Escobar: Korrupsioni është problemi më i madh në Ballkanin Perëndimor, përfshirë RMV-në

Korrupsioni është problemi më i madh për Ballkanin Perëndimor, ndaj mendoj se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëjnë më shumë, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Dhe, kjo është një nga arsyet pse jemi vazhdimisht pro asaj që vendet t’i nisin reformat që kërkon Bashkimi Evropian, tha i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë për REL, transmeton Portalb.mk.

“Për sa i përket informacionit specifik për ndryshimet në Kodin Penal, ajo që mund të them është se ka shumë nivele të kontrollit dhe balancave të shumëfishta, përfshirë përmes Bashkimit Evropian, që do të kërkonin që Maqedonia e Veriut të sigurohet që ligjet e saj nuk janë vetëm në përputhje me Kushtetutën e saj, por në përputhje edhe me pritjet dhe standardet evropiane”, tha Escobar.

Edhe pse ka qenë pjesë e programeve partiake të të gjitha partive politike, korrupsioni në Maqedoninë e Veriut sipas të gjitha indikacioneve vazhdon të “lulëzojë”. Se korrupsioni nuk është luftuar mjaftueshëm edhe nga kjo Qeveri edhe përkundër zotimeve të shumta, këtë e konfirmoi edhe raporti i fundit i Transparency International.

Kur bëhet fjalë për besimin tek institucionet, në vitin 2022 qytetarët i besuan më së shumti Armatës. Nga ana tjetër, gjyqësori mbeti në fund, konstatoi hulumtimi i “Eurometer” për vitin 2022, i cili u prezantua nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink. Edhe në vitin 2022 më së paku besim nga qytetarët ka gjyqësori, vetëm 6 përqind, ndërsa këtu është edhe prokuroria me 7 përqind.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.