Para tre vitesh, me rastin e 100-vjetorit të themelimit, Filarmonia e Beogradit mbajti koncert në Teatrin e Operës në Tiranë. Organizatorët e kësajë ngjarje kulturore nuk e kuptuan prapavinë politike, e cila synonte prezantimin e Serbisë si vend kulture, në një kohë kur ajo mbeti shteti i vetëm që përkrahte agresionin rus ndaj Ukrainës dhe që përpiqej ta destabilizonte Ballkanin me nxitjen e një lufte të re në veriun e Kosovës. Për ta arsyetuar këtë vaki që ndodhi javën kur ushtria serbe, brenda territorit të Kosovës, kidnapoi tre policë kufitarë, që, sipas pretendimeve të Serbisë, kishin rrezikuar shtetin e militarizuar prej vitesh, drejtoresha “mendjehapur” e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Abigeila Voshtina, deklaroi: Programi me maestron ishte paracaktuar që në tetor. Sa u takon fakteve që ndodhin tani, mendoj se vetëm mendjet e mbyllura mund të krijojnë situata të pakëndshme dhe që janë kurthe që historia do t’i zhdukë. Është nismë e Ballkanit të hapur me rastin e 100-vjetorit të orkestrës së tyre. Gjithnjë sipas zonjës Voshtina, shqiptarët e paskan pritur prej kohësh koncertin e Filarmonisë së Beogradit, të cilin ajo e konsideroi ngjarje historike.
Megjithatë, justifikimi mjeran i drejtoreshës së TKOB ra ndesh me mënyrën se si e përjetuan tiranasit e tjerë festën serbe në Shqipëri. Në dallim prej saj, diplomati Mal Berisha nuk e zbuti turpin me praninë e dirigjentit të madh Zubin Mehta, as me Ballkanin e Hapur që nuk ishte tjetër veçse një instrument për sendërtimin e Botës Serbe nga pinjollët e Kasapit të Ballkanit. Ai kritikoi dinjitetin e munguar të atyre, që nuk qenë të vetëdijshëm për shërbimet që ia bënë shtetit serb, që cenonte seriozisht pavarësinë e Kosovës. Sipas Mal Berishës: Kjo festë serbe në kryeqytetin e Shqipërisë zhgënjeu bashkëkombësit e esëllt dhe thelloi edhe më shumë hullinë ndarëse ndërmjet dy vëllezërve të një gjuhe e gjaku, njëri prej të cilëve kishte zi në Kosovë, kurse tjetri bënte aheng në Shqipëri.
I zhgënjyer nga ovacionet e publikut shqiptar, ai ua kujtoi të pranishmive se Orkestra Simfonike e Beogradit është themeluar nga antishqiptari më i përbetuar serb, Nikola Pashiqi, që i solli shqiptarisë një mal me tmerre.
Se ngjarja qe krejtësisht në shërbim të politikave hegjemoniste u kuptua lehtësisht nga shkrimet e mediave serbe, që e theksuan që në tituj se koncerti për nder të 100-vjetorit të themelimit të Filarmonisë u organizua në kuadrin e iniciativës së Ballkanit të Hapur. Pra, në kuadër të një kurrgjëje fundekrye politike.
“Ngjarja e madhe historike” serbe në zemrën e tokave shqiptare nuk qe e para e këtij lloji. Një ngjarje tjetër “e madhe” ishte ajo kur z. Edi Rama, asokohe kryetar bashkie, e shpalli rokerin serb Goran Bregoviq qytetar nderi të kryeqytetit dhe e dekoroi me Çelësin e Tiranës. Sigurisht që në rrethana paqeje kjo do të konsiderohej si diçka që ndodh kudo në vendet e qytetëruara, por rasti nuk qe i tillë, sepse ende nuk ishin gjetur varret masive të civilëve të pafajshëm shqiptarë të masakruar nga paramilitarët serbë, të njohur për pashpirtësinë e demonstruar në akte dhunimesh, pushkatimesh, djegiesh dhe rrënimesh të qyteteve dhe fshatrave të Kosovës.
Në të njëjtën kohë, kur një turmë njerëzish të padijshëm e shihnin Bregoviqin si jashtëtokësor, këngëtarja e njohur serbe Tijana Dapçeviq, kërkoi të mbante një koncert në sheshin e Zagrebit, por kroatët “e prapambetur” nuk e lejuan këtë për të njëjtën arsye që ka mundur ta pengojë edhe maskaradën poshtërruese në Tiranë, ku një pjesë e parisë (respekt përjashtimeve!) u tregua e padinjitetshme sepse, para se të kërkojnë falje drejtuesit e Filarmonisë serbe për kasaphanet e bëra në Kosovë nga bashkëvendësit e tyre, shqiptarët lejuan “Goran Bregoviqët” të kapardisen me këngët: “Kallashnikov” dhe “Jurish”, të cilat çetnikët serbë i këndojnë si himne luftarake, sa herë që i ndërsehen qenies sonë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.