Asnjë jetë nuk shoqërohet vetëm me suksese. Secili mund të dështojë në ndonjë punë. Çdo dështim shoqërohet me zhgënjim, djersë të ftohta, net të ankthshme dhe pa gjumë. Atëherë dëshiron që ditët të kalojnë sa më shpejt, me mendimin se, me kalimin e kohës, do të çlirohesh nga sulmet helmuese.
Disa njerëz thyhen nga dështimi, teksa të tjerë arrijnë ta kthejnë disfatën në shtysë drejt sukseseve të reja.
Shumica e njerëzve që merren me punë publike ose me art i kanë prekur kulmet e suksesit dhe kanë rënë në honet e dështimit. Kanë përjetuar çaste përmbushjeje, vetëbesimi dhe krenarie, por edhe kanë përjetuar zhgënjime e zbrazëti. Pastaj, pas dështimit, thellë në qenien e tyre është rizgjuar një forcë e mistershme, në formë pasioni të çuditshëm, që i ka shtyrë të udhëtojnë nëpër rrugët e pashkelura më parë.
Njeriu që përjeton dështimin, s’duhet të dorëzohet, por të mbledhë forcë dhe të vazhdojë rrugën me bindjen se turmës nuk i detyrohet për asgjë.
Pikërisht kur lëndohemi, kur ndihemi të humbur dhe të pashpresë, kur na duket se bota na ka kthyer shpinën, se horizonti i jetës është nxirë, se të gjitha udhët na janë mbyllur, kur duhet ta durojmë edhe përçmimin e turmës, pikërisht atëherë mund të kërkojmë ndihmën e gjeniut.
“Në raste të tilla, mendoni se kjo do të jetë e parëndësishme pas 10 apo 20 vjetësh… Mendoni për gjërat e ngjashme që ua keni bërë të tjerëve… Mendoni për gjëra shumë më të këqija që mund t’ju kishin ndodhur”, tha Tolstoi.
I kalitur nga sukseset dhe dështimet, nuk kam lejuar kurrë të bëhem pjesë të skenave mizore të linçimit. Nuk jam bërë prokuror, hetues dhe gjykatës moral i askujt. Kjo edhe për respekt të sivëllezërve shkrimtarë që shpeshherë janë fshikulluar tmerrësisht nga kamxhikët e urrejtjes dhe janë goditur nga shigjetat e helmatisura të linçuesve, që janë të ndyrë, edhe pse hiqen si puritanë; që janë të pabesë, edhe pse hiqen si besnikë; që janë servilë, edhe pse flasin për ndershmëri e dinjitet. S’kam marrë pjesë as në spektaklet e linçimit të linçuesve të mi. Përkundrazi, kam dashur t’u them fjalë ngushëlluese, jo për t’u dëshmuar se nuk u ngjaj, por pse kështu më ka udhëzuar ndërgjegjja ime.
Jetojmë në kohën kur në ag mund të jesh hero dhe në muzg të jesh tradhtar; kur suksesi i dikujt lind xhelozi të papërshkruar, kurse dështimi i një tjetri ngjall lumturi të përgjithshme.
Sendi Ezrin thotë se asgjë nuk kushton që të bëhesh i sjellshëm; të shprehësh mirësi e dashuri; të përkujdesesh për një plakë; të lejosh dikë të hyjë pa rend në dyqan; t’i thuash një të afërmi se ndien mungesën e tij; ta lavdërosh dikë se bën punë të mirë për komunitetin; të dërgosh lule në azilin e pleqve apo t’i përgatitësh supë të sëmurit.
Asgjë nuk na kushton të bëhemi më njerëzorë kundrejt atij që vuan dhe të mos bëhemi pjesë e spektakleve mizore të linçimit.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.