat për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme të kushteve në burgje, trajtimin dhe veprimin ndaj personave të paraburgosur dhe të dënuar, si dhe arritjen e risocializimit të personave të cilët kanë vuajtur dënim me burg”, thonë Ministria e Drejtësisë.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Krenar Llogadje dje vizitoi Burgun e Idrizovës, nga ku tha se kushtet atje janë të mjerueshme, katastrofale dhe jashtë  standardeve  për vuajtjen e dënimeve me burg, mbipopullimi, të burgosurit që flenë në dysheme, pa kujdes të duhur shëndetësor, pa kushte sanitare të përshtatshme, shtretër të thyer, mure të mykura.

Ministria e Drejtësisë e më 13 shtator njoftoi se ka përgatitur propozim-ligjin për Amnisti, me të cilin bëhet i mundur lirimi dhe ulja e dënimit me burg për veprat penale të lehta. Me ligjin propozohet, personat të cilët janë dënuar me dënim burg deri në gjashtë muaj, tërësisht të lirohen nga vuajtja e dënimit. Ata, të cilët janë dënuar me burg mbi gjashtë muaj, lirohen nga vuajtja e 30% të dënimit total të shqiptuar me aktgjykim të formës së prerë.

Amnistimi nuk vlen për personat të cilët janë të dënuar me burgim të përjetshëm, për vepër penale vrasje, për vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, kundër lirisë gjinore dhe moralit gjinor, kundër shtetit, kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, për vepra penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve” nga neni 353, “Punë të papërgjegjshme në shërbim” nga neni 353-c, të gjithë nga Kodi Penal, për krime kundër rendit publik nga nenet 394 deri në 394-d të Kodit Penal, si dhe për krimet e kryera gjatë ushtrimit të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

  • Amnistia nuk vlen për personat që i kanë kryer veprat që i nënshtrohen amnistisë pas datës 1 shtator 2023.
  • Amnistia nuk vlen për personat të cilët në kohën e kryerjes së veprave janë zgjedhur dhe emëruar persona në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
  • Amnistia nuk vlen për personat e dënuar ligjërisht për të cilët, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, është lëshuar urdhërarrest për shkak se janë të pakapshëm për organet e ndjekjes penale.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.