Hasi e çon trashëgiminë në botë: Veshja tradicionale prezantohet në Zvicër, synon UNESCO-n
Veshja tradicionale e Hasit, një nga trashëgimitë më të vjetra dhe më përfaqësuese në trojet shqiptare, pritet të nisë zyrtarisht rrugëtimin drejt regjistrimit në UNESCO. Ky hap shihet si një mundësi e madhe për ta mbrojtur dhe afirmuar një identitet kulturor që është ruajtur brez pas brezi, nëpërmjet punimit me dorë, simboleve dhe mënyrës së veçantë të bartjes, shkruan Portalb.mk.
Haziz Hodaj kryetar i Soqërisë Kulturore Artistike “Malësori” dhe drejtor i Festivali Folklorik “Hasi Jehon” për Portalb.mk tha se veshja e Hasit është më shumë se një kostum tradicional, është një kod identiteti dhe një pasuri e gjallë kulturore. Prezantimi në Freiburg është një hap i rëndësishëm për ta çuar zërin e Hasit në skenën ndërkombëtare dhe për të hapur rrugën drejt UNESCO-s, si ëndërr e shumë brezave.
“Si një veshje unike, e lashtë dhe tejet kolorite, me figura të shumta, kryesisht asimetrike, veshja tradicionale e Hasit ka zënë vend në shumë hapësira informimi dhe ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të etnologjisë, jo vetëm në vend, por edhe jashtë tij. Sugjerimet e etnologëve shqiptarë nga Kosova e Shqipëria, si dhe të studiuesve të huaj, kanë qenë vazhdimisht të pranishme: të nisin sa më parë procedurat për ta çuar këtë pasuri kulturore drejt UNESCO-s”, tha Hodaj.
Në këtë frymë, ai tha se SHKA “Malësori” nga Gjonaj i Hasit, i cili vitin e kaluar shënoi 50-vjetorin e themelimit dhe të veprimtarisë aktive, ka marrë ftesë që në muajin gusht ta prezantojë veshjen hasjane në një festival ndërkombëtar në Freiburg të Zvicrës.
“Ky prezantim pritet të jetë një dritare e rëndësishme për afirmimin e saj në skenën ndërkombëtare dhe, me optimizëm, shihet si një mundësi për të hapur kontakte edhe me autoritetet që lidhen me proceset e UNESCO-s, në mënyrë që të gjendet rruga më e mirë për realizimin e kësaj ëndrre të shumë brezave”, tha Hodaj.

Hodaj shtoi se veshja hasjane kërkon kohë, sepse është art i punuar me dorë e me vek, dikur pajë e vajzave, sot trashëgimi që gratë e moshuara e mbajnë gjallë. Ajo ruhet si pasuri familjare dhe vazhdon të vishet në ditën e parë të dasmës, sepse për Hasin kjo veshje nuk është kostum, është histori, kujtesë dhe krenari.
“Natyrisht, punimi i kësaj veshjeje kërkon kohë, sepse realizohet me qëndisje me dorë dhe me vek. Dikur e kanë punuar vetë vajzat si pjesë e pajës së tyre, ndërsa sot, në shumë raste, punimi bëhet nga gra më të moshuara, me pagesë. Edhe pse me kalimin e kohës ka pasur ndryshime në disa figura dhe detaje, koloritit i jashtëzakonshëm dhe identiteti i saj mbeten të paprekur. Veshja hasjane vazhdon të jetë pjesë e pandashme e çdo të reje hasjane që martohet dhe përdoret sidomos në raste festash, me theks të veçantë në ditën e parë të dasmës tradicionale. Veshjet e vjetra ruhen ende me kujdes dhe, sipas banorëve, ato nuk janë dëmtuar as në periudha të vështira si lufta, ndërsa veshjet e reja vazhdojnë të punohen edhe sot. Vështirë të gjesh një familje në Has që të mos e ketë të paktën një veshje hasjane në shtëpi. Për shumëkënd, kjo veshje nuk është thjesht një kostum, ajo është vetë historia, kujtesa dhe krenaria e Hasit”, tha Hodaj.

Veshja hasjane mbetet një nga shenjat më të forta të identitetit të Hasit, e ruajtur me fanatizëm në familje dhe e punuar ende sot me të njëjtin përkushtim.
