Kur askushi gjykon gjeniun

Në një vend çudirash u përhap sihariqi se askushi i vetëshpallur korife letërsie do të shesë në Shtëpinë e Kulturës kopalla para kureshtarëve të rastit mbi artin poetik të lirikut më të madh shqiptar  Lasgush Poradecit. Natyrisht, shkuan dhe disa lexues të pasionuar librash të shumëllojshëm, sepse margaritarët që dalin nga goja e hërtave,  janë argëtuese dhe përherë nxjerrin në pah “të vërteta” interesante për poetët e njëmendtë. Dhe bënë mirë që shkuan për ta kuptuar që në frazën e parë të ligjëruesit se Lasgush Poradeci nuk e paska njohur mirë shpirtin e kombit, sepse u shkollua në Perëndim. Prandaj, tha eksperti, vargjet e tij do të mbeten përjetësisht të pakuptueshme për masat e gjera popullore.

Kaq u desh për të ngjallur neverinë dhe nevojën e atyre që e njihnin poezinë e Lasgushit, për të vjellur, jo përmbajtjet po lukthet e tyre. Por, të gjendur mes masës së pafajshme të njerëzve që u takonin profesioneve pa asnjë lidhje me poezinë, ata i gëlltitën pabëzajtur shigjetat e helmta të drejtuara kundër poetit, para artit të të cilit përulen personalitetet më të shquara të letërsisë shqipe. Ata e dinin se akuza të ngjashme iu bënë Lasgushit edhe nga zhdanovistët e sistemit monist, të cilët, 45 vite të plota, i qerasi vetëm me atë që kërkuan prej tij…

Luks i paparë! Të pohosh se Lasgush Poradeci nuk e njohu shpirtin shqiptar pse studioi në Perëndim; të thuash se ai nuk qe krijues i mirëfilltë pse nuk shkroi për masat e gjëra popullore dhe nuk pranoi të bëhet bejtexhi mëhalle; t’ia mohosh Lasgushit gjeninë e lirikut pa një të dytë si vetvetja; t’ia kontestosh vlerat artistike vetëm pse paska shkruar dy përmbledhje poetike e jo dhjetra paçavure; ta devalvosh atë para një publiku, shumicën e të cilëve e përbëjnë njerëz që nuk e kanë dëgjuar as emrin e poetit të sakatosur prej një mediokriteti, pa ia administruar fajet e shpifura; të lehish gojën plot dhe kuturu se Lasgushi nuk paska shkruar asnjë varg me motiv atdhetar…, është ogur i zi për një kulturë që rrezikon të katandiset keq për shkak të hatrit të rremë dhe konformizmit të atyre që duhet ta ngrenë zërin kundër idiotësirave, pavarësisht tagreve që mund t’ua paguajnë qëndrimeve të drejta dhe parimore.

Mjerisht, askushët edhe sot përulin me mllef vlerat estetike të poetëve të dëshmuar shqiptarë, sepse paçavrat e tyre janë të papajtueshme me konceptet e Lasgushit, sipas të cilit:

  • Poezia duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj duhet të jetë xhevahir.
  • Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjeshë gjithata xhevahirë?
  • Poezia duhet të jetë cilësi, jo shumësi. Mos ki frikë se ke shkruajtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.
  • Që të bësh një varg të mirë duhet shumë, shumë kohë. Që të bësh disa poezi të bukura nuk mjafton një jetë…

Kështu u fliste shqiptarëve gjeniu i papërsëritshëm i lirikës shqipe, që kurseu lexuesit nga gjepurat, nga vargjet e rutinës dhe veprimet mekanike të përfaqësuesve të letërsisë naive, nga e cila ndoshta nuk është plotësisht imune asnjë letërsi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.