Para disa muajsh na u dha detyra që të bënim recensën e një libri që do të botohej nga e famshmja shtëpi botuese Palgrave Macmillan. Titulli u librit ngërthente një sintagmë interesante, demokracia deliberative, kështu që duke e lexuar dhe marrë shënime na u hapën horizonte të reja mbi një formë interesante të demokracisë. Ndërkohë mësuam se tekste serioze në shqip s’ka pos librit “Transformimi i ri i sferës publike dhe demokracia deliberative” të Jürgen Habermasit, përkthyer nga Blerta Ismaili dhe i botuar në Prishtinë në vitin 2023.
Po çfarë në fakt është ky lloj i demokracisë? Demokracia deliberative (konsultative) është një sintagmë e pjesëmarrjes masive në çështjet publike. Si komunikim dhe dialog mbi çështjet e interesit të përbashkët, si mjet për të mirën publike dhe ndërtimin e konsensusit, si dhe si praktikë — demokracia deliberative është objekt kërkimi me peshë dhe rëndësi shoqërore për të paktën disa dekada. Sipas Don Tapscott-it “kapitalizmi industrial solli demokracinë përfaqësuese, por me një mandat publik të dobët dhe një qytetari pasive (inerte). Epoka digjitale ofron një demokraci të re të bazuar në deliberimin (shqyrtimin) publik dhe qytetarinë aktive.”
Deliberimi ngre dilema nëse demokracia përfaqësuese është një demokraci de facto, kur populli nuk qeveris, por thjesht voton dhe zgjedh se kush do të qeverisë. “Demokracia deliberative” është një lloj pleonazmi (përsëritje e tepërt), sepse “diskutimi” (deliberimi), debati ose dialogu është pikërisht elementi thelbësor i demokracisë. Ky debat prodhon diskurs publik. Është marrje e vendimeve kolektive përmes diskutimit të gjatë, dëgjimit të argumenteve, peshimit të dëshmive dhe kërkimit të konsensusit (dhe jo përmes votimit të thjeshtë me numra).
Me këtë temë, që përbën pjesë të rëndësishme të aparatit sociologjik dhe politologjik, janë marrë figura me peshë të shkencës si Jürgen Habermas, John Rawls, James Bohnham, Seyla Benhabib, Iris Marion Young, Jane Mainsbridge, Benjamin Barber, James Fishkin, Robert Goodin, John Dryzek etj. Toka ku ka mbirë fara e kësaj demokracie është Greqia Antike (në një formë shumë më rudimentare se perceptimi bashkëkohor), dhe atë përmes idealit të Aristotelit për deliberim (shqyrtim/diskutim) gjatë marrjes së vendimeve publike, kurse forma moderne e saj shfaqet në Shtetet e Bashkuara.
Habermas-i e përshkruan këtë lloj të demokracisë si pjesëmarrje masovike në punët publike (mass parficipation in public affairs). Kjo formë qeverisjes kundërshton atë në formën e saj agregative (grumbulluese), të bazuar vetëm në forcën e zhveshur të numrit të madh të votave, thekson se ajo është e pamjaftueshme, madje edhe e dëmshme. (Jovanovski, 11) Në të nuk guxon që vendimi të merret thjesht sepse një palë ka më shumë numra (votues), pa marrë parasysh argumentet apo cilësinë e vendimit. Forma e demokracisë si një veprimtari ekskluzivisht e përqendruar te vota, zëvendësohet nga një veprimtari e përqendruar te argumenti.
Kjo mënyrë e inxhinierimit të vendimmarrjes, është shkathtësi e menaxhimit dhe jo e qeverisjes (governance) së njerëzve; është riçlirim i sferës publike si skenë për debate dhe polemika. Sipas Benhabib që afirmon reciprocitetin egalitar dhe bashkëbisedimet anonime dhe të ndërlidhura (anonymous and interlocking conversations), deliberimi është me dy trajektore: sfera publike zyrtare, e cila përfshin institucionet formale si legjislativi, gjyqësori dhe partitë politike, dhe sfera publike jozyrtare, e cila përfshin lëvizjet shoqërore, shoqatat qytetare dhe grupet kulturore.
Për një lloj të këtillë të demokracisë nuk mjafton vetëm status civitatis, por duhet kategoria e qytetarëve të informuar politikisht dhe me vetëdije të lartë, të gatshëm për një rol aktiv në vendimmarrje (çka nënkupton aftësitë e argumentimit, të të provuarit, të këshillimit, por edhe të pranimit të pikëpamjeve kundërshtare) (f. 30).
Në këtë lloj të demokracisë informacioni është mbi emocionet: Qytetarëve u jepen fakte objektive dhe të balancuara përpara se atyre t’u kërkohet të ndajnë mendjen ose të marrin një vendim. Element tjetër është ndërtimi i konsensusit: fokusi përqendrohet te gjetja e një gjuhe të përbashkët përmes dialogut, dhe jo te votimi i tipit “ne kundër tyre”.
Vazhdon…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.